Mirëqenie

April 27, 2017 | 12:50

Nga Arta Llana / Të qëndrosh pozitive, fuqia e jetës

“Mirëmëngjes! Zgjohu! Është kohë e bukur me diell”. Kjo është një nga fjalitë më të bukura që kumbon si muzikë në veshët e mi. Kjo është një nga fjalitë më të bukura që dëgjova nga mbesa ime vetëm 4 vjeçe, e cila nuk e dinte që ajo ditë kishte qenë shumë e lodhshme, por edhe e trishtuar për mua. Shpesh vendosim sfida dhe objektiva të ndryshme në jetë, duke rendur pas tyre dhe harrojmë të jetojmë.

Arta Llana, Msc.psikologe klinike pranë Qendrës Komunitare Nr. 3

Arta Llana, Msc.psikologe klinike pranë Qendrës Komunitare Nr. 3 Terapiste EMDR Niv. 1

“Është ditë e bukur me diell. Eja të shkojmë te parku, vetë më the që do më çoje!” – vazhdonte të më fliste dhe të më tërhiqte nga dora.

Akoma nuk e besoj se çfarë fuqie patën fjalët e saj tek unë, por mund të them se ishin magjike.

Kur ndodh të zhytemi mes problemeve të shumta, na duket sikur vetëm jeta jonë është e vështirë, apo neve po na shkon çdo gjë ters.

Është kjo e vërtetë? Mendon se të tjerët nuk kalojnë vështirësi? Ndërkohë që ti ke një shtrat për të fjetur dhe ushqim për të ngrënë, dikush tjetër po fle në rrugë, nuk paguan dot qiranë e shtëpisë dhe nuk ka asnjë kafshatë bukë të mbijetojë. Ndërsa prindërit kujdesen për fëmijët e tyre, duke i krijuar kushtet maksimale, duke u dhënë një jetë plot me bollëk dhe duke i llastuar së tepërmi, ndodh që diku tjetër, në një cep të botës, ka fëmijë që i kanë humbur prindërit e tyre ose që vrapojnë vetë për të mbijetuar, duke u detyruar të bëjnë punë të ndryshme, të shesin në rrugë, por shpesh edhe të poshtërohen nga të tjerët.

Ka fëmijë që argëtohen pa fund me lojëra, ashtu sikurse ka fëmijë që nuk e kanë këtë mundësi, pasi varfëria dhe hallet e familjes i kanë bërë t’u digjet fëmijëria dhe të mbajnë barrë të rëndë që nuk u takon moshës së tyre.

Mund të dështosh në një provim, të humbasësh një raport dashurie, të mos kesh makinën e ëndërruar, por mendo se ka të tjerë që jeta i sfidoi dhe i vendosi në vështirësi, duke mos paguar dot shkollën apo duke mos larë dot borxhet.

Mund të ankohesh se po vrapon çdo ditë dhe nuk po bie nga pesha për të pasur linjat e trupit që dëshiron, ndërkohë që ka ca të tjerë që vrapojnë nga mëngjesi deri në darkë duke punuar që të sigurojnë minimumin e ushqimit tënd dhe sërish ta kenë bosh frigoriferin.

Ka që shkojnë për kulturë apo për merak të bëjnë kontrolle periodike për shëndetin e tyre, ashtu sikurse ka edhe të tjerë që nuk paguajnë dot spitalin as për kontrolle të thjeshta dhe as kur sëmuren.

Ndoshta shqetësohesh se kur hap dollapin, i cili edhe pse është i mbushur plot me rroba, ti sërish thua – nuk kam ç’të vesh, me çfarë ta kombinoj? Ndërkohë që harron se ka të tjerë që vdesin nga të ftohtët në dimër, ose ka nga ata që veshin ç’të munden, se i duhet të vrapojnë për punë dhe jo të vishen për performancë, e cila ndodh rëndom.

Ju duket se keni akoma probleme dhe po ankoheni se jeta juaj nuk po jetohet si duhet, si ajo që shikoni në telenovela apo si ajo që shikoni nëpër fotot vërdallë në Facebook dhe Instagram?!

grua

Ji mirënjohës për çfarë ke, dhe gjej gëzimin te familja jote.

Diku në një cep të botës, nëna nuk mundet të mbrojë fëmijën, pasi atje ka luftë, ndërsa në një vend tjetër, nëna i tregon fëmijës të drejtat e tij nëse i cenohet qoftë edhe një shprehje emocionale, apo fija e flokut.

Diku në rreshtat e një libri pata lexuar se, të jetosh mirë është si të ruash ekuilibrin në një biçikletë, pavarësish se vendi në të cilin jetojmë, nuk zgjidhet prej nesh, por nga të qenit të detyruar.

Çdokush lëndohet në këtë jetë në mënyra të ndryshme, por secili e percepton vuajtjen e tij si më të madhen apo më të keqen.

Unë besoj te çdo njeri që ekziston një forcë e brendshme, e cila shëron çdo plagë dhe kalon çdo sfidë. Çdo njeri ka potencialin e tij që të gjejë gëzim dhe paqe në këtë jetë në çfarëdo rrethane qoftë.

Fuqia e të menduarit është dominante.

Shumica e psikologëve e dinë mirë se e kaluara lë gjurmët e veta dhe nuk harrohet asnjëra prej tyre, por ama lajmi i mirë është se çdokush ka forcën të eci përpara dhe të gjejë gëzimin tek e tashmja.

Ku ta dija unë në atë çast se mbesa ime vetëm 4 vjeçe, me dashurinë dhe dëlirësinë që karakterizon fëmijët, kishte arritur aq natyrshëm të sfidonte këshillat, ambiciet apo opinionet që japin rëndom të rriturit, të cilët në të shumtën e rasteve jo vetëm të gjykojnë, por bëjnë edhe ekspertin.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top