Mosha e përfshirë brenda Adoleshencës, përbën fazën e zhvillimit më të vrullshëm në jetën e njeriut, dhe që cilësohet nga psikologët si mosha me ngarkesë me delikate. Adoleshenca është mosha kalimtare e cila ka të bëjë me periudhën e kalimit nga fëmijëria në moshën e rritur. Veçoria kryesore e kësaj moshe përmblidhet në fjalët: “nuk jam më i vogël/e vogël, tani jam i/e rritur”. Afërsisht kjo moshë zë dhjetëvjetëshin e dytë të jetës njerëzore, madje duke hyrë edhe në të tretin.
Nga Prof.Assoc.Doc.Dr.Ilia S.Larti
Brenda saj, adoleshenca ka tre etapa: paraadoleshenca, adoleshenca e hershme dhe ajo e maturuar.
Kufijtë e Adoleshencës, në psikologjinë e sotme i shtrijnë edhe pas moshës 20-vjeçare. Kalimi nga paraadoleshenca në adoleshencë te vajzat bëhet në moshën 12 vjeç, kurse te djemtë në 13-14 vjeç. Ardhja e adoleshencës përkon me fillimin e pjekurisë seksuale, pubertetit e cila shoqërohet me lindjen dhe përjetimin e ndjenjave të panjohura më parë, tërheqja nga qenia njerëzore e seksit tjetër. Janë vitet e zhvillimit të vrullshëm të gjëndrës se hipofizës e cila ndikon në rritjen e kockave të organizmit për së gjati. Adoleshenca karakterizohet nga ritmet e shpejta të zhvillimit të sistemit nervor dhe të trurit. Ne organizmin e adoleshentit ndodhin ndryshime të mëdha fiziologjike, të cilat shkaktohen nga veprimtaria e gjëndrave me sekrecion të brendshëm. Kështu, për shembull, zhvillimi i gjëndrës endokrine shoqërohet me rritjen e nxitshmërisë të sistemit nervor, që e bën adoleshentin impulsiv dhe jo gjithnjë të ekuilibruar në marrëdhënie me të tjerët. Ndryshimet anatomo-fiziologjike që ndodhin në organizmin e adoleshentit, ndikojnë në gjithë sjelljen dhe veprimtarinë e tij, por këto ndryshime nuk përcaktojnë gjithë përmbajtjen e zhvillimit të personalitetit, i cili kushtëzohet edhe nga kushtet objektive të jetës dhe edukata.
Adoleshenca është mosha kur njeriu formon qëllimet dhe idealin në jetë. Është mosha kur adoleshenti shtron para vetes pyetjen: Kush jam unë? Ne dhënien e përgjigjes për këtë pyetje thelbësore adoleshenti ndeshet me veten, me të rriturit dhe me prindërit, mësuesit dhe opinionin shoqëror.
E gjitha kjo është një ndeshje e madhe brezash, ku adoleshenti kërkon të afirmohet, kërkon vendin e vet, kërkon rrugën nëpër të cilën do të ecë, kërkon me ngulm identitetin e tij. Ai rrit kërkesat ndaj vetes dhe shokëve, duke mos harruar për asnjë çast që të afirmojë personalitetin e vet, ashtu siç e vlerëson ai. Vlerësimi dhe verifikimi i vetvetes e mundon atë.
Adoleshenti do që ta trajtojnë si të rritur, por në vlerësimin e vetes dhe të vetëveprimtarisë i lejon vetes edhe gabime. Kundërshtia e kësaj moshe përmblidhet në atë që adoleshenti e konsideron veten të rritur, por në një shkallë të ndjeshme ai është ende fëmijë.
Përparësia më e madhe e adoleshencës është prirja për të renë, të cilën e kërkon me këmbëngulje, sakrifikon dhe lufton për të është i prirë më shumë të kritikojë se të mbajë qëndrim autokritik dhe të kontrollojë veprimet dhe qëndrimet e veta. Kjo prirje mund ta shpjerë edhe në negativizëm, në manifestimin e dukurisë së kundërshtimit të mendimeve, dëshirave dhe kërkesave të të tjerëve, pa qenë në gjendje ta motivojë këtë kundërshtim edhe pa pasur arsye. Tipar dallues i Adoleshentit është antikonformizmi, vënia në dyshim edhe ideve e tezave që kane qëndruar e i qëndrojnë kohës. Është mosha e zhvillimit të shpirtit kritik, por edhe kundërvënies dhe e mohimit. Adoleshenca. është mosha e ashpërsimit të marrëdhënieve dhe e kundërvënies me breznitë e rritura, sepse kjo është mosha e mohimit të vlerave dhe të traditave, të cilat mund të kalojnë edhe në nihilizëm (asgjë), dukuri që mund të jete si konstruktive, ashtu edhe destruktive, kalimtare ose me prirje të qëndrueshme.
Adoleshenca është mosha kur lind ndjenja e miqësisë. Adoleshenti e përjeton se tepërmi nevojën që të ketë një mik/mikeshë, të cilit/cilës t`i besojë çdo të fshehtë. Si rregull, te adoleshenti ndikojnë me shumë fjalët e shokut/shoqes se ato të mësuesit e prindërve.
Adoleshenti bën gjithçka për të marrë në mbrojtje shokun e ngushtë, madje edhe kur është i bindur se ai ka gabuar. Prirja e adoleshentit për pavarësi dhe fitimi i autoritetit ndërmjet moshatarëve arrihet nëpërmjet dhënies së shembullit pozitiv. Krahas kësaj dukurie të përgjithshme, janë të shpeshta rastet kur, për t’u vetafirmuar, adoleshenti sillet në mënyrë “origjinale”, bën klasën “për të qeshur”, bën pyetje “për të kapur mësuesin,mësuesen”, pi duhan, nuk zbaton format e mirësjelljes në vendet publike, nuk e ka për gjë të madhe edhe të gënjejë. Në të njëjtën kohë, adoleshenti dallohet për cilësi të çmueshme moralo-volitive: entuziazmin, vrullin dhe guximin rinor, ndjenjën e sakrificës.
Adoleshentët kanë qenë dhe janë gjithnjë në radhët e para të çdo lëvizjeje shoqërore, por këto cilësi kaq të çmueshme, janë shfrytëzuar (dhe mund të shfrytëzohen edhe në të ardhmen), si për mirë por edhe nga forca të errëta për qëllime destabilizuese e antinjerëzore.
Adoleshenti karakterizohet nga gjallëria dhe dinamizmi, nga dëshira e madhe për të lexuar, nga pjesëmarrja entuziaste në veprimtaritë romantike që përputhen me veçoritë e moshës. Si rrjedhojë e mungesës së përvojës së mjaftueshme shoqërore dhe përjetimit të ndjenjës së fuqishme “tani jam i rritur”, ndaj adoleshenti nuk është gjithnjë në gjendje të vlerësojë drejt cilësitë e personalitetit. Ai jo rrallë ngatërron këmbënguljen me kokëfortësinë, guximin me sjelljen e pahijshme, trimërinë me aktet e rrugaçërisë etj.
Veçoritë e moshës së adoleshentit nuk janë të meta, nuk dëshmojnë që fëmija “doli nga rruga”. Janë të shumtë psikologët që theksojnë se adoleshenti “është i dënuar të kalojë krizën e moshës”, të ngrejë krye kundër familjes dh shoqërisë, të mbyllet në vetvete ose të tallet dhe të ngërdheshet me të rriturit që e rrethojnë. Edhe sot janë të shumtë psikologët që Adoleshencën e quajnë “mosha e panjohur”, madje edhe “mosha e krizës së rëndë”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.