Sekreti më i madh i përsosmërisë së racës njerëzore, përgjigjen e vetë e gjen, te problemi i edukimit. Kanti
Veprime për formimin e njeriut, për ta mësuar dhe udhëhequr atë drejt pjekurisë, në aspektin e formimit intelektual, marrjes së njohurive psikologjike, për të njohur dhe kontrolluar sjelljen e njeriut, si dhe për të përshkruar lidhjen e nevojave emocionale të individit me mjedisin social., vlerave morale të cilat kërkojnë që njeriu të shkojë drejt së mirës supreme, virtytit e të tjera është EDUKIMI.
Qëllimi i edukimit është fillimisht motivimi dhe krijimi i mendimit të arsyeshëm për t’u arsimuar në të gjitha nivelet e sistemit arsimor dhe pastaj, për t’u përshtatur në shoqërinë e emancipuar demokratike dhe më tej, formimi për të gjykuar në mënyrë vetjake dhe të lirë, si dhe për të ndërtuar një vijë sjellje që të përcjellë kulturë, qytetari. Ku patjetër dhe domosdoshmërisht të shoqërohet me të qenit aktiv sa dhe i suksesshëm në marrëdhënie njerëzore, të nisura nga arsyeja praktike e cila është e aftë të përcaktojë konkretisht dhe bindshëm se si ne duhet të sillemi, duke vendosur e praktikuar pikërisht atë që duhet të jetë vija e sjelljes sonë, duke manifestuar, frymën ligjore, parimet morale, normat etike, shijet estetike tej.
Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia S. Larti
Edukimi bazë realizohet me marrje njohurish teorike, formim sa më të plotë profesional, edukim të mirëfilltë bashkëkohor, nëpërmjet përgatitjes së gjerë dhe të shumanshme. Duke përvetësuar nga ana teorike sa dhe praktike lëndët, modulet e deri kurrikulat nëpër shkolla dhe universitete. Ku në këtë sens ky formim do të ndikojë, për të siguruar një jetë sa më cilësore dhe humane sa dhe sociale. Sigurisht në këtë këndvështrim, duhen njohur dhe vlerësuar hapësirat sa ligjore dhe ato morale në kontekstin e lirive dhe të drejtave të njeriut, diversitetit, çështjeve gjinore etj. Domosdoshmërisht këto duhen parë me pikësynimin, për ta vlerësuar me përgjegjësi angazhimin e ecurisë së jetës sa më normale nëpërmjet veprimtarive të suksesshme në aspektin ekonomiko-shoqëror në interes të vetes, familjes dhe gjithë komunitetit, ku jeton dhe vepron.
Vend në programet mësimore duhet të zërë vend dhe “Edukimi shoqëror”, i cili ka si qëllim të favorizojë procesin socializmit pozitiv jo vetëm brenda hapësirës së komunitetit të cilit i përkasin, nxënësit, kursantët, studentët por edhe një konteksti edhe më të gjerë social.
I.Konceptualiteti dhe roli i edukimit për formimin e adoleshentëve dhe fëmijëve
“Edukimi nuk është përgatitje për jetën; por është, vetë jeta..! “ Xhon Djui
A.Konceptualiteti për edukimin
Si çdo shkencë, formimdije, e çdo fushë tjetër e caktuar bashkudhëtare e jetës, ka filozofinë e vet, sikurse dhe fusha e edukimit. “Filozofia e edukimit”, pavarësisht emërtimit disiplinor, e cili daton që nga shekulli i XIX-të, por ama, me një fillesë që me Platonin dhe Aristotelin, pra, duke pasur pikënisjen që nga shekulli IV-t, para Erës sonë e më tej duke u lëvruar pothuajse pandërprerë gjatë gjithë zhvillimeve të mëvonshme ekonomiko-shoqërore. “Filozofia e Edukimit”, u profilizua në mënyrën më të larmishme qoftë përsa i përket, konceptualitetit por dhe përkufizimit disiplinor. Në këtë kontekst, duke ju referuar qëllimeve, por sigurisht pa anashkaluar zhvillimet e një fizionomie dhe strukture në aspektin unitar, parë kjo, në kontekstin e rrafshit disiplinor, si dhe e përqendruar te marrëdhënia e ndërsjellë bi-polare physispsyche, natyrë-arsye, trup-mendje. Kjo marrëdhënie e ndërsjellët bi-polare na shpjegon qartazi edhe arsyet se përse përvijimi i “filozofisë së edukimit”, si një disiplinë e mëvetësishme zuri vend shumë shekuj më vonë. Falë bi-polarizimit të saj strukturor, “Filozofia e Edukimit”, shihej dhe shihet si pjesë jo vetëm e njohjes, por edhe e etikës dhe politikës. Edukimi i njeriut ishte dhe është pjesë përbërëse, madje programatike e përgatitjes së tij qoftë si qenie individuale, qoftë dhe si qenie shoqërore. Sikurse dhe përgatitja fizike, si dhe ajo mendore e njeriut, ishte dhe është një proces që programohej dhe programohet, që zinte dhe zë vend nën dritën e kontributeve dhe përfitimeve që kjo përgatitje i sillte dhe i sjell shoqërisë.
