“Adoleshentët shoqëria i ngatërron dhe ata vetë ngatërrohen (ngjajnë) me sjelljen deviante”. ADOLESHENC/Ë- A (lat. Adolescentia= koha rinore), fazë e zhvillimit të individit, e cila i përket kohës së zhvillimit prej moshës së pubertetit deri në pjekurinë e tij. Adoleshenca te meshkujt shtrihet prej moshës 14deri në moshën 22 vjeç, ndërsa te femrat fillon nga mosha 12-vjeçare e zgjat deri në moshën 21-vjeçare.
Çfarë është adoleshenca?
Individi gjatë jetës së tij kalon nëpër këto faza zhvillimi:
Faza e parë – fëmijëria, Faza e dytë – mosha e rinisë – adoleshenca, Faza e tretë – mosha e pjekurisë dhe Faza e katërt – mosha e pleqërisë. Adoleshenca nuk është thjesht një periudhë ndryshimi midis fëmijërisë dhe pjekurisë, por përbën një fazë të veçantë zhvillimi me veçori të veçanta,e cila fillon me ndryshimet biologjike (hormonale) dhe përfundon me kompletimin psikologjik të individit.
Çfarë duhet të dimë ne për adoleshencën?
Adoleshentë llogariten fëmijët e moshës mesatarisht nga 12-21 vjet, (diku më herët e diku më vonë). Në këtë periudhë, këta individë kalojnë nëpër shumë ndryshime, psikofizike dhe socioemocionale. Adoleshentët janë të bindur se çfarëdo që të bëjnë, asgjë e keqe nuk mund t’u ndodhë. Sipas këtyre karakteristikave, këtu qëndron rreziku më i lartë dhe adoleshentët konsiderohen potencialisht të mundshëm për sjellje deviante. Për këtë arsye “shoqëria i ngatërron dhe ata vetë ngatërrohen me sjelljen deviante”.
Pyetje për nxënësit: Cilat sjellje i konsideroni normale në adoleshencë, e cilat i konsideroni sjellje jashtë rregullave në këtë periudhë të jetës? Përgjigjet nga të pranishmit:
Periudhën e adoleshencës tek individi, tek adoleshentët zhvillohet dëshira e madhe që ai të jetë i pavarur, gjë të cilën është e pamundur ta realizojnë sepse të rinjtë dhe të rejat janë ekonomikisht të varur nga prindërit. Në këtë moshë janë më të rëndësishme dy momente: Zhvillimi fizik i individit, ndryshimet trupore dhe momenti tjetër: Zhvillimi socio-emocional, pranimi i këtyre ndryshimeve nga vetë individi dhe rrethi i tij social.
Ndryshimet fizike: Fiziku dhe puberteti. Edhe kjo periudhë karakterizohet me zhvillimin e vrullshëm fizik të individit dhe fillimin e vrullshëm të pubertetit. Në periudhën e pubertetit, para së gjithash, bëhet zhvillimi mjaft intensiv fizik dhe pjekuria seksuale. Rëndom kjo periudhë quhet edhe “periudha e stuhisë dhe e dridhjeve”.
Ndryshimet socio-emocionale: Përshtatha e adoleshentit në shoqëri. Adoleshenca është koha kur fëmijët fillojnë dhe dëshirojnë të vendosin vetë. Këtu fillon e tëra! Rëndësi të veçantë paraqet edhe zhvillimi i identitetit dhe zhvillimi social i individit. Sipas Erik Eriksonit, adoleshent i suksesshëm është ai i cili mund t’i përgjigjet pyetjes: “Kush jam unë”?. Onyehalu mendon se: një pjesë e konsiderueshme e krizës së identitetit që përjeton rinia-adoleshentët, është rezultat i kërkesave kontradiktore mbi ta.
Si të ballafaqohemi me adoleshentët?
