Nga GEZIM TUSHI
Ngjarja e ndodhur pak ditë më parë në një nga shkollat e Tiranës, në të cilën u përfshinë në akte të shëmtuara dhune fizike, verbale dhe emocionale një grup vajzash të moshës së adoleshencës, nuk është as i pari, i rastit apo i papritur.
Ngjarja është në vazhdën e zgjerimit të një lloj neurotizmi psiko-social moshor që po shprehet gjerësisht në shfaqjen e zakonshme të sjelljeve antihumane e jo edukative. Duhet pranuar e vërteta që dhuna po bëhet “limfë” e sjelljes së shumë adoleshentëve, një patologji që shfaqet në mënyrë evidente në familje, shkollë, në rrugë dhe lidhjet interpersonale.
Pas kësaj ndodhie, nuk është i mjaftueshëm vetëm mediatizimi i dendur, por i sipërfaqshëm i këtij rasti flagrant. Përkundrazi, ajo që presin njerëzit e shqetësuar për këtë situatë rebeluese e antisociale, të shumë individëve të kësaj grupmoshe delikate, është analiza e shkaqeve të këtij hiperagresiviteti moshor. Sjellje devijante, të cilat nuk janë pa arsye. Ato janë komplekse e të natyrave të ndryshme biologjike e sociale, psikologjike dhe edukative. Gjithnjë të lidhura me disa situata sociale, mangësi të funksionimit dhe përgjegjësisë së institucioneve edukative dhe figurave edukuese, nga njëra anë, por edhe me faktin se tek adoleshentët, për shkaqe që vijnë nga brenda tyre apo që janë si presion nga jashtë, kemi shtim të gjendjeve të ankthit, pasigurisë, nivele në rritje të depresionit që shfaqet tek adoleshentët e sotëm.
Besoj se kjo ngjarje, por dhe shumë të tjera që lidhen me këtë moshë, tregojnë se nuk ka më kohë për “mendjelehtësi edukative”, neglizhim të nevojës së kujdesit për të trajtuar me seriozitet e përgjegjësi problemet sociale dhe edukative që po shfaqen në “familjen e madhe” të adoleshentëve. Të cilat janë agravuar deri në përmasat e zgjeruara të një shqetësimi social, që nuk mund më të mbulohet me “gjethe fiku” morale apo slogane justifikuese. Nuk është e lehtë analiza e shkaqeve dhe e pasojave të sjelljeve të adoleshentëve të sotëm. Nuk është gjithashtu e kollajtë të bësh rolin e njeriut të ditur apo super ekspertit, për të dhënë përgjigjet e duhura adekuate apo zgjidhje të gatshme për problematikat e ndërlikuara të sjelljes së tyre.
Nëse ka një gabim trashanik që ndeshet rëndom, është “siguria prej budallai” se prindërit dhe mësuesit “dinë gjithçka” dhe që adoleshentët duhet vetëm duhet të binden e të dëgjojnë pasivisht ata. Kjo është arsyeja që në dialektikën e përplasjeve të autoritetit të jashtëm të mësuesit dhe prindit me adoleshentin, ai bëhet i rrëmbyeshëm, “rebel”, i pabindur, “tiran”. Mos harroni, mosha e adoleshencës është e mbushur plot me kontradikta të natyrshme endemike. Ai është njeriu në moshën më delikate, më “plastike” të jetës së vet.
Dhuna në të gjitha format e saj psikologjike, verbale, fizike, por edhe seksuale, në shumë raste është bërë një tipologji sjelljeje tejet e dukshme, që ndeshet gjithnjë e më shpesh në lidhjet dhe marrëdhëniet e adoleshentëve. Qoftë midis tyre apo edhe në raport me prindërit dhe mësuesit në familje dhe në shkollë. Besoj se tashmë nuk mund të mohohet e vërteta, se për shkak të punës së dobët edukuese, zbehjes së lidhjeve dhe komunikimit të duhur, kjo periudhë moshore apo “vijë ndarëse” e kalimit nga fëmijëria në moshë të rritur, është bërë tejet problematike. Për pasojë po përballemi me dukurinë sociale, të sjelljes së shumë adoleshentëve që kryejnë veprime që janë jashtë kontrollit individual dhe normave sociale.
Problemi është që shoqëria, familja, shkolla, mësuesit, prindërit duhet të ndërgjegjësohen për të ndarë përgjegjësinë e adoleshencës, shkaqeve endemike moshore, fizike, emocionale nga ndikimi i rrethanave sociale që ndikojnë në këtë “periudhë të vështirë” të tyre. Në ekuacionin vlerësues, nëse adoleshentët do t’i konsiderojmë fajtorë apo viktima, unë mendoj se ambienti social është shkaku kryesor që po i jep trajtë sjelljes, agresivitetit të adoleshentëve. Në këto kushte është bërë shumë e vështirë puna për t’i ndihmuar adoleshentët, të gjejnë kënaqësitë e natyrshme moshore, por gjithnjë në rrugën e duhur.