Procesi i edukimit shpërfaqej dhe shpërfaqet si pjesë e një synimi mbi atë individual. Pra, në këtë kontekst synohej dhe synohet ecuria dhe rritja e përvijimit të një shoqërie dhe të një jete sa më cilësore, në përsosje të vazhdueshme, në aspektin e mirëqenies dhe për të qenë njeriu sa më i kulturuar dhe sa më i lumtur.
Kur një shoqëri humbet besimin te vlerat e edukimit, ajo humbet shpirtin e qytetarisë, humbet çdo formë të saj dhe transformohet në një gjendje pa formë dhe përmbajtje që nuk lëshon rreze shprese por mbjell vetëm, pa siguri, agresivitet dhe injorancë qytetare.
Nëse ne duam të përmirësojmë shëndetësinë, ne duhet të edukojmë doktorët, studentët, pacientët, me dije të reja, me kërkime shkencore, me vlera humane, të cilët janë vazhdimisht në kërkim të dijes dhe përmirësimit të shëndetit fiziko-mendorë.
Nëse duam të ndërtojmë risi në çdo fushë të shoqërisë, duhet të ndërtojmë institucione, si: shkolla, gjimnaze, universitete, laboratorë, të cilat do të krijojnë njeriun e së ardhmes, duke hequr dorë nga të menduarit pa vlera.
Sëmundja e fokusimit drejt botës materiale dhe vlerësimi i individit vetëm nga paraja, krijon një shoqëri pa vlera humane, sociale, me ndjenja pangopësie dhe për t’u pasuruar, në rrugë jo të ndershme, e cila qëllimin parësor ka për zhvatjen e gjithçkaje që i del përpara. Kjo jo vetëm rrit kriminalitetin, por krijon një injorancë totale në mendësinë e çdo individi ku antivlerat shndërrohen në vlera, ku imoraliteti shndërrohet në moral, ku antiligji shndërrohet në ligj dhe krijon një krizë të thellë psikike, ku shformon dhe tjetërson mënyrën e të menduarit dhe shkatërron koshiencën dhe vetëdijen qytetare.
A është e drejtë që ne sot merremi më tepër me analiza jo reale, duke mos ju referuar rezultateve, pa evidentuar mangësitë, përgjegjësitë jo reale dhe harrojmë që të merremi me thelbin real të problemeve, të cilat diktojnë planifikimin dhe realizimin e formave edukuese si:
Pranimin dhe angazhimin për të qenë aktiv në edukim!
Praktikimin e punës për një vetëdukim cilësor!
Krijimin e Mendimit Kritik!
Zgjimin e Mendjes!
Iluminim Njerëzor!
Zhvillim ekonomiko-shoqëror!
Harmoni dhe bashkëpunim për interesat e shoqërisë!
Besim tek Njëri-Tjetri!
Të gjitha këto kërkojnë investime strategjike me sfond “Edukimin”, i cili ka ndikim të konsiderueshëm për përgatiten e brezave të ardhshëm me angazhimin për t’u marrë dhe zhvilluar shkencën, përftuar dijet, aplikimit të tolerancës së kulturuar, pranimin e risisë.
Në lidhje me këto, të gjithë studiuesit, intelektualet bien dakord në krijimin e “Fondit të Mendimit”, i cili ka mundësinë reale që të shkundë çdo pluhur dhe mëri të së kaluarës dhe me një synim të qartë, duke parë përpara drejt një të ardhmeje më me vlera dhe standarde të mirëpranuara. Në këtë mënyrë ariet të ndërtohet “Tempulli i Dijes”, i cili do të jetë efektiv, me një ndikim mjaft konkret për zhvillimin ekonomiko-shoqëror me nivel cilësor dhe ritme sa më të shpejta, drejt një jete sa më cilësore dhe sa më të kulturuar, duke u bërë e prekshme për mbarë qytetarët.
Edukimi dhe vetëm edukimi mund të ndryshojë mënyrën e të menduarit nga i cekët, te ecja përpara, drejt vlerave më të arrira bashkëkohore që na ofron qytetërimi i vendeve perëndimore të zhvilluara me demokraci të konsoliduar. Është e vetmja “armë” e ndërgjegjësimit qytetar, e cila mund ta kthejë shoqërinë drejt vlerave, të humanizmit dhe risisë sociale.
