Shannen Doherty, aktorja që u diagnostikua me kancer të gjirit në shkurt të vitit 2015 ka ndarë lajmin pikëllues me publikun. Aktorja 45-vjeçare zbuloi në kanalin “Entertainment Tonight” se kanceri e saj është përhapur në gjithë organizmin.
“Pas njërës prej ndërhyrjeve ndaj të cilave u nënshtrova zbuluam se ai tashmë kishte kaluar në gjendrat limfatike. Për këtë arsye, jam duke bërë kimioterapi dhe më pas do i nështrohem terapisë me rreze”, rrëfen aktorja.
Doherty gjithashtu është hapur për pjesën më të vështirë të luftimeve me kancerin.
“E panjohura është gjithmonë pjesa e frikshme. A do funksionojë kimioterapia? A do funksionojë terapia me rreze? Pyes veten nëse do arrij ta kalojoj këtë luftë, apo nëse do më duhet të përballem për herë të dytë. Çdo gjë tjetër është e përballueshme. Do arrij të përballoj dhimbjen, apo të jetuarit me vetëm njërin prej gjinjve. Ajo që më shqetëson është e ardhmja dhe mënyra sesi e gjithë kjo gjë do ndikojë tek njerëzit që i dua.”
Por Doherty ka gjetur mbështetje të mahnitshme nga ekipi i saj i mjekëve, nënës së saj, miqtë më të mirë, dhe burri i saj prej pesë vjetësh, Kurt Iswarienko.
Me ndihmën e tyre ajo ishte në gjendje të kthejë një moment shpirtcopëtues në frymëzues, kur ndau me publikun fotot me kokën e rruar në fillim të këtij muaji.
Flokët e gjatë të errët karakterizonin aktoren që nga roli në serialin e famshmëm “Beverly Hills”.
“Është shumë e vështirë. Fillova të mendoj që nuk do të jetoj. Dua që të besoj se nëse luftoj me këtë sëmundje atëherë do të shërohem. Nuk e di nëse ndonjëherë do të dukem ashtu siç dukesha më herët”, ka thënë mes lotësh Doherty.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.