Mirëqenie

March 14, 2018 | 10:48

Kujdesi veror për fëmijët

Ditë më të gjata, net më të ngrohta, kujdes më i madh për shëndetin. Po, kjo është vera! Seç ka diçka kjo stinë që i bën fëmijët të vrapojnë më shpejt dhe të luajnë më fort. Dhe para se fëmijët tuaj të dalin me vrap nga dera, juve do t’ju duhet të siguroni mbrojtjen e tyre nga dielli, uji, pickimet e insekteve, aksidentet e mundshme, etj.

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Kujdes nga dielli

Ekspozimi në rrezet e diellit gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës rrit rrezikun nga melanomës. Për të shmangur dëmtime më të mëdha kini parasysh:

Përdorini fëmijëve krem me faktor mbrojtës (SPF) nga 15 e lart për të ulur intensitetin e rrezeve të dëmshme që shkaktojnë të djegura. Aplikimi i kremit duhet bërë 15 ose 30 minuta para ekspozimit në diell, në mënyrë që lëkura të përthithë sa më shumë krem dhe të zvogëlohen gjasat që ky i fundit të lahet nëpërmjet djersës, notit, të fshirave me peshqir. Për këtë arsye është e këshillueshme që kremi të riaplikohet çdo dy orë si edhe pas çdo veprimtarie fizike.

Edhe kremrat water resistant e humbasin efektin e tyre pas 80 minutash në ujë. Si duhet vepruar? Në rast se fëmija pëson djegie rekomandohet të përdoren kompresa të ftohta, analgjezikë si dhe kremra me bazë aloe vera.

Pajisini fëmijët me kapele dhe rroba të lehta pambuku. Veshja është një barrierë shumë e mirë ndaj rrezeve ultraviolet.

Mbajini bebet larg diellit. Fëmijët nën gjashtë muaj duhet të qëndrojnë sa më pak nën rrezet e diellit dhe të përdorin krem. Mbi këtë moshë, mund t’u aplikohet krem me faktor mbrojtës në zonat e paveshura të lëkurës.

Shmangni aktivitetet në natyrë nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Duket mision i pamundur për fëmijët tuaj aktivë? Bëni të mundur që e gjithë familja të bëjë pak pushim në këtë orar. Këto janë rreze të dëmshme për të gjithë.

Kini kujdes nga hija. Të shumtë janë ata që mendojnë se të qëndruarit në hije është mënyra më e mirë për t’u ruajtur nga dielli. Hija mundëson një ndjesi lehtësie nga nxehtësia, por jo shmangie nga rrezet UV.

Hidratoni fëmijët

Me rritjen e temperaturave, lodhja nga vapa fillon të bëhet shqetësuese. Simptomat përfshijnë lodhje, etje ekstreme, dhe krampe muskulare. Nëse fëmijët nuk freskohen dhe hidratohen, lodhja nga vapa mund të çojë deri në goditje nga të nxehtit (shenjat janë dhimbje koke, marramendje, të përziera, të vjella, dhe mungesa e djersës), e cila është potencialisht fatale. Si duhet vepruar? Nëse vini re këto shenja te fëmija juaj, i hidhni ujë të ftohtë, zhvendosini në hije ose pranë një ventilatori. Vendosja e akullit nën sqetull dhe ije e përshpejton procesin e ftohjes. Nëse dyshoni për goditje nga të nxehtit, telefononi menjëherë 127.

Mos ia ndani sytë fëmijëve

Fatkeqësisht, mbytja në ujë (më së shumti pa të bërtitura dhe spërkatje) është një nga shkaqet më të shpeshta të aksidenteve që shkaktojnë vdekje te fëmijët. Pajisini fëmijët me kamerdare. Kamerdaret me krahë kanë pak mundësi të rrëshqasin dhe krahasuar me ato në formë rrethore kanë më pak mundësi për t’u kthyer përmbys. Mos ia lejoni vetes të shpërqendroheni teksa fëmijët tuaj janë në ujë. Shmangni celularët dhe bisedat e gjata me prindërit përreth. Telefononi 127.

Ruhuni nga thumbi i bletës

Bletët tërhiqen prej luleve, ndaj mos aplikoni parfum me esenca lulesh në rrobat e fëmijëve tuaj. Gjithashtu, shmangni lënien hapur të ushqimeve dhe pijeve; nëse fëmijët bëhen pis, vishini diçka tjetër; dhe në rast se shikoni një bletë të afrohet pranë tyre, ruani qetësinë dhe po kështu përpiquni t’i largoni. Si duhet vepruar? Nëse fëmija juaj pickohet, si fillim përpiquni të largoni thumbin me një kartë (krediti, rimbushëse) dhe më pas, mund të aplikoni mbi zonën e prekur akull ose një pastë të përgatitur me sodë buke dhe ujë. Pas kësaj, në farmacinë më të afërt kërkoni krem me hydrocortizone dhe antihistaminikë oralë për të evituar ënjtjen.

Veshi i notarit

Veshi i notarit quhet infeksioni i kanalit të jashtëm të veshit dhe dhimbja është shenja më e hershme. Teksa përparon ju mund të shihni kullim nga veshi i fëmijës suaj dhe butësi ekstreme kur pjesa e jashtme e veshit është prekur. Ky infeksion shkaktohet nga invadimi i mikrobeve në kanalin e veshit, me futjen e ujit brenda dhe me thatësinë e tepërt pasuese kur fëmija del nga uji. Si duhet vepruar? Aplikoni antibiotikun e rekomanduar nga mjeku dhe frenoni larjet në pishinë.

Helmimi nga ushqimi

Nuk është gjë e re të dëgjosh për helmimet nga ushqimi gjatë stinës së verës. Me aq sa mund të keni në dorë, sigurohuni që jashtë shtëpisë, përpara të ngrënit, fëmijët të lajnë duart apo të përdorin xhel antibakterial. Lajini mirë frutat dhe perimet, mbajini ushqimet në frigorifer dhe rifutini ato nëse nuk kanë mbaruar. Shenjat e helmimit janë të përziera, të vjella dhe diarre. Zakonisht nuk ka ethe dhe gjak në jashtëqitje. Si duhet vepruar? Trajtimi kërkon vëmendje, pushim, lëngje si dhe një dietë të lehtë ushqimore.

Mos i lini fëmijët të presin në makinë

Duhen vetëm 10 minuta që temperatura e makinës të ngrihet me 19 gradë. Shpesh janë dëgjuar lajme tragjike me prindër që lenë fëmijët për një kohë të gjatë në makinë apo bebet të flenë. Mos i lini fëmijët as edhe një minutë vetëm; gradët e makinës ndonjëherë mund t’ju mashtrojnë për shkak se makina nxehet shumë shpejt. Fëmijët janë në risk më të madh prej goditjes nga i nxehti. Kjo sepse trupat e tyre e rrisin temperaturën tre deri në pesë herë më shpesh se të rriturit. Ky informacion nuk ka për qëllim t’ju frikësojë e t’i mbani fëmijët mbyllur në shtëpi. Vera është koha më e bukur për t’u argëtuar. Mjafton të jeni në dijeni të këtyre rreziqeve dhe shkoni të kënaqeni me fëmijët tuaj.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com