Marrëdhënie

April 29, 2016 | 11:43

Andeta Radi: Jam kujdesur për time motër

Të qenit fëmija i parë i kanë mësuar se duhet të jetë e kujdesshme dhe ta tolerojë motrën e vogël. Por më shumë se në vegjëli, Andeta Radit i është dashur të kujdeset sot për Rozin. Humbja e prindërve ka bërë që përgjegjësitë t’i kalojnë asaj, duke e cilësuar veten si FAMILJE për motrën e vetme. Jeni ndjerë xheloze kur ka lindur motra juaj? Të them të drejtën nuk e mbaj mend, sepse kur ka lindur Rozi unë kam qenë 6 vjeçe, por me sa më kanë thënë prindërit… jo. Përkundrazi kam pasur shumë dëshirë që ta mbaja në krahë dhe qaja që të ma linin. Kishin frikë mos e lëshoja. Mund të na kujtoni disa detaje nga momentet kur jeni ndjerë e veçuar nga prindërit, se ata kujdeseshin për motrën më të vogël? Jo. Nuk kujtoj detaje të tilla. Ne kemi pasur gjyshen, të afërmit që jetonin me ne dhe duke qene se unë isha fëmija i parë, ata e kishin ende përqendrimin tek unë. Kur mbusha 7 vjeç fillova dhe shkollën, andaj donin s’donin ata, unë prapë në qendër të vëmendjes isha, por… mbaj mend njëherë kur bëja detyrat e abetares dhe Rozi më derdhi kallamarin me bojë (kështu quheshin atëherë kutitë që mbanin bojën). Babi, Nandi, më ka bërtitur aq shumë, sa unë edhe sot e kësaj dite nuk e harroj. Ndërsa Rozit, ngaqë ishte e vogël, nuk i bëri gjë. Të them të drejtën u mërzita. Prindërit na kanë mësuar se çdo gjë e imja ishte dhe e motrës sime. Kështu vazhdojmë edhe sot. Më kujtohet njëherë Rozi që i tha mamit: “O ma, kur të rritemi unë dhe Andeta do marrim një burrë dhe do e ndajmë përgjysmë”. Sa herë që e kujtojmë, qeshim me lot. Thuhet se fëmija i parë është i prirë të bëjë karrierë dhe të jetë i suksesshëm. A jeni ju ndryshe nga motra e vogël? Për mua nuk është e vërtetë. Karrierën e bën çdo njeri, qoftë fëmija i parë apo me radhë. Unë jam vërtet e lumtur për atë çfarë ka arritur motra ime. Të them të drejtën edhe pse kam shumë vite në fushën e artit, kur njerëzit më thonë, kjo është motra e Rozanës, më bëhet qejfi, sepse krenohem me atë çka ajo ka arritur profesionalisht. Në jetë nuk ka gjëra të pamundura. Ti duhet të gjesh momentin e duhur dhe të rrish në pritje. Ne të dyja kemi një karrierë profesionale dhe vazhdojmë të plotësohemi. Jeni ndjerë e rritur para kohe kur ju është dashur të merreni me kujdesin e motrës më të vogël? Jam kujdesur shumë për Rozin kur ajo u rrit. Kishte fatin të kishte një motër të madhe, me të cilën mund të ndante gjithçka, një këshillë për atë që përjetonte, gjë të cilën unë nuk kisha pasur mundësi ta kisha. Sa e pavarur ndiheni sot? Mund të them se sot nuk jam e pavarur, sepse pas humbjes se prindërve përgjegjësia ime është më e madhe. Tani nuk jam thjesht një motër apo një shoqe, por FAMILJA.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top