Disa sjellje të caktuara, nuk janë në rregull asnjëherë, për cilindo fëmijë, i cilësdo moshë të jetë ai. Por nuk do të thotë se ato mbesin të tilla.Qëndrimet e prindërve, fëmijëria e hershme, pikëpamjet dhe normat shoqërore, sjelljet e mësimdhënësve ndikojnë shumë, se si njeriu i ri do ta kapërcejë këtë periudhë të jetës, e cila për të është e mbushur me shumë probleme.
Reagimet e adoleshentëve në situata të ndryshme jetësore dhe ndikimi i të tjerëve në sjelljet e tyre Adoleshenca nuk shfaqet njësoj tek asnjë individ. Edhe pse sjelljet e adoleshentëve duken të njëjta ato dallojnë nga individi në individ. Prania e një modeli si të prindërve apo personave në familje, në rrethin social, mësimdhënësve, personave të shquar publikë, luan një rol të rëndësishëm në kompletimin e sjelljes psikologjike të fëmijës. Fëmija është “thithës” sjelljesh, shprehjesh dhe i çdo lëvizjeje që kryhet kryesisht brenda familjes dhe më gjerë.
Në çdo rast adoleshentët duhet të drejtohen për ndihmë te: prindërit, mësuesit e tyre, personeli psiko-social në shkolla, të afërmit nga ku mund të marrin ndonjë këshillë, mjeku i familjes etj. Mos harroni: “Të gjithë ne jemi model për dikë, qoftë për të mirë apo për të keq. Nëse jemi për të dyja pse të mos jemi për të parën”?!
Temat të cilat duhet dhe është e nevojshme të diskutohen me adoleshentët nga ana e prindërve dhe edukatorëve të tyre
Duhet të bëhen të pranishme tema të tilla të aktualitetit në ditët e sotme, por dhe rrezikshmërinë që ato paraqesin në jetën e adoleshentëve. Interesante dhe e domosdoshme është që prindërit të diskutojnë me fëmijët e tyre apo fëmijët të marrin nga prindërit e tyre informacione të tilla si: informacion për përdorimin e drogës, alkoolit, duhanit, seksit dhe problemeve të modës. Parashtroni rregulla të qarta dhe tregoni se çdo të ndodhë nëse këto rregulla thyhen.
Disa rekomandime për prindërit dhe mësimdhënësit
“Mbeturinat” të cilat mbesin në trurin e adoleshentit, do ta përcjellin atë gjatë gjithë jetës së tij. Ja disa raste të tilla: Duhet ta kemi parasysh dhe duhet t’ju a bëjmë me dije adoleshentëve se ata nuk duhet dhe nuk mund të bëjë zgjedhje për gjëra që e rrezikojnë shëndetin, sigurinë dhe ardhmërinë e tyre. Në këto raste duhet të përdoren fjalë lavdëruese për kryerjen e detyrave e për më tepër inkurajuese dhe sjelljet e mira të përforcohen, duke i injoruar sjelljet e papërshtatshme. Është e domosdoshme dhe e detyrueshme që fëmija të shkojë në shkollë. Shkolla e përgatit që të vazhdojë më tutje në jetë, të punojë dhe të fitojë për jetë. Nuk është i pranueshëm përdorimi i drogës dhe i duhanit, ato mund ta kërcënojnë shëndetin e fëmijës. Nuk është e pranueshme të ngasë makinën me shokë kur është i dehur (nëse posedon patentë shoferin), me këtë kërcënohet siguria e jetës së tyre.
Përfundim
Mendojmë se në këtë moshë: “sa më të pranuar të jemi për shoqërinë, aq më të pranueshëm jemi për vetveten”. Secila periudhë e jetës ka karakteristikat e veta të formimit të individit. Periudha e adoleshencës është periudha më delikate e jetës së individit. Ajo gërshetohet nga ndjenja dhe sjellje të ndryshme. Adoleshencën e jetojmë veç njëherë, akoma dhe disa sjellje “negative”, na bëhen mësim për jetën e mëvonshme. “Nganjëherë sjelljet tona janë normale në situata normale”
Burimi PsychoNews
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.