Është përgjegjësi e madhe të edukosh adoleshentët dhe aq më shumë t’i mbrosh ata nga shumë “sëmundje moshore”. Koha po vërteton se në këtë betejë të prindërve dhe mësuesve, është e pranishme mundësia e dështimit edukativ. Dështim apo më saktë “abort edukativ”, që lidhet me kuptimin e cekët, moskuptimin e saktë të veçorive biologjike e psikosociale, që e ndjekin adoleshentin gjatë gjithë kësaj etape të jetës. Por është po ashtu me shumë ndikim, që pikërisht kjo është mosha kur ata përfshihen me dëshirë dhe vullnet në situata dhune e konfliktualiteti, që janë shumë të rrezikshme për moshën, shëndetin dhe zhvillimin e personalitetit të tyre. Mua më duket se në mënyrë të sintetizuar, dështimi ynë për të komunikuar, marrë vesh dhe kuptuar reciprokisht me adoleshentët tanë, është mungesa e aftësisë, taktit, mjeteve, mënyrave që duhen për të kultivuar tek ata “ndjenjën e kufirit”, për të kontrolluar dhe vënë rregull mbi dëshirat e shumta, shpesh kaotike të tyre.
Këtu është dobësia dhe merita edukative në marrëdhëniet me adoleshentët. Pikërisht krijimi i ndërgjegjësimit të tyre për të kultivuar “vijën edukative” dhe “sensin qytetar” të ndarjes midis asaj që është e lejuar nga ajo që është e ndaluar, që është moralisht e realizueshme nga ajo që është qytetarisht e pamundur. Padyshim është prioritare detyra që ne të rriturit, prind, mësues, edukatorë, bashkë me institucionet e edukimit dhe autoritetit social, duhet të bëjmë atë që na takon. Të luftojmë në radhë të parë dhe të bëjmë atë që duhet, për t’i mbrojtur adoleshentët nga “vetja”, nga rreziqet e shumta, të njohura e të vështira, që lidhen me moshën dhe nivelin e pamjaftueshëm të pjekurisë së tyre.
Është fakt që adoleshentët janë bërë tashmë “brez problematik” me risqe, zhbalancime dhe kontroversa sociale të personalizuara brenda vetes, me veten dhe me të tjerët. Natyrisht, problematika e përballjes së familjes dhe shoqërisë me adoleshentët është mjaft e gjerë. Por ajo që përbën një pikë kruciale, që në një farë mënyre ka filluar të vendoset në qendër të debatit social, psikologjik dhe akademik, është nevoja e rishikimit të inkuadruar të tipareve moshore të lidhura me shoqërinë, ndikimin e gjerë, gjithëpërfshirës të faktorit kulturor.
Roli i kulturës së familjes, shkollës dhe shoqërisë është vendimtar, për të gjithë periudhën e adoleshencës. Sociologjia moderne e vlerëson shumë këtë raport të adoleshentit me shoqërinë dhe kulturën nga që ata sipas tyre (Habermas) “deri në adoleshencë ushtrojnë një ndikim strukturëkrijues, rritës…” Ka një problem jo të vogël të raportit të adoleshentëve me shoqërinë dhe kulturën, sepse ata mbajnë një qëndrim të dyfishtë, herë si vëzhgues dhe herë si pjesëmarrës në jetën sociale. Adoleshentët e sotëm kanë probleme të natyrshme me të kuptuarit e rolit dhe pozicionit të tyre shoqëror. Të kuptuarit shoqëror të jetës nga adoleshenti, është sa proces i njohjes individuale, po aq dhe meritë e kushteve që e integrojnë në jetën sociale.
Procesi i natyrshëm i vëzhgimit të vetes, që është sjellje tipike për moshën e adoleshencës, është i lidhur me veprimin interaktiv dhe integrues në shkollë, familje dhe shoqëri. Këtu qëndron një nga problemet e mëdha që ka të bëjë me mospërputhjen e sasisë së gjerë të dijeve dhe njohurive të shumta që kanë adoleshentët e sotëm dhe ruajtjes së tyre përtej perceptimit individual, duke e kthyer atë në një material të ruajtur kulturor me vlerë sociale, që është përtej individualitetit të adoleshentit të veçantë. Këtë duhet të synojnë familja dhe shkolla, prindërit dhe mësuesit e tyre, si mjet për të bërë të mundur përballimin e “furtunave moshore” krejt të natyrshme të adoleshentëve. Sepse është moment shumë i vështirë të merresh vesh, të mirëkuptohesh me fëmijën adoleshent, kur ai është duke kaluar nëpër këto “furtuna moshore”.
Ata nuk mund t’i imponosh apo akoma më keq, t’i dhunosh në emër të paternalizmit apo autoritetit arkaik si prind apo mësues. Përkundrazi, adoleshentët janë më të qetë dhe edukativisht më të suksesshëm, kur ndihen të vlerësuar prej tyre. Kjo ndihmon në rritjen e ndjenjës së vetëvlerësimit dhe kjo metodë empatike e interaktive është shumë e rëndësishme, në rrugën e formimit të identitetit të tyre si qytetar të ardhshëm. Kjo është arsyeja pse shpesh konfliktet e pamenaxhuara, bëhen shkak për konflikte prind-fëmijë në familje dhe mësues nxënës në shkollë, të cilat jo vetëm provokojnë instrumentalizimin e marrëdhënieve, por mbi të gjitha bëhen barrë emocionale me kosto degraduese psikologjike të konsiderueshme.
Edukimi i tyre bëhet me prindër dhe mësues komunikues dhe jo paternalistë dhe “invadues”. Koha kërkon të njohim më mirë “ligjet e adoleshencës” dhe kjo kërkon marrëdhënie sinqeriteti me ta. Adoleshentët nuk mund të shtypen. Me ta mund të kesh sukses vetëm duke komunikuar…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.