Shekulli 21 është pa dyshim shekulli i inovacionit, zhvillimit dhe ideimit. Trendet e teknologjisë, edukimit dhe ekonomisë po shkojnë drejt automatizimit. Ky revolucion nëpër të cilin po kalon bota, dhe që më së shumti po ndihet tek vendet e punës, nuk do të ishte i mundur pa përgatitjen e një gjenerate të re, e cila në të ardhmen ka për të qenë instrument i lulëzimit të një bote moderne dinamike.
Kur themi përgatitjen e të rinjve për një shoqëri dhe ekonomi të re, i referohemi disa aftësive, të cilat janë jetike në rritjen individuale të secilit prej tyre, fizikisht dhe mendërisht, dhe përfitimet nuk ndihen vetëm tek individi, por edhe tek ata që e rrethojnë.
Këto aftësi quhen ndryshe edhe si “Aftësitë e Shekullit 21”, një listë e gjatë aftësish të buta, aftësitë mësimore, aftësitë e shkrimit, leximit dhe aftësi të jetës. Janë një përbërje prej 12 aftësish, të cilat do të ndihmojnë gjeneratën e re të notojë në ujërat e epokës së informacionit.
Aftësitë mësimore
- Mendimi kritik: për të gjetur zgjidhje unike për probleme moderne
- Kreativiteti: të mendosh jashtë kutisë dhe të angazhohesh në inovacione që ndihmojnë zhvillimin global
- Bashkëpunimi: të mësosh sesi të bashkëpunosh dhe të punosh me të tjerë me një shpirt ekipi
- Komunikimi: të jesh i aftë t’u transmetosh idetë e tua të tjerëve dhe të kuptosh perspektivën e të tjerëve gjithashtu
Aftësitë shkrim-lexim
- Shkrim lexim i informacionit: të kuptosh faktet, të dhënat, statistikat dhe ilustrimet
- Shkrim lexim mediatik: të kuptosh mediumet, procedurat dhe platformat tek të cilat informacioni publikohet dhe shpërndahet
- Shkrim lexim teknologjik: të kuptosh mënyrën sesi teknologjitë në funksion janë motorët e vërtetë të epokës së informacionit
Aftësitë e jetës
- Fleksibiliteti: të jesh i aftë të bësh disa gjëra dhe të kesh më shumë se një plan A
- Lidershipi: të inkurajosh ekipin drejt arritjes së objektivave dhe të mbash fijet bashkë kur duket se po këputen
- Iniciativa: të fillosh strategji, projekte dhe planifikime
- Produktiviteti: të shfrytëzosh sa më mirë kohën dhe të ruash efikasitetin në epokën e shpërqendrimit
- Aftësi sociale: të socializohesh me të tjerë për lumturinë tënde dhe të zgjerosh perspektivën.
Në një botë me konkurrencë të egër, përvetësimi i këtyre 12 aftësive të Shekullit 21 është më i rëndësishëm se kurrë më parë. Einstein kishte aftësi të të menduarit divergjent. Të gjitha arritjet e tij të mëdha ishin prej se çdo gjë e fillonte me një pyetje të thjeshtë, zgjidhjen e së cilës e lidhte me disa përgjigje të mundshme.
“Nëse kam një orë për të zgjidhur një problem dhe jeta ime varet sapo të di këtë pyetje mund ta zgjidh problemin në më pak se prej tij, do të shpenzoja 55 minutat e para duke formuluar pyetjen e duhur dhe 5 minuta”- thotë gjeniu Albert Einstein
A keni parë ndonjëherë një konkurs ku jeni habitur nga sasia e informacionit që konkurruesit mund të mbanin mend? Pyetja që bëni është sesi mundet i gjithë ai informacion të jetë i disponueshëm kurdoherë për ju, pa pasur nevojë të mbështeteni tek enciklopedia moderne, Google.
Por ndaluni dhe mendoni për një sekondë. Çfarë të mirash të sjell gjithë ai informacion, nëse nuk jeni të aftë ta përdorni? Çfarë të mire ka për ju që dini se presidenti i 17-të i Shteteve të Bashkuara ishte Andrew Jackson, nëse nuk kuptoni rëndësinë dhe impaktin e presidencës së tij për kombin amerikan pas vrasjes së presidentit Abraham Lincoln?
Të kuptosh dhe të krahasosh atë periudhë kohore brenda kontekstit historik do të ishte më e rëndësishme. Bazuar në atë informacion ne mund të marrim vendime në të ardhmen. Aftësitë njohëse dhe procesi mendor gjatë të cilit ne analizojmë, ekzaminojmë, shqyrojmë dhe eksplorojmë për të formuluar një opinion ose veprime bazuar në njohurinë e përvetësuar është ajo çfarë quajmë mendim kritik.
E thënë thjeshtë: zgjidhja e problemeve, kreativiteti, vendimmarrja, planifikimi organizativ dhe personal, strategjitë, inovacionet arrihen përmes një procesi mendimi kritik. Në fund mendimi kritik është aftësia për të parë botën nga një këndvështrim objektiv dhe jo nga pikëpamja e dikujt tjetër.
Gjuha e Shekullit 21, që do të bashkojë Botën!
Shqipëria është një vend i vogël, por me histori të gjatë emigracioni. Për këtë arsye, na është dashur të mësojmë shumë gjuhë. Por sa e njohim ne gjuhën e së ardhmes, e cila do të bashkojë Botën përmes saj? Në të vërtetë, lufta e analfabetizmit dixhital, ose ndryshe “digital literacy” është një ndër fushatat më të fuqishme globale që do të fuqizojë të rinjtë e shekullit që po troket.
