FB

May 3, 2024 | 7:19

Albert Einstein: Për një pacifizëm militant… “Masa e gjerë nuk do kurrë luftë, për aq sa nuk helmohet nga propaganda”

Do të kishim të ardhura të mjaftueshme, punë të mjaftueshme, ushqime të mjaftueshme, nëse ne do të shpërndanim siç duhet pasurinë e botës, në vend që të lejojmë veten të robërohemi me doktrinat apo traditat e ngurta ekonomike. Mbi të gjitha, ne nuk duhet të lejojmë që mendimet dhe aspiratat tona të devijojnë nga puna konstruktive dhe të keqpërdoren për përgatitjen e një lufte të re.

jeta1

Jam i një mendje me burrështetasin e madh amerikan Benjamin Franklin i cili thotë: “Nuk ka ekzistuar kurrë një luftë e mirë dhe një paqe e keqe”. Unë nuk jam vetëm pacifist, por jam edhe pacifist militant. Unë dua të luftoj për paqen. Lufta nuk do të marr fund kurrë, nëse njerëzit vetë nuk refuzojnë shërbimin ushtarak. Për këto ideale të larta, mund të imagjinohet se do të luftojë kryesisht një pakicë agresive. A nuk është më mirë të vdesësh për një kauzë në të cilën beson, si paqja, sesa të vuash për një kauzë që nuk beson, si lufta? Çdo luftë shton një hallkë tjetër në zinxhirin e së keqes që pengon përparimin e njerëzimit. Megjithatë, një pjesë e vogël e refuzuesve të shërbimit ushtarak mund t’i japin një shprehje të dukshme protestës së përgjithshme kundër luftës.
Masa e gjerë nuk do kurrë luftë, për aq sa nuk helmohet nga propaganda. Ne duhet ta bëjmë atë imune ndaj propagandës. Ne duhet t’i vaksinojmë fëmijët tanë kundër militarizmit, duke i rritur në frymën e pacifizmit. Problemi më i madh i Evropës është se njerëzit edukohen me synime të rreme.

jeta

 

Tekstet tona shkollore glorifikojnë luftën dhe minimizojnë tmerret e saj. Këto tekste indoktrinojnë fëmijët me urrejtje. Më mirë të mësojmë paqen se urrejtjen, dashurinë dhe jo luftën.
Librat shkollo duhet të rishkruhen. Në vend që të konservohen përgjithmonë konfliktet dhe paragjykimet e lashta, një frymë e re duhet ta përshkojë sistemin tonë arsimor. Edukimi ynë fillon që në djep: të gjitha nënat e botës kanë përgjegjësinë t’i rrisin fëmijët e tyre në frymën paqeruajtëse.
Nuk do të jetë e mundur të zhduken instinktet luftarake brenda një brezi të vetëm. Nuk do të ishte as e dëshirueshme që ato të zhdukeshin plotësisht. Raca njerëzore duhet të luftojë, por vetëm për atë që ia vlen të luftohet, dhe kufijtë e vënë, paragjykimet racore dhe lakmitë nuk mund të mbështillen me flamurin e patriotizmit. Armët tona janë armët shpirtërore, jo tanket dhe plumbat.
Ne do të mund të ndërtonim çfarëdo bote që do të dëshironim nëse forcat tona,të cilat tani i kemi drejtuar në luftë, do t’i drejtonim në ndërtim. Një e dhjeta e energjisë së harxhuar nga kombet ndërluftuese në një luftë botërore, një pjesë e parave që ata shpenzojnë për granata dore dhe gaz helmues, do të mjaftonte për të ndihmuar njerëzit e të gjitha vendeve të botës për një jetë të denjë njerëzore, si për të shmangur katastrofën e papunësisë në botë.
Ne duhet të përgatitemi për të bërë të njëjtat sakrifica për kauzën e paqes ashtu siç kemi bërë, pa asfarë rezistence, për kauzën e luftës. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për mua dhe asgjë më të përzemërt.
Përndryshe ajo që bëj ose them unë nuk mund të ndryshojë strukturën e universit. Por ndoshta zëri im mund t’ i shërbejë qëllimit më të madh të mundshëm: unitetit mes njerëzve dhe paqes në botë.

Përktheu: Qerim RAQI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top