Nga Orjona TRESA / Foto Redi Kanina
Tanimë, Dorina dhe lulet janë kthyer në binom: ngjyra dhe aroma, reflekse dritash njëherazi. Dhe lulet kanë gjuhën e tyre. Përdorin fjalor të veçantë. Ndaj nuk është e lehtë të jesh pjesë e familjes, duhet të dish të komunikosh. Çdo petale flet, çdo gjethe apo kërcell ka një histori për të treguar. Dhe çdo kompozim mes tyre është një mënyrë për të dhuruar ndjeshmëri pa kushte.

Ajo i njeh lulet në detaje, rolin që kanë, apo atë që duhet t’u japësh. Si duhet të kujdesesh dhe çastin kur kërkojnë më shumë vëmendje. Sepse lulet janë shumë të ndjeshme e s’mund ti nënvlerësosh. Kjo marrëdhënie mes tyre i ka bërë, gati pa e kuptuar, familjare. Miqësia mes tyre u forcua atëherë kur rrethanat, rastësia apo ndoshta fati, e afruan Dorinën kaq shumë me to. Ishte studente në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën e Matematikës, një fushë që e donte dhe e respektonte, por që në moshën e saj të re kërkonte edhe pavarësi. Nevoja për të punuar e çoi drejt një dyqani lulesh, një vend ku fillimisht hyri për të siguruar të ardhura, por nga i cili nuk doli më kurrë shpirtërisht. Pa hequr dorë as nga studimet dhe as nga puna, Dorina mësoi të racionalizonte kohën, të vendoste disiplinë dhe të ushqente paralelisht dy dashuri: dijen dhe lulet. Mirënjohëse për personin e parë që ia besoi këtë përgjegjësi, ajo dha maksimumin, duke e kthyer punën në pasion dhe pasionin në profesion. Sot, ajo është pikërisht ajo që edhe prindërit e saj kishin ëndërruar, një vajzë e diplomuar dhe një grua e zonja, e aftë t’i bëjë ballë jetës pavarësisht rrethanave që ajo sjell.
Paralelisht me rritjen profesionale, Dorina ndërtoi edhe familjen e saj. Nga dashuria lindi Anabela, fryti më i çmuar i jetës së saj, vajza që sot është dhjetë vjeçe dhe që mban emrin e një historie të nisur me përkushtim dhe shpresë. Me mbështetjen dhe dashurinë e bashkëshortit të saj, Klodianit, ajo nuk e la kurrë pas atë vajzën që tërhiqej nga lulet dhe që sot identifikohet si një profesioniste e vërtetë në këtë fushë. Prej shtatë vitesh, Dorina dhe Klodiani menaxhojnë së bashku “Anabela Flowers”, një dyqan lulesh që u shërben të gjithëve pa dallim, por që është bërë veçanërisht i frekuentuar nga VIP-at. Çdo buqetë që del prej aty mbart kujdes, estetikë dhe një pjesë të shpirtit të Dorinës. Viti që lamë pas ishte një dëshmi suksesi, kur “Anabela Flowers” theu rekord shitjesh me trëndafilat, lulen më të preferuar për shqiptarët.
Në këtë intervistë, do të zbulojmë se çfarë fshihet pas suksesit të “Anabela Flowers”, si i ka shndërruar lulet në mjeshtëri arti dhe cila është forca që e ka shtyrë përpara pa pushim. Sepse përtej çdo luleje, çdo lëvizjeje të kujdesshme dhe çdo sipërmarrjeje të suksesshme, fshihet historia e një gruaje që na mëson se përkushtimi dhe pasioni mund të shpërthejnë me më shumë forcë se çdo element tjetër.

Si nisi aventura juaj në botën e luleve?
Aventura ime nisi si një pasion i pastër. Fillimisht ishte një dashuri spontane për lulet dhe estetikën, por me kalimin e kohës u kthye në një vendim të menduar mirë. E kuptova që ajo që më bënte të lumtur mund të kthehej edhe në një biznes të qëndrueshëm, ku pasioni dhe përgjegjësia ecin bashkë.
Kush është bashkëpunëtori juaj më i ngushtë në këtë biznes?
Pa dyshim, bashkëshorti im. Ai është mbështetja ime më e madhe, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe emocional. Mirënjohja ime për të është e pakufishme, sepse ky rrugëtim shkon përtej biznesit, është një rrugë që e kemi ndërtuar me zemër.
Pse Anabela Flowers?
Anabela është emri i vajzës sime dhe për mua ka qenë oguri më i bukur i suksesit. Ky biznes mban emrin e gjësë më të shtrenjtë që kam, ndaj çdo punë e bërë këtu ka edhe shpirt, jo vetëm profesionalizëm.

