FB

August 27, 2021 | 8:12

Alkoolizmi dhe vuajtjet, qasja që u shkaktohet fëmijëve nga përçmimi dhe neglizhenca e prindërve

Neglizhimi emocional, që i ka fillesat që në fëmijëri, është një ndër faktorët e varësisë ndaj pijeve alkoolike, e cila më pas kthehet një ritual i përditshëm dhe individët bëhen konsumator patologjik.

Nga Drilona Shehaj Abazaj, psikologe klinike

Traumat që ata mbartin, kushtet sociale-ekonomike ku ata ndodhen, mungesa e komunikimit me familjarët e tyre, të qenit të vetmuar dhe të pashpresë rrit tek ata sjelljet impulsive për t’iu drejtuar alkoolit si burim shpëtimi, i cili dita-ditës bëhet shumë i vështirë për ta kontrolluar dhe menaxhuar.

Mungesa e informacionit që familjarët kanë qoftë edhe nga neglizhenca e vazhduar ndaj fëmijëve, qasja kritike, përçmuese ndaj tyre shkakton tek ata ndjenja të vazhdueshme të pavlefshmërisë dhe dëshirën për t’u arratisur botës sa më shumë, duke u përhumbur në doza të mëdha alkooli.

Prindërit duhet të ndërgjegjësohen që fëmijët e tyre kanë nevojë për t’u kuptuar dhe ndihmuar nga specialistët përkatës.

Duhet t’u sigurojnë komoditetin për të ndërtuar një komunikim sa më të paqtë duke lënë mënjanë fytyrat e ngrysura, fjalorin plot mllef dhe dhunë ndaj tyre.

Duhet mos u vënë kushte dhe mos t’u tregojnë derën e shtëpisë sa herë ata kanë thyer premtimet që kanë bërë, premtimet fatkeqësisht nuk zbusin impulset e tyre.

Duhet t’u dhurojnë sa më shumë dashuri, mirëkuptim duke i kapur prej dore dhe duke i siguruar që këtë rrugëtim të vështirë do ta kalojnë së bashku, dhe janë aty për ata në çdo moment.

Duhet të njihen me literatura që tregojnë qartë rreth varësisë së alkoolit, simptomat, faktorët dhe vështirësitë që këta individ hasin.

Duhet të mos i përflasin për vesin që ata kanë, dhe mos t’i gjykojnë në prani të tjerëve, duke bërë që ata të ndjehen të kotë dhe t’i drejtohen veprimeve vetë dëmtuese.

Por mbi të gjitha, duhet t’i përqafojnë fortë si të ishin fëmijë, t’u lejojnë të shfryhen emocionalisht për brengat e tyre, vështirësitë që ata kanë duke i suportuar pa kushte dhe duke u siguruar që ata nuk do t’i braktisin kurrë.

Sepse është shumë rëndësishme të ndjehen jo të turpëruar, të përjashtuar,  jo të vetmuar dhe jo simboli i uljes së krenarisë në familjen e tyre.

Kurrë nuk është vonë për të zgjatur duart drejt tyre, për t’i rimëkëmbur dhe për t’i fuqizuar si individë… dashuria bën mrekulli.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top