Të rritur, mos e trajtoni adoleshentin me “zilinë” që ju provokon pakësimi i kolagjenit tuaj, por me kujtimin e vështirësive që keni përjetuar ju vetë kur ishit të tillë. Mos flisni me sloganin: “se jeni në moshën më të bukur, jeni të rinj”.
Nga Lira Gjika
Është e vërtetë që është shumë i bukur, por vetëm fizikisht, ndërsa psikoemocionalisht është as fëmijë e as i rritur. Adoleshentit i duhet ende shumë rrugë për të arritur të menaxhojë veten dhe ta rrisë atë vetë që siç shkruan Erich From: “të bëhet nëna dhe babai i vetes së tij”. Ka ende nevojë për të rriturin, për ndërmjetësimin e tij për të shkuar drejtë vetes.
Në këtë moshë njeriu ende nuk është i aftë të menaxhojë atë, veten e tij, i vetëm. Ka frikë nga vdekja, por ka frikë edhe nga jeta. Nuk e beson se ja del dot të realizojë ëndrra edhe pse është plot me to. Nuk di si të përfshihet në jetë, ka nevojë për ftesën e të rriturit, por nuk di edhe si ta kërkojë. Flet më shumë duke ikur, sepse nuk e përballon dot një diskutim nëse i rrituri nuk tregohet i duruar e me takt. Të rritur për pak durim do të bëni që adoleshenti të mos ngec në ëndrrat e tij, por ti realizojë ato.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.