“Edukimi për qytetari demokratike” nënkupton edukimin, trajnimin, ngritjen e vetëdijes, informimin, praktikat dhe veprimtaritë që ato synojnë përmes pajisjes së nxënësve me njohuri, aftësi dhe qëndrime dhe sjellje që i aftësojnë dhe i fuqizojnë ata për të ushtruar dhe për të mbrojtur të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shoqëri, për të vlerësuar diversitetin dhe për të luajtur një rol aktiv në jetën demokratike, për mbrojtjen dhe përparimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe atij të së drejtës”.
B.Kuptimi për edukimin, edukatën dhe si t’i realizojmë këto?
Në qoftë se bëni plane për ecurinë e jetës vendin e parë në të duhet ta zërë: edukimi
a.Edukimi
Edukim (nga lat.ducer, me udhëheq), veprim i cili ndikon në formimin e një fëmije, të rrituri dhe i “udhëheqjes” së tij drejt formimit dhe pjekurisë. Ky term, sikurse vihet re nga etimologjia e tij, përmbledh në tërësinë e vet, aspektin intelektual, psikologjik, social, human, moral, kulturor tej., pra ndikon në ndërtimin e vijës së sjelljes së njeriut, me standardet më të larta, ide dhe vizione të perspektivës, që t’i përgjigjet dhe lartësojë zhvillimet dhe arritjet e shoqërisë, nëpërmjet, aplikimit të arritjeve profesionale, vlerave intelektuale, normave, rregullave, qëndrime dhe zgjidhjes së dilemave, në mënyrën më të drejtë që t’i shërbejnë shoqërisë.
Parimet e edukimit ndryshojnë sipas konceptit që kemi ne për njeriun dhe ecurisë së tij në jetën e marrëdhëniet shoqërore, duke iu referuar individualiteteve, karakterit, personalitetit, nivelit intelektual, kulturor tej., dhe mbi këtë bazë njohjeje ndërtohet puna edukative, në mënyrë individuale dhe si grup.
Në këtë kontekst Rabëleja donte: “një kokë të mbushur mirë”. Montenji preferonte: “një kokë të mbushur mirë”. Rusoi këmbëngulte në ndihmesën e natyrës duke cilësuar se: “pamja e natyrës e frymëzon shpirtin njerëzor me parimet më të thjeshta të moralit”. Ogyst Konti, përkundrazi theksonte ai: “duhet që t’i jepte më shumë rëndësi rolit të shoqërisë në krijimin dhe riformimin e mendjes në drejtimin e duhur”.
Në ditët e sotme qytetërimi modern kërkon specialistë me një formim gjithnjë e më të ngushtë teknik, nga ana tjetër pranohet se vetëm një edukim i përgjithshëm dhe humanist mund të formojë punonjës me nivel teknik të pranueshëm, që të jenë në gjendje “t’u përshtaten” vazhdimisht përparimeve të vazhdueshme të ndryshimeve të botës moderne.
Qëllimi i edukimit është fillimisht arsimimi, pastaj të përshtaturit në shoqëri dhe së fundi, formimi i një gjykimi vetjak të lirë. Pra, duke kultivuar dhe përkrahur mendimin kritik dhe atë ndryshe, si një qasje mjaft bashkëkohore, për të nxitur dhe programuar punën edukative, në nivelet e sistemit arsimor. Në këtë aspekt bëhet realitet dhe thënia postulat e Kantit: “ Mendimi kritik, është postulati i parë që njeriu të jetë i lirë”.
Edukimi e realizon misionin e vet, kur fëmijët e deri të rriturit aplikojnë dhe priren nga edukata, e cila ka të bëjë me respektin e dyfishtë që manifestojnë nxënësit, kursantit apo studentit, me njëri-tjetrin, por edhe ndaj mësimdhënësve. Në këtë sens dhe nxënësit, kursantët, studentët duhen të trajtohen me dinjitet nga ana e mësimdhënësve në jetën dhe marrëdhëniet në ambientet e shkollës dhe jashtë saj. Pritshmëritë në këtë aspekt duhet të jenë të qarta, reale dhe të realizueshme nga të gjithë nxënësit, kursantët dhe studentët, pra atë e të qenit një qytetar i ardhshëm me dijet e qëndrueshme teorike dhe shprehitë praktike të vetëdijshme në funksion të synimeve dhe dëshirave apo sipas profesionit të përqafuar.
Në kontekstin e të qenit i edukuar mund të themi se: Njeri i edukuar mund të jetë ai, i cili di të përdorë me arsye forcën e mendjes, pra logjikën, si dhe forcën fizike atje ku duhet. Pra, duke shprehur për të dyja rastet, domosdoshmërish duhet të mbizotërojë pjekuria apo “urtësia”, (mençuria).
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.