Në fokus

March 3, 2016 | 10:27

Abigeila Voshtina: Çdo ditë një milje më shumë!

Abigeila Voshtina, Drejtoreshë e Operës dhe Filarmonisë në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Abigeila Voshtina, Drejtoreshë e Operës dhe Filarmonisë në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Ecjen e saj të përditshme ajo nuk e mat me hapa e as me metër linear, madje as me kilometër statik, por me një masë që e kapërcen logjikën e thjeshtë të vrapimit. E nëse je në krah të saj do të duhet një rendje e lodhshme, stërmunduese, për t’i shkuar deri në vijën e finishit. Nëse do të arrish, sigurisht, garën nuk do ta lësh në mes. Një milje në ditë nuk është diçka e zakonshme për ambiciet e kujtdo, por një kapërcim i tejet, si vrapi i një gazele në savanë. Ajo është Abigeila Voshtina, një violiniste në profesion, por që në këtë rrëfim të saj vjen dhe me statusin e Drejtoreshës Artistike në TKOB.

Në kulmin e programit artistik, si ndiheni me gjithë ecurinë e TKOB?

Motivi i lëvizjes në jetën time është “Çdo ditë një milje më shumë”. Jo gjithmonë i mundur, por i vetmi që njoh, për të mbajtur gjallë çdo ditë, flakën e pandërprerë për të shkuar përpara. Në “Gianni Schicchi” dhe “Motër Angelica”, në sajë të bujarisë dhe bashkëpunimit të bukur të dy artistëve shqiptarë( E. J. e G. M.), të ftuar të tjerë, dhe artistëve tanë, ne patëm një sukses të madh në publik dhe interes të madh të shtypit dhe televizioneve. Në “Dasmën e Figaros” janë artistët tanë të Teatrit së bashku me këngëtarë të rinj të zgjedhur nga audicionet, që treguan edhe një herë tjetër një përfaqësim të bukur.

Sa e motivuar ndiheni në vazhdim dhe a ka ndonjë plan që deri dje e mbanit në sirtar, por besoni se ka ardhur koha për ta nxjerrë në dritë?

Pa dyshim, motivimi nuk më mungon, duke parë vitalitetin që ne i kemi dhënë jetës kulturore dhe sociale. Sigurisht mbyllja e teatrit do të krijojë probleme, që ne jemi duke u përpjekur për të zgjidhur, për të mos humbur ritmin e punës dhe kualitetin e shfaqjeve, në pritje të teatrit, që patjetër do të jetë shumë emocionuese dhe motivim e përgjegjësi për rihapjen.

Posti drejtues, sidomos te një femër, shihet gjithnjë me mëdyshjen e të tjerëve, ka të pakënaqur dhe individë që presin të të “sulmojnë” atëherë kur diçka nuk shkon?

Drejtori im ka qenë shumë i guximshëm të emërojë një grua si udhëheqës artistik. Pa pasur nevojë për të veshur gjithmonë pantallonat kur vij në teatër, do të përpiqem të shpjegoj që jam para së gjithash, një muzikante, që e do teatrin dhe bukurinë e tij, dhe që ka pranuar detyrën, duke qenë e ndërgjegjshme për të bërë një punë të mirë.

Në këndvështrimin tuaj, sa e ka rritur pjekurinë profesionale dhe jo vetëm, arti, me gjithë këto tipare që më së shumti theksohen te njerëzit që merren me kulturë artistike?

Nga dita që jeta ime bëri pagëzimin me violinën, gjurmët janë të pashlyeshme. Arti, që nga më të shumtët shihet si një kalim kohe i bukur, dhe kjo sepse njerëzit kanë një panoramë të shtrembëruar nga TV, për të gjithë ata që e bëjnë atë me përkushtim, kërkon këmbëngulje, vetëmohim, rrugë të cilën e çojnë në fund, vetëm ata, që e duan dhe s’do ta humbasin besimin. Për artistët e mirëfilltë, shenjat janë të njëjtat. Ato ndjehen dhe janë emëruesi i përbashkët, këmbëngulja, dëshira për të rifilluar çdo herë nga e para mbas çdo fundi, dashuri të tejskashme, përulësi.

Ndonjë situatë konkrete që ju ka bërë të reflektoni gjatë?

Po, ka qenë procesi i reformave të kontratave, kaq i mundimshëm dhe i vuajtur për mua. Unë zakonisht nga natyra, mundohem të kuptoj pozicionin dhe problemet e atyre që kam përpara. Jam pjesë e mureve të teatrit dhe frymëmarrjes së tij, shoh, dëgjoj çdo gjë që më rrethon. Ju siguroj që kemi kaluar ditë të gjata, duke studiuar rregulloren e më shumë se një teatri, ky fakt më ka bërë të kaloj net pa gjumë, për të reflektuar, duke pasur parasysh se përpara kam qenë gjithmonë, nga ana tjetër si instrumentiste.

Në bisedat televizive apo në shtypin e shkruar shfaqni natyrë korrekte, këmbëngulëse, mbikëqyrëse për t’i parë arritjet të dukshme falë pozitivitetit dhe dashurisë që keni për artin, veçanërisht muzikën. A ju ka mbajtur peng arti në këtë rrugëtim?

Jeta e përditshme dhe ashpërsia e nevojshme për të arritur qëllime të mëdha, në jetën e violinistes, të imponon e mëson të luftosh vazhdimisht. Metodologjinë e përpjekjet që kam bërë unë me violinën, do ta ndjekë edhe në këtë detyrë. Të ndihesh peng i asaj që dashuron, është urimi im, me shpresë për të gjithë. Ndër vite kam krijuar një raport të një ekzistence në çift, aq të brendshme e fizike, si në një duet baleti. Me shaka kam thënë gjithmonë, kush vendos të më rrijë pranë, duhet të na marrë çift. E kuptoj që kjo përgjigje nuk është e pranueshme nga një klishe, e pseudonormalitetit, jemi ende të ankoruar në princin e bukur dhe fëmijët, por librin e jetës nuk ma kanë shkruar, por e kam bërë nga zgjedhjet e mia.

Botuar në revistën Psikologjia, NR. 95

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top