Këshilla & Arsye

March 3, 2016 | 9:04

Libri/Bij dhe dashnorë

1Një histori prekëse për gjithë ato femra që janë ndier të krahasuara me të paarritshmen nënë dhe për gjithë ata meshkuj që kanë ndier vargonjtë e pushtetit mëmësor.

“Bij dhe dashnorë” është portretizimi i parë modern i një fenomeni që më pas, falë Frojdit, do të njihej si kompleksi i Edipit. Kurrë s’ka pasur djalë më të varur nga dashuria e nënës dhe më të mbushur me urrejtje për të atin sesa Pol Moreli, protagonisti i këtij romani. Kurrë, me përjashtim ndoshta të vetë autorit D. H. Lawrence. Në këtë roman ai përfytet me dashuritë e papajtueshme që do t’i faniten tërë jetën: për të dashurën e tij shpirtërore të fëmijërisë dhe për nënën e tij. Duke përdorur fjalët e vetë Lawrence-it, ky libër ka për qëllim të përshkruajë zotërimin e një gruaje, e cila, “teksa djemtë e saj rriten, i kthen ata në dashnorë, në fillim të parin e pastaj të dytin. Këta bij janë të nxitur, vazhdimisht të nxitur, të hyjnë në jetë nga dashuria reciproke për nënën e tyre. Por kur burrërohen, nuk mund të dashurojnë, sepse nëna është prania më e fuqishme në jetët e tyre, ajo i mban të lidhur.” Natyrisht që nëna nuk i ka vërtet dashnorë bijtë e saj, por gracka psikologjike e saj është shumë e fortë. E kështu, teksa Poli rritet dhe burrërohet, ai pranon se arritjet e tij, duhet të jenë po aq edhe të nënës së tij. Cikli i lidhjeve të Polit me gratë është nganjëherë i tmerrshëm dhe autori nuk bën asgjë që t’ua zbusë fuqinë. Ai nuk tutet edhe nga përshkrimet sensuale dhe të gjalla të peizazheve, lulëzimeve dhe drithërimave që prekin protagonistin e ndjeshëm. “Bij dhe dashnorë” i zhvesh krejtësisht shpirtrat e burrave. Pak libra tregojnë një të vërtetë kaq të plotë e të komplikuar, mbi dashurinë që ndërron, kaq vendosmërisht e pavendosur. Është gati përcëlluese, kjo prekje e tillë e njerëzimit. Në të trajtohet fëmijëria dhe adoleshenca dhe gjithçka që lidhet me to, duke përfshirë këtu edhe frikën, turpin, vetëndërgjegjësimin, ndjeshmërinë e tepruar emocionale, zgjimin seksual dhe bindjen kryelartë se, për ta thënë me fjalët e Pol Morelit, pikërisht ti “do t’ia ndryshoje fytyrën tokës në një mënyrë a një tjetër”. Në roman ka edhe freski dhe thellësi me të cilat autori prezanton familjen Morel; a thua se kjo është e vetmja familje në botë ku prindërit nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, babai pi, mamaja nuk duron të dashurën e të birit, nuk ka para, arti dhe letërsia janë një strehë, e kështu me radhë. Në moshën 27-vjeçare, Lawrence-i ishte i edukuar mirë dhe shumë i lexuar, por stili i “Bij dhe Dashnorë” është mrekullisht i paditur, pa ironi angleze që ta prishë magjinë. Ironia nuk i përkiste Lawrence-it dhe, në kohën kur shkroi këtë libër, ai nuk kishte as kohë për të. Në fillimet e tij, romani pati një pritje të vakët nga kritika, së bashku me akuzat për imoralitet. I përzgjedhur nga Modern Library, si një nga 100 librat më të mirë të shekullit të XX, sot ai konsiderohet si një kryevepër nga kritikët e shpesh, edhe si vepra më e arrirë e D. H. Lawrence.

Titulli: Bij dhe dashnorë

Autori: D. H. Lawrence

Shqipëroi: Krenar Hadëri

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: PEGI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top