Banka e Shqipërisë pak kohë më parë organizoi Ceremoninë e Inaugurimit të Ndërtesës së saj të Rikonstruktuar, e cila përkon dhe me hapjen për herë të parë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë.
Ndërtesa e re përveç 4 kateve mbi tokë shtrihet në thellësitë e nëntokës me 4 kate të tjera, të cilat ofrojnë mundësi për shërbimet teknologjike dhe parkimin e automjeteve të punonjësve.
Këto foto janë marrë nga Gazeta Dita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë.
Në katin e parë të tij ofrohet informacion për botën fizike të parasë, ajo pjesë e saj që është e prekshme për vizitorin, në një trajektore ekspozitorësh që arrin kulmin në Dhomën e Thesarit ose siç njihet ndryshe Rotondo (dhoma rrethore kasafortë e ndërfutur në një dhomë pesëkëndore sipas projektit origjinal të Morpurgos). Në Dhomën e Thesarit paraqitet pamja maksimale e parasë, përmes ekspozimit të një Lingote të Artë.
Ekspozita e përhershme e katit të parë, prezanton koleksione të monedhave që kanë qarkulluar në territoret e vendit tonë në këto dy mijë vjet. Ato janë pjesë e koleksionit numizmatik të Bankës së Shqipërisë dhe janë përzgjedhur e studiuar me një kujdes të veçantë përmes një bashkëpunimi të gjatë me arkeologë, numizmatë, historianë e etnografë të mirënjohur të vendit.
Kati i dytë paraqet edhe anën tjetër të botës së parasë, formën e saj dixhitale. Itinerari i vizitorëve vijon në hapësirën e hologramit, duke shfaqur për vizitorin një rrëfenjë monedhash antike, të projektuar në hapësirë, në 3 dimensione, në 360 gradë, si pjesë e gjuhës më të sofistikuar të procesit të dixhitalizimit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.