Le të analizojmë disa arsye: përse kodimi apo programimi dhe teknologjia e vetvetes nxisin disa nga aftësitë më të rëndësishme për një shoqëri moderne, siç është ajo e të menduarit kritik.
“TË GJITHË NË KËTË VEND DUHET TË MËSOJNË TË KODOJNË, SEPSE JU MËSON TË MENDONI” STEVE JOBS
A keni menduar ndonjëherë rreth asaj çfarë Steve Jobs po përpiqej të thoshte me këtë thënie? A ka të bëjë me kodimin? A duhet të gjithë të shkruajnë kod? A duhet të jenë të gjithë programues? Jo, aspak. Ka një keqkuptim të madh me lëvizjen “Kushdo duhet të mësojë kodim”. Shumica e njerëzve e shohin mësimin për të shkruar kode kompjuterike si destinacionin final dhe se puna e tyre ka për të qenë shkrimi i kodit. Por në të vërtetë nuk është kështu. Një programues është i aftë të zgjidhë probleme. Programimi ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve, sepse mbulon një set aftësish, të cilat kanë përdorshmëri në përditshmërinë tonë.
Ato janë aftësi, të cilat fëmijët e gjeneratës së re po i humbasin në edukimin e tyre. Kodimi është një mjet që zhvillon aftësinë e të zgjidhurit të problemeve. E thënë shkurt, edhe një mjek, një sociolog, jurist apo ekonomist i ardhshëm, duhet ta mësojë kodimin si çdo njohuri tjetër e domosdoshme në jetë, siç është matematika apo gjuha amtare.
Programimi dhe fëmijët
Imagjinoni këtë skenar, prindërit kthehen në shtëpi të lodhur nga puna dhe menjëherë shohin çantën e shkollës së fëmijës së tyre mbi tavolinën e bukës. Ata e gjejnë fëmijën duke luajtur një video lojë në kompjuter ose iPad dhe fillojnë të mendojnë “Pse ia kemi blerë këtë pajisje? Më mirë të studiojë.”
Kjo narrativë duket e dëgjuar diku. Pa mendoni pak sikur fëmija juaj të krijojnë vetë aplikacionin e tij? A do të ndryshonte kjo qasjen e prindërve ndaj edukimit dhe kompjuterëve, si programimi do të ndikonte te fëmija dhe studimet e tij?
Pse prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve kodimin?
Eliminon hendekun mes punës dhe argëtimit | E gjithë ideja e të mësuarit në mënyrë efektive është eliminimi i hendekut të njohurive dhe argëtimit. Të mësosh të programosh lidhet me ngushtë me programimin e gjërave që pëlqeni.
Nxit kreativitetin | Kur kemi qenë fëmijë gjithmonë kemi gjetur mënyra kreative për t’u argëtuar. Edhe pse shkollat përpiqen të mbajnë këtë kreativitet të gjallë, kur u kërkohet të mbajnë mend një libër të tërë, aty është vrarë koncepti “think out of the box”.
Mësojnë sesi të integrojnë subjekte të ndryshme | Programimi nxit lidhjen me një pjesëz informacioni dhe një fjalë apo objekti të lehtë për t’u mbajtur mend. Krijimi i lidhjeve mes subjekteve çimenton kujtesën e fëmijëve.
E kuptojnë se dështimi është ajo çfarë kanë nevojë | Çdo programues e di se sa gabime ka bërë në të kaluarën në kodin e vet, madje shumë më tepër sesa puna e tij. Programimi u mëson fëmijëve sesi të menaxhojnë gabimet. Sa herë që ngecin diku, fëmijët do të kthehen pas për të parë se ku kanë gabuar dhe kështu ndërtojnë qëndrueshmëri.
Përmirësojnë vëmendjen dhe përqendrimin | Ndërsa është një keqinterpretim se të programosh do të thotë se keni për të qëndruar për orë të tërë përballë një ekrani, nga ana tjetër programuesit shpenzojnë minuta duke parë një aspekt të vetëm të programimit. Kështu ata forcojnë përqendrimin dhe vëmendjen duke i ndihmuar ata edhe te studimet në shkollë.
Një program rajonal për edukimin i shtrirë në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili ka në fokus “Shkollat e Shekullit 21” është pikërisht ajo për çfarë po flisnim më lart. I dizenjuar dhe i implementuar nga Këshilli Britanik, dhe i mbështetur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ky program dëshmon akoma më shumë për rëndësinë dhe besueshmërinë që duhet t’i kushtojmë ne prindërit e fëmijëve të Shekullit 21. Si konsulent i inovacionit, kam pasur fatin të jem dizenjues i shumë kurrikulave mësimore për fëmijët e moshave 7-15 vjeç në kodim dhe robotikë. E them me bindjen e plotë se mbështetja dhe besimi duhet të jetë i pakursyer ndaj nismave të tilla. Programi i “Shkollave të Shekullit 21” përmban pikërisht kurrikula të misrë-menduara e të dizenjuara nga ekspertë të fushës ku përmes pajisjeve mikrobit të financuara nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, fëmijët shqiptarë do të kenë qasje të njëjtë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre anembanë Botës perëndimore, dhe kështu duke vënë në zbatim praktikat më inovative, ata do të jenë kritikë në mendimet dhe vendim-marrjet e tyre, do të jenë bashkëpunues, elastikë në qëndrimet e shoqërisë ose ndryshe të ashtuquajtur “resilient citizens”, qytetarë të denjë dhe konkurrentë të Shekullit 21.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.