Të krijuarit është padyshim një proces që kërkon ide dhe fantazi. Në brendësinë e saj, buronte një frymëzim që kërkonte gjithnjë e më shumë terren për t’u zbatuar. Hapi i parë ishte shtëpia, ku nevoja për një trajtim artistik, u pëlqye nga të gjithë anëtarët e familjes. Stela Toska i dha një ridimensionim njëherësh dhe vetë jetës së saj. Përveçse të qenit një bio-kimiste dhe ekonomiste-financiere në profesion, shpërfaqi talentin e saj edhe në pikturë, dhe jo thjesht në laps e në letër apo me bojëra mbi kanavacë, por edhe me punime mbi dru dhe tjegull.
Si erdhi te ju dëshira për t’u marrë me këtë zhanër?
Këto punime kanë shumë fantazi brenda tyre. E kam theksuar gjithmonë, që jam rritur në një shtëpi të bukur dhe kur u martova, gjeta një shtëpi po aq të bukur, por e re dhe e pakompletuar. Kjo arsye, pra dëshira për të pasur një shtëpi të bukur në çdo detaj, më bëri të ulesha të pikturoja e ndërtoja objekte të ndryshme për ta zbukuruar atë. Talentin mendoj që e kam të trashëguar, sepse babi, mami, njëra nga hallat dhe daja im e shikoj tani që kanë aftësi, dëshirë dhe gusto të ndërtojnë, por asnjëri prej tyre nuk e ka zgjeruar më shumë se në shtëpitë e tyre.
Kush jua zbuloi talentin dhe si mori udhë investimi në këtë fushë?
Këtë talent e zbulova në moshën 25-vjeçare dhe e perfeksionova dalëngadalë ndër vite, derisa arrita të mbledh një numër objektesh të veçanta, me të cilat mund të prezantohesha në treg.
Cilat janë meritat apo çmimet që e kanë vlerësuar kontributin tuaj në pikturë, dhe dimensionet e saj?
Arritjet e mia deri tani janë pritja me pozitivitet e krijimeve të mia nga njerëzit e të gjitha shtresave, pra pëlqehen nga të gjithë. Së fundmi, mora pjesë në spektaklin “Do you have an idea” në Vizion Plus ku ideja ime për të bërë biznes u vlerësua dhe u financua maksimalisht nga juria.
Talenti është njëra anë e medaljes, po ana tjetër si ka qenë?
Kryesorja është shkollimi im dhe përvojat e ndryshme në punë të ndryshme gjatë rrugëtimit tim për të arritur deri këtu. Unë jam diplomuar për Bio-Kimi, ndërsa tani diplomohem për herë në dytë në degën Ekonomi-Financë. Kam shumë vite punë, në shkolla të ndryshme në Shkodër dhe rrethina si mësuese. Kam punuar në fotostudio për disa vite dhe së fundmi kam punuar në Drejtorinë e Tatimeve Shkodër në pozicionin, sekretare e drejtorit rajonal të tatimeve.
Cili është punimi që ju ka bërë të ndiheni në qiellin e shtatë?
Punimet e mia në shumicën e rasteve janë unike dhe të gjitha janë një arritje për mua. Do veçoja pikturën time të parë, e cila edhe pse nuk është në nivelet e duhura, ishte një arritje për mua. Kam edhe një tjetër që e kam bërë kohët e fundit, që nuk di për çfarë arsye jam e lidhur me të dhe nuk do doja ta shisja. Kjo pikturë ka një engjëll femër të pikturuar, që kur e shikoj më jep qetësi.
Deri ku kanë rrugëtuar punimet tuaja?
Kufijtë i kanë kaluar, sepse preferohen për dhurata dhe nuk ndalen edhe pse ndonjëherë zgjedhin tjegullën, e cila është e rëndë dhe e thyeshme. Vendet që di unë të kenë mbërritur janë: Itali, Austri dhe Mal i Zi. Por së fundi, kam aplikuar në Bashkinë e Tiranës te një konkurs të quajtur “Produkte Turistike” ku pres të vlerësohem edhe aty me një çmim të paktën për ide inovative. Ky konkurs ishte një shtysë që unë të nxirrja produkte të reja në treg për turistët si p.sh: gurë të pikturuar me simbole apo objekte të Shqipërisë apo me mbishkrimin “I ❤ Albania” me një magnet të montuar nga pas që do të shpërndahen mendoj në të gjithë botën.
Cilat janë preferencat e klientëve dhe sa gërshetohen ato me ndjesitë tuaja për të sjellë maksimumin?
Kërkesat e klientëve janë të ndryshme, por mirëpresin edhe sugjerimet e mia. Unë di të jap maksimumin në çdo gjë që bëj.
Jashtë kësaj bote artistike, cilat janë angazhimet tuaja?
Jam një zonjë shtëpie që në moshën 22-vjeçare prej 15 vitesh tashmë. Jam lumturisht e martuar dhe kemi një djalë 14 vjeçar. Jemi të gjithë të rritur dhe për këtë arsye, impenjimet e mia në familje më zënë shumë pak kohë, edhe pse në shtëpi punoj dhe jam gjithmonë pranë tyre.
Në këtë pikë të jetës ku keni arritur, sa e realizuar ndiheni?
Më duket sikur jam në rrugën e duhur, sepse shikoj që punimet e mia po vlerësohen maksimalisht dhe i shtoj çdo ditë me punime të reja. Në këtë moment ndihem pak e ngarkuar, sepse duhet të merrem me menaxhim, prodhim, shitje, blerje etj., por po punoj fort që të gjej bashkëpunëtorët e duhur që të shpërndaj ngarkesën dhe të vazhdojmë me sukses përpara.
Cilat janë planet për “Creativity Zone”?
Hapi i radhës është të mbaroj porosinë prej 1000 tjegulla të pikturuara, porosi e bërë në spektaklin “Do you have an idea” për një biznesmen që financoi me këtë porosi mundësinë për hapjen e një ekspozitori shitës ku do kem tashmë edhe punishten time të vogël.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.