Ne jetojmë në një periudhë ku gjithçka është e shpejtë: mendimet, emocionet, lajmet, ritmi i jetës. Shpesh jemi të tejngopur me oferta, reklama, me një botë që na mëson se mund të zëvendësojmë çdo ndjenjë me një blerje të re, çdo boshllëk me një porosi online, çdo zhgënjim me një paketim të bukur që vjen në derë.
Por sa më shumë konsumojmë, aq më pak duket se mbushemi. Dhe një ditë e kuptojmë se jemi lodhur – jo nga mungesa e gjërave, por nga mungesa e angazhimit me veten tonë. Psikologët prej vitesh flasin për konsumimin emocional, një mekanizëm ku njerëzit blejnë për të shmangur një ndjenjë të pakëndshme: stres, vetmi, ankth, boshllëk.
Blerjet e shpejta krijojnë një valë të momentit të dopaminës – një ndjenjë e shkurtër lumturie – por kjo bie shpejt, dhe ne mbetemi të njëjtë si më parë. Pra, konsumojmë jo për të jetuar më mirë, por për të mos u ndjerë të mërzitur.
Sot, njerëzit shpenzojnë më shumë kohë duke ecur nëpër faqe online sesa duke ecur nëpër rrugicat e brendshme të shpirtit të tyre. Dhe ky është një alarm i heshtur…
Të angazhohesh nuk do të thotë thjesht të jesh aktiv; por të jesh i pranishëm.
Të angazhohesh do të thotë të jetosh me ndërgjegje.
Të mos rrish si spektator i jetës tënde, por si pjesë aktive, krijuese, dhe e ndjeshme e saj.
Angazhimi është forma më e butë dhe më e fuqishme e vetëdashurisë:
Të angazhohesh me trupin tënd përmes lëvizjes.
Të angazhohesh me mendjen përmes dijes dhe kuriozitetit.
Të angazhohesh me shpirtin përmes krijimtarisë dhe lidhjeve njerëzore.
Të angazhohesh me emocionet duke i ndjerë ato, jo duke i fshehur pas blerjeve.

Angazhimi nuk të jep një lumturi të shpejtë, por të jep qëndrueshmëri të brendshme.
Po përse konsumimi na zbraz? Sepse konsumimi është i jashtëm. Ndërsa boshllëku që duam të mbushim është i brendshëm. Asnjë veshje e re nuk mbush vetminë. Asnjë parfum nuk heq ankthin. Asnjë porosi nuk zëvendëson një bisedë të vërtetë. Asnjë ofertë nuk zbut dhimbjen e shpirtit. Këto ndjesi kërkojnë angazhim, jo konsum.
Po përse angazhimi na mbush? Sepse angazhimi na kthen tek ne. Kur mësojmë diçka të re, truri ynë vihet në punë. Kur kujdesemi për trupin, ndihemi të vlerësuar. Kur lidhemi me të tjerët, kujtojmë se nuk jemi vetëm. Angazhimi na rikujton se jeta nuk është një gur , apo një vitrinë, por një kopsht që rritet vetëm nëse e kultivon. Në psikologji, njerëzit që ndihen më të qëndrueshëm emocionalisht nuk janë ata që blejnë më shpesh, por ata që angazhohen:
në marrëdhënie,
në projekte personale,
në kreativitet,
në natyrë,
në reflektim etj..
Këto janë burimet e lumturisë së vërtetë. Dhe janë falas.
Ky artikull nuk është kundër blerjeve.
Nuk është kundër kënaqësive të vogla të jetës. Por është një ftesë – e butë, – që herën tjetër, para se të shtypësh butonin “Buy now”, të pyesësh: A më duhet vërtet kjo për ta blerë?
Pra, sa më shumë angazhohemi me veten, me kohën, me njerëzit, me jetën –aq më shumë gjëra të bukura ndodhin. Ne bëhemi më të gjallë. Dhe ne nuk kemi më nevojë të blejmë për të ndier se vërtet ekzistojmë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

