Mirëqenie

April 11, 2017 | 9:34

Alergjitë stinore/ Kush është në rrezik për alergji ?

Alergjitë stinore ashtu si edhe alergjitë e tjera, zhvillohen kur sistemi imunitar i trupit bëhet i ndjeshëm dhe reagon ndaj substancave që ndodhen në mjedis, të cilat në pjesën më të madhe të popullatës nuk japin probleme. Këto substanca apo alergjenë mund të japin teshtima, kollë dhe kruajtje. Reaksioni alergjik mund të variojë nga një gjendje thjesht e bezdishme deri në një kërcënim për jetën. Disa alergji janë sezonale, ndërsa disa të tjera janë të lidhura me gjendje shëndetësore kronike si sinusiti dhe astma.

foto-alergjite

Alergjitë respiratore janë ndër format më të përhapura të alegjive në Europë dhe në mbarë botën. Gjithashtu, përhapja e sëmundjeve alergjike po vjen duke u rritur në Europë edhe si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike, dhe nuk kufizohet më vetëm në ndërrimin e stinëve apo në mjedise specifike. Alergjia nga polenet karakterizohet nga lotim i syve, teshtima, ndonjëherë kollë dhe astmë me shfaqje sezonale.

Me ndryshimin e stinëve, por sidomos në pranverë kur lulëzojnë bimët, ndodh një fenomen natyral, ku re të padukshme të poleneve ndjekin rrymat e ajrit dhe përhapen në atmosferë në distanca të largëta prej shumë kilometrash nga vendburimi i tyre. Polenet mund të depozitohen nga pak kudo, madje edhe në mukozën e konjuktivës, në hundë dhe në mushkëritë e personave të cilët jetojnë në këto mjedise. Individët të cilët bëhen të ndjeshëm ndaj proteinave alergjike të lëshuara nga polenet, reagojnë me simptoma klinike.

Riniti alergjik (me ose pa konjuktivit) prek 60% të popullatës në Europë, nga të cilët 15%-20% vuajnë një formë të rëndë të sëmundjes. Vlerësohet se astma alergjike prek 5%-12% të popullatës në Europë.

Kush është në rrezik për alergji ?

Çdo njeri mund të ketë apo të zhvillojë një alergji, që nga i porsalinduri e deri tek i rrituri.

Këshilla të përgjithshme

Në momentin që shfaqen simptomat e një alergjie respiratore, fillimisht duhet shkuar te mjeku apo specialisti për të vendosur saktë diagnozën dhe për të identifikuar alergjenin (ose alergjenët) ndaj të cilëve ju jeni të ndjeshëm, në mënyrë që të përcaktohet saktë terapia dhe masat e nevojshme parandaluese përpara fillimit të stinës së poleneve (pranverës). Si mënyrë parandaluese mund të sugjerohet klima detare, pasi në këto vende përqendrimi atmosferik i poleneve është relativisht i ulët.

Për individët të cilët janë të diagnostikuar me një formë alergjie po japim disa këshilla.

Gjatë periudhës së poleneve evitoni:

  • Daljet në orët e përqendrimit më të madh të poleneve në atmosferë, duke preferuar më shumë daljet në mëngjes dhe në darkë vonë
  • Rrugët me trafik dhe mjediset e gjelbëra.
  • Shëtitjet nëpër lëndina, sidomos nëse ka erë.
  • Dritaret e hapura kur udhëtoni me makinë.
  • Aktivitetet në natyrë në orët e drekës, sidomos në ditët me diell dhe me erë.

Gjithashtu:

  • Merrni frymë me hundë pasi në këtë mënyrë filtrohet ajri që në hyrje, ose mbani një maskë kundër pluhurit.
  • Lani flokët sa më shpesh pasi polenet që ndodhen në ajër mund të kalojnë në flokë dhe më pas të depozitohen në jastëk gjatë gjumit.

Bimët janë përgjegjëse për alergjitë ndaj poleneve, dhe alergjitë janë të ndryshme pasi ne kemi një shumëllojshmëri bimësh. Edhe pse bimët alergjike janë të përhapura më shumë në zonat rurale sesa në ato urbane, polenet prekin më shumë njerëzit që jetojnë në qendrat e qyteteve, aty ku trafiku i makinave është shumë i madh. Vëzhgimet kanë treguar se efekti i alergjenëve të çliruar nga polenet vjen duke u rritur nga ndërveprimi me ndotësit e ajrit dhe ndotësit që nxjerrin makinat.

Mënyra më e mirë për të parandaluar alergjitë është të shmanget kontakti me lëndët apo substancat alergjike, por në rastin e alergjive stinore, të cilat janë kryesisht nga polenet, është e vështirë të evitohet kontakti, pasi kjo kërkon qëndrimin larg ambienteve të hapura në periudhën e përhapjes apo migrimit të poleneve, mbajtjen mbyllur të dritareve, përdorimin e filtrave të ajrit, etj. Shenjat mund të zbuten nëpërmjet marrjes së medikamenteve të rekomanduara gjithmonë nga mjeku.

Burimi:ishp.gov.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top