Marrëdhënie

April 27, 2017 | 13:22

Alban Hoxha rrëfen përvojën e të qenit prind i vetëm: E kam provuar edhe vetë rritjen pa njërin prind

Të qënit prind i vetëm , ndonjëherë nuk është vendimi i dy partnerëve. Fati  deshi që bashkëshortja e portierit të Partizanit, Alban Hoxha, të largohej nga kjo botë disa ditë pasi solli në jetë të birin, Beko. Por, pavarësisht kësaj tragjedie Albani vazhdoi përpara, duke qenë një prind i dedikuar, pa lënë mënjëanë karrierën.

albani

“Unë kam që 6 vjeç që kam filluar sportin dhe pothuajse pjesën më ta madhe të jetës e kam kaluar në fushë. Është diçka e bukur normalisht, sepse profesionin kur e dashuron është akoma më i bukur. Nuk është se nuk kam kohë për gjëra të tjera. Fillimin e javës e kemi më të ngarkuar dhe fundjava më lirshëm, por jemi me grumbullime, megjithatë gjashtë orë në ditë m’i merr…”

Baba prej dy vite e gjysmë, tashmë për Albanin ka edhe kushtëzime.

“Nuk është se kam qenë tip që bëja jetë nate apo të dilja. Kam qenë familjar gjithmonë, megjithatë që kur lindi djali është e vërtetë që duhet ta ndaj kohën me djalin, sport, ndoshta dhe ndonjë kafe, megjithatë është gjë e bukur kur kalon shumë strese (sepse sporti ka strese pafund, probleme, gjëra), sa herë mbaroj një ndeshje apo shkoj nga një humbje, që mund ta vuaj shumë shkoj tek djali dhe qetësohem aty, merresh me atë dhe hyn në botën e fëmijëve, që për mua është bota më e bukur dhe lumturohesh shumë”, tregon Albani për emisionin “Jo vetem modë” të prezantuar nga Floriana Garo.

Edhe pse baba në moshën 27-vjeçare, Albani rrëfen se gjithmonë ka dëshiruar që të jetë një shok me të birin.

“Janë fillimet e vështira, megjithatë unë kam menduar që fëmijën më vonë ta kem si shok, ta kem pas vetes dhe gjithmonë me këtë parim kam ecur. Do të kaloj ato vështirësi, jo baba i ri , jo kushtëzimet, por do vijë një kohë që do të jem shok me djalin tim dhe do ta kem nga mbrapa në çdo vend që unë mund të shkoj”, thotë ai.

Edhe pse iu desh që të përballej me një vështirësi të madhe, ai ka gjetur kurajon për të vazhduar përpara.

 “Normalisht që është një vëshirësi e madhe. Kalova një problem shumë të madh në jetë, që as se kisha menduar, megjithatë koha kalon, jo se harrohen gjërat, nuk mund të harrohen, por të merr rutina e jetës dhe thjesht ca gjëra thjeshtohen. Unë jam edhe besimtar mysliman dhe Zoti e ka shkruajtur, prandaj dhe e ka bërë harresën. Mos të kishte bërë harresën do ishte shuar bota.”

Duke folur për momentin e vendimit për t’u bërë prindër ai rrëfen: “Nuk ishte një vendim i menduar shumë gjatë. Thjesht e kishim të dy dëshirën për të bërë një fëmijë. Dëshira ime për djalë ishte shumë e madhe” tregon Albani, i cili vendosi ta quajë të birin Beko, meqë  i ati i tij i quajtur Bekim, u nda nga jeta në moshë të re.

Në mungesë të bashkëshortes, një ndihmesë e madhe për të është mamaja, të cilën e falenderoi për gjithçka ka bërë dhe bën për të. Albani rrëfen se edhe ai ka patur fatin jo të mirë, pasi edhe atij i ka munguar babai.

 “Tani nuk mendoj se ndjen shumë , nuk e di është i vogël akoma, është vetëm 2 vjeç e gjysmë dhe nuk kupton akoma, megjithatë me kalimin e viteve do ta kuptojë. Unë e kam provuar vetë të jesh pa një prind. Mua më ka munguar shumë babai, ndoshta muhabetet dhe problemet e jetës që do të bëja me babain me nënën nuk mund t’i bëj dot”.

Por si sillat ai si baba.

“Atë nuk është se e llastoj vetëm unë. E llastojnë të gjithë nga problemi që ka. Mundohem të mos e llastoj shumë, sepse do vijë një moshë, kohët sa vijnë dhe bëhen më të vështira, por mundohem që gjërat që s’duhet të mos ia lë dhe ato që duhen t’ia lë. Megjithatë, është shumë herët për të menduar, kur të rritet djali… Do vijë një kohë që do të jetë adoleshent, por mundohem që të jem një prind i balancuar, jo gjithmonë ta lë, jo s’ka broblem kjo, jo s’ka problem ajo.”

Çfarë do të thotë për Albanin të jesh një prind i mirë.

 “Kam lexuar për fëmijët, kam lexuar që të di, sepse edhe ata kanë botën e vetë dhe duke qenë se sot ke mundësira në internet jam munduar të lexoj për moshën që ka, çfarë është e mirë, çfarë është e keqe, çfarë duhet, çfarë s’duhet, sepse nuk mund t’i dish të gjitha. Por edhe në konsultore kur shkojmë na shpjegon ajo psikologjinë e fëmijës dhe mundohem t’i mbaj mend këto gjëra. Duhet t’i dish disa gjëra, sepse ai është një fëmijë i vogël, edhe në lidhje me anën shëndetësore, që duhet të jesh i përgatitur, sepse një fëmijë i vogël nuk mund të flasë, të thotë më dhemb kjo, por edhe për anën psikologjike që duhet të mësosh, të dish disa gjëra”.

Tashmë djali e shoqëron edhe në stadium Albanin dhe ai tregon se kjo gjë i pëlqen.

 “Dëshira ime është të bëhet sportist. Nëse do të bëhet mua do të më ketë në krah, do e ketë edhe më të lehtë , do të dij t’i jap këshilla, do ta mësoj, nuk do të kalojë problemet që kam kaluar unë, kur kam qenë i vetëm. Normalisht nuk mund të them çfarë mund të bëhet, është thjesht dëshirë”, shprehet Albani.

Ndër të tjera ai tregon se në rritjen e fëmijës kontribuojnë edhe prindërit e bashkëshortes, dhe dy ditë në javë nipi Beko i kalon me gjyshërit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: marketing@panorama.com.al

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top