Si e kthyet Anabela Flowers në një biznes të suksesshëm?
Me shumë punë, përkushtim dhe sinqeritet ndaj klientit. Çdo buqetë është trajtuar si e vetmja. Fakti që sot më njohin edhe si “Buketierja e VIP-ave” është një përgjegjësi e madhe, por edhe një vlerësim për punën e bërë ndër vite.
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha?
Sfida kryesore ka qenë qëndrueshmëria: ritmi i lartë, presioni i kërkesave dhe pritshmëritë e larta. I kam kapërcyer duke mos hequr dorë, duke mësuar çdo ditë dhe duke ruajtur gjithmonë cilësinë.
Si ndikojnë kërkesat e VIP-ave në punën tuaj?
VIP-at kërkojnë detaje perfekte dhe origjinalitet. Kjo më shtyn të jem edhe më kreative dhe fleksibile. Qasja ndryshon sipas individit, por standardi im mbetet gjithmonë i lartë.
A ka ndikuar diplomimi juaj në Matematikë në suksesin e biznesit?
Po, padyshim. Matematika më ka ndihmuar në organizim, llogaritje, menaxhim dhe vendimmarrje strategjike. Kreativiteti dhe logjika kanë gjetur një ekuilibër perfekt.
Si i përshtatni idetë me klientët dhe trendet?
Biseda paraprake është çelësi. Duke dëgjuar klientin, arrij të “lexoj” dëshirën e tij dhe ta kombinoj me trendet e sezonit, pa humbur identitetin tim artistik.
Çfarë realizoni konkretisht në Anabela Flowers?
Realizojmë buqeta lulesh, dekore festive, ditëlindje, përvjetorë, dasma dhe ceremoni të ndryshme, çdo event që kërkon emocion dhe bukuri.
Deri ku shkojnë porositë tuaja?
Përveç Shqipërisë, kemi klientë nga Kosova dhe Maqedonia. Distanca nuk ka qenë kurrë pengesë për emocionin.
Si do ta përshkruanit stilin tuaj me një fjali?
Një stil ku përkushtimi personal, estetika dhe përgjegjësia takohen në çdo detaj. Ajo që më bën të veçantë është përfshirja ime direkte në çdo proces.

Çfarë përfaqëson për ju një buqetë lulesh?
Është art. Një mënyrë për të dhënë gëzim, për të shprehur ndjenja dhe për të lënë kujtime.
Pse keni zgjedhur të mbani çmime të përballueshme?
Sepse dua që bukuria të jetë e aksesueshme për të gjithë. Kënaqësia e klientit vlen më shumë se çdo fitim afatshkurtër.
Si ndiheni kur punoni me VIP-a që bëhen miq?
Është ndjesi shumë e bukur. Kur një klient i njohur kthehet në mik, e di që kam fituar më shumë sesa një porosi.
Cilat janë miqësitë më të çmuara?
Ato që janë ndërtuar mbi respekt, besim dhe sinqeritet, jo mbi famë.
Buqeta më e shtrenjtë që keni realizuar?
Ka qenë e veçantë jo vetëm nga vlera, por nga mesazhi emocional që përcillte. Kjo e bën çdo krijim unik.

Lulja më e kërkuar?
Trëndafili mbetet klasik, por ka pasur momente kur lule të caktuara janë bërë trend dhe kanë “shpërthyer” në kërkesa.
Dhurata më e largët?
Porositë nga jashtë vendit janë gjithmonë emocionuese. Të dish që ke qenë pjesë e një momenti të rëndësishëm, pavarësisht distancës, është ndjesi e veçantë.
Si e mbani balancën mes jetës profesionale dhe personale?
Nuk është gjithmonë e lehtë, por familja ime është prioritet. Mundohem të gjej kohë cilësore, edhe në ditët më të ngarkuara.
Çfarë ju motivon çdo ditë?
Dashuria për atë që bëj dhe buzëqeshja e klientëve. Edhe lodhja bëhet më e lehtë kur puna ka kuptim.
Çfarë këshille do t’u jepnit atyre që nisin një biznes?
Të besojnë tek vetja, të mos dorëzohen dhe të punojnë me zemër. Pasioni, kur shoqërohet me përkushtim, gjithmonë shpërblehet.


Adresa: Rruga “Ferit Xhajko” Tiranë
Porosi edhe jashtë Shqipërisë
Cel: +355 698663395
Instagram: anabela_flowers
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

