FB

March 16, 2022 | 8:20

Agorafobia, frika për të dalë nga shtëpia

“Ajo që kishte më shumë frikë ishte se e gjithë kjo fshehje e kishte bërë të pamundur që ai të gjendej përsëri”, John Corey Whaley

Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike
Çfarë është Agorafobia?

Një vijë e hollë e ndan të friksuarin e vetmuar nga ankthi agorafobik.  Frika shndërrohet në fobi kur përgjigja mendore dhe fizike – ankthi – është aq i madh sa e dobëson individin duke e bërë aq të pafuqishëm dhe të paaftë sa i merr kontrollin duke ndërhyrë në jetën e përditshme të tij.

Agorafobia, një nga tipet e çrregullimeve të Ankthit, karakterizohet nga një frikë ekstreme për të dalë në mjedise jashtë shtëpisë që perceptohen të pasigurta: hapësira të hapura, transport publik, qendra tregtare, ashensorë, koncerte, etj. Këto ambiente shmangen nga frika për të mos pësuar Sulme Paniku, për të mos u ndjerë të bllokuar/ të pa ndihmuar apo nga frika për të mos u turpëruar…e rrjedhimisht individi izolohet në shtëpi.

Shumë nga simptomat fizike të agorafobisë përjetohen në trajtën e Sulmeve të Panikut me simptoma të tilla si:

  • të përziera
  •  dridhje
  • marramendje
  • djersitje
  • dhimbje gjoksi
  • takikardi
  • trazira në stomak
  • diarre etj.

Ndjenja e panikut nuk do të thotë se keni patur sulme paniku.  Simptomat e mësipërme së bashku me sjelljen shmangëse, frikën e paarsyetuar të humbjes së kontrollit, nevoja për të qenë i shoqëruar kur del nga shtëpia- nëse janë të qëndrueshme për gjashtë muaj dhe kanë dëmtuar funksionimin normal të individit mund të çojnë drejt një diagnoze më të qartë klinike.

Ankthi i ndarjes, PTSD dhe Çrregullimi Depresiv mund të japin të njëjtat simptoma por klinicisti e ka më të lehtë diagnozën diferenciale. Agorafobia është parë se shoqërohet dhe me çrregullime të Depresionit, Çrregullime të Abuzimit me substancat, ideime suicidale, çrregullimet kompulsive të blerjeve etj.

Njerëzit që jetojnë me agorafobi zakonisht e zhvillojnë atë pasi kanë përjetuar një Sulm Paniku, prej të cilit frikësohen aq shumë sa mund të bëhet shkas që të prodhojë  një tjetër Sulm  – duke e futur individin në një rreth vicioz frike që vetë-gjeneron frikë e që përsëritet e përsëritet…

Rrjedhimisht, individi mund të shmangë vajtjen në çdo vend ku beson se mund të ndodhë një sulm tjetër paniku. Disa mendojnë se kur një mik apo i afërm shkon me ta në një vend publik, e kanë më të lehtë të largohen nga shtëpia dhe ndihen më pak të shqetësuar. Megjithatë, siç u përmend më lart, disa kanë një frikë aq të madhe saqë përfundimisht shmangin fare largimin nga shtëpia e tyre.

Trajtimi i agorafobisë

Në varësi të shkallës së rëndesës dhe dëmtimit të funksionimit të përditshëm, çrregullimi trajtohet me psikoterapi (kryesisht ndërhyrjet CBT) nëpërmjet të cilave terapisti ndihmon individin se si të njohë frikërat dhe si të përballet me to.

Farmakoterapia me antidepresante ka rezultuar efikase për rastet e rënda, në termat afatgjatë, kundrejt bezodiazepinave që rekomandohen vetëm për ndërhyrje të shkurtra në kohë për shkak se krijojnë varësi nëse merren për një kohë të gjatë (Loram,Xanax, Librium etj).

Gjatë trajtimit duhet patur kujdes sepse antidepresantët mund të shkaktojnë Sulme paniku të fuqishme në ditët e para të mjekimit prandaj kërkohet një bashkëpunim mjek pacient dhe mbikqyrje e rregullt e veprimit të tyre.

Është e rëndësishme të dini se mjekimi nuk është një “zgjidhje e shpejtë”. Mund të duhen javë që t’i ndjeni efektet dhe mund t’ju duhet të provoni disa ilaçe të ndryshme përpara se të gjeni atë që funksionon për ju – kjo është arsyeja pse terapistët dhe profesionistët e shëndetit mendor inkurajojnë psikoterapinë dhe njëkohësisht farmakoterapinë vetëm për rastet e rënda.

Pse duhet të merret seriozisht trajtimi i çrregullimit?

Përveç faktit për të mos qenë në gjendje për të dalë nga shtëpia, agorafobia mund të çojë individin në depresion klinik dhe abuzim me substanca. Sa më gjatë të vuajë pa u trajtuar, aq më shumë ka gjasa që ai të zhvillojë çrregullime të tjera të shëndetit mendor si dhe probleme shëndetësore shtesë, ndaj duhet të trajtohet sapo të fillojnë të shfaqen simptomat.

Përballuni me frikën tuaj. Gjëja e ndërlikuar me ankthin dhe panikun është se sa më pak të përballeni me frikën tuaj, aq më shumë ato priren të përkeqësohen. Mos lejoni që frika të marrë kontrollin e jetës tuaj. Mos harroni, ju kontrolloni jetën tuaj. Miliona njerëz përballen çdo ditë me të njëjtat frikëra si ju.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top