FB

December 17, 2022 | 16:31

Ajo është Tinka!

Nga Leonard Veizi

Ajo është Tinka.
Në skenën e teatrit dhe në sheshin e xhirimit, portreti i saj në pelikulën e filmit ka memorizuar me dhjetëra imazhe personazhesh. Kujtesa është aty, e gjallë, vetëm një hap larg, dhe gjithçka shfaqet e pandryshueshme si 60 apo 65 vite më parë.

48368343_10155676137092121_3659646379136909312_n
Ajo është Tinka, unike, universale.
Ishte 16 vjeç kur hipi për herë të parë në një skenë teatrore. Ishte 88 kur interpretoi për herë të fundit përpara një kamera digjitale. Tanimë është 90-të, por askush nuk është në gjendje të parashikojë se çdo të ndodhi më pas. Vetëm një gjë dihet me siguri të plotë se ajo është aq vitale sa nuk do të kundërshtonte asnjë regjisor për për të interpretuar një rol të ri. Dhe asnjëherë ai rol nuk do të jetë i fundit i saj.

image-w856

Ajo është Tinka.
Gjyshe Patra që ajo luajti në vitin 1979 dukej shumë më e moçme se sa Tinka është sot.
Me gjithë problemet që ka pasur në jetë ajo nuk është rrëzuar e ka ditur të mbahet plot dinjitet në këmbë.
Sepse ajo është Tinka.

800-0-c2e3635fd79447e5dd29afaf12c5619a

E butë dhe e fortë. Vajtuese dhe gazmore.
Ajo ishte Nënë Pashakoja tragjike tek “Yjet e netëve të gjata” dhe krejt komike si nëna e djalit tek “Çifti i lumtur”.
-Pesëmbëdhjetë kile femën… jo, jo. Nuse ishte ajo e mbrëmshmja. Nuse që ta mbush shtëpinë.
Tinka Kurti është padyshim një nga ikonat e filmit dhe të teatrit shqiptar. Aktore që për shkak të diapazonit të saj mund të përtypte gjithfarë rolesh, qëndrore dhe episodike, dramatike dhe nga ato plot humor.

tinka-kurti

Në jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se Tinka Kurti, u lind në Sarajevë të Bosnjës, më 17 dhjetor 1932. Por vetëm pak vite më vonë familja do të shpërngulej në Shkodër. Nëse i ati Dedë Kolë Thani ishte me origjinë nga zona e Nikaj-Mërturit, e ëma Elisabet fon Balinda ishte nga Budapesti i Hungarisë.
Do të ishte protagoniste që në fillimet e kinemasë shqiptare me filmin “Tana” prodhuar në vitin 1958. Një puthje e dhënë prej saj në këtë film pionier të kinemasë shqiptare, do të mbetej gjatë në kujtesën e telespektatorit, sepse pas kësaj puthja në film a në skenë do të vlerësohej si “shfaqje e huaj” e nuk do të përsëritej më.
Por ajo e bëri, sepse është Tinka.

tinka-700x450-700x433-1-700x430

Një rol tjetër emblematik i saj është edhe ai i sinjorina Mançinit tek “Vajzat me Kordele të kuqe”.
-Ide e bukur sinjor Bartolini. Që këtej e tutje do të jenë në një kafaz të vërtetë dhe zogu në kafaz nuk këndon për gaz por për maraz.
Megjithëse jetonte në veri të Shqipërisë, Tinka Kurti kishte një përshtatje të jashtëzakonshme me një grua jugu. Dhe kështu ajo u përfaqësua jo vetëm me rolin e nënë Pashakos, por dhe atë të nënës së Halit Beratit tek “Gjeneral gramafoni”, nënës së Sakos tek “Dasma e Sakos” apo nënës së Verës tek “Në fillim të verës”.
-U, Shpëtimi… po si je mor bir? Ku je se na i thave sytë. Nëna, zonja krushkë si është? Lodhet?
Dhe kështu fare mirë ajo mund të cilësohet dhe si një aktore nënë, për shkak të roleve të shumta. Sepse ishte dhe nëna tek “Zemra e nënës” nëna e Kujtimit tek “Qortimet e vjeshtës”, nënë e Neritanit tek “Telefoni i një mëngjesi”, nënë e Tomës tek “Flutura në kabinën time”, nëna e Agronit tek “Hije që mbeten pas”. Dhe po aq ishte dhe nëna e Ilirit tek “Guximtarët” që ndiqte autobusin me vrap në tentativë për t’i dhënë djalit alpinist një xhaketë të harruar në shtëpi.
E megjithatë ajo është Tinka, gjithsesi.
Ndërkohë që në rolin e Patra Balltajt, tek filmi televiziv “Emblema e Dikurshme” , Tinka Kurti në moshë 47-vjeçare, interpretonte një grua që jetonte thellësinë e moshës së saj.
-Asnjë sy i gjallë, asnjë. Mos më lini të gënjej se jam plakë. Po atje ka një dru arre. Atë natë kishte vetëtima apo jo? Arra është plakë si unë. Shkoni dhe çajeni në mes drurin e arrës. Se arra shikon në dritën e vetëtimave. Dhe atë që shikon arra e mban mend për tërë jetën.
Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension Tinka Kurti ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Në 60 vite jetë skenike ajo ka regjistruar më shumë se 35 filma artistikë si dhe të paktën 150 shfaqje teatrore. Mbahen mend mirë nga spektatori roli komik i saj si Domenika tek komedia “Këshilli i ndrikullave” dhe po aq nëna e Blertës tek drama “Fejesa e Blertës”. Kjo veprimtari vitale e ka bërë që të marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Ndërkohë që është e vlerësuar me titujt “Artiste e Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2003, regjisori Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj.
Dhe ajo është Tinka.
Edhe pse 88 vjeç, gjatë vitit 2020, Tinka Kurti iu rikthye kinemasë pasi pranoi propozimin e regjisorit Eduard Grishaj për të marrë një rol në filmin e tij “Sofia”.
Sepse ajo mendon se ende nuk e ka dhënë të plotë të gjithë potencialin e saj.
E tanimë ka mbetur postulat mesazhi i dhënë prej saj dhe i shpërndarë masivisht në rrjetet sociale: “Nuk e kam frikë, frikën, aq më pak vdekjen! I trembem pleqnisë së trunit… Në rast se ajo vjen një ditë kam vdek dy herë”.
Ndaj ajo është Tinka.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top