FB

February 14, 2026 | 20:30

Anima dhe Animus, çelësi i dashurisë autentike

Përgatiti Orjona Tresa

 

Në këtë muaj që i dedikohet dashurisë, shpesh e kthejmë shikimin nga tjetri, duke kërkuar jashtë nesh atë që na plotëson. Mirëpo, psikanalisti i njohur Carl Gustav Jung na propozon një perspektivë krejt tjetër, më të thellë dhe transformuese. Sipas tij, sekreti i një marrëdhënieje të suksesshme nuk qëndron te gjetja e “gjysmës tjetër”, por te zbulimi i pjesës sonë të fshehur: Anima-s dhe Animus-it.

shen-valentini

Jung na flet për dy energji, atë mashkullore dhe atë femërore, të cilat bashkëjetojnë në përmasa dhe forma të ndryshme brenda secilit prej nesh. Ndonëse ky koncept është kritikuar apo rishikuar nga rrymat feministe ndër vite, ai mbetet më aktual se kurrë për t’i dhënë peshë dhe densitet dialogut mes gjinive në ditët tona. Për Jung-un, mashkullorja dhe femërorja nuk identifikohen domosdoshmërisht me dy persona të sekseve të kundërta. Ato përfaqësojnë dy energji psikike që duhet të gjejnë harmoni brenda nesh. Nga ky ekuilibër i brendshëm varet aftësia jonë për të takuar në mënyrë frytdhënëse vetveten dhe, rrjedhimisht, tjetrin. Ideja se brenda nesh banojnë këto energji mund të duket abstrakte, por ajo ka ndikime shumë konkrete në jetën tonë të përditshme.

Animus: Tek çdo grua ekziston një Animus, një energji mashkullore që lidhet me vendimmarrjen, racionalitetin dhe veprimin.

Anima: Tek çdo burrë ekziston një Anima, një energji femërore që lidhet me pritjen, kreativitetin, emocionin dhe intuitën.

Zbulimi i këtyre anëve nuk na bën “më pak burra” apo “më pak gra”, përkundrazi, na bën qenie njerëzore më të kompletuara. Kur ne refuzojmë këto karakteristika, rrezikojmë të identifikohemi në mënyrë të thjeshtëzuar vetëm me karakteristikat stereotipike të seksit tonë, duke nënvlerësuar apo zbehur seksin tjetër.

 

Archetipet dhe sfida e aktualitetit

Marie-Louise von Franz, bashkëpunëtorja e ngushtë e Jung-ut, e përshkruan Animën si personifikimin e të gjitha tendencave psikike femërore në psikikën e burrit: ndjenjat e mjegullta, parandjenjat, pranueshmërinë e iracionales dhe lidhjen me të pavetëdijshmen. Jo më kot, në lashtësi, ishin priftëreshat ato që depërtonin në vullnetin hyjnor. Nga ana tjetër, për një grua, guximi, fryma e iniciativës dhe forca janë shprehje e Animus-it që ajo duhet ta njohë brenda vetes. Nëse një grua e mohon këtë forcë, ajo rrezikon t’i ketë zili ose t’u frikësohet burrave që takon, duke e parë veten gjithmonë si “unaza e dobët” në marrëdhënie. Në aktualitetin e sotëm, burrat përballen me një sfidë stimuluese: të njohin pjesën e tyre Anima. Refuzimi i kreativitetit dhe emocionalitetit mund të çojë në atë që sot e quajmë “maskulinitet toksik”, një version i reduktuar dhe stereotipik i të qenët burrë, që e sheh raportin me gruan si konfliktual dhe konkurrues.

 

Dashuria si bashkim i harmonishëm

Për Jung-un, vetëm duke realizuar një bashkim të harmonishëm të mashkullores dhe femërores brenda vetes, mund të ndërtojmë marrëdhënie intime, të barabarta dhe me respekt të sinqertë. Kur një grua arrin pjekurinë e Animus-it të saj, ajo fiton një “qëndrueshmëri shpirtërore” që e kompenson brishtësinë e saj të jashtme. Ajo bëhet receptive ndaj ideve të reja krijuese dhe, në aspektin e saj pozitiv, stimulon partnerin drejt sipërmarrjeve të reja. Në të njëjtën kohë, një burrë që pranon Animën e tij, nuk e sheh më cenueshmërinë si dobësi, por si një urë drejt intimitetit të vërtetë. Në këtë muaj të dashurisë, mbase dhurata më e madhe që mund t’i bëjmë vetes dhe partnerit është pikërisht kjo: të kërkojmë harmoninë e brendshme, duke kuptuar se dashuria për tjetrin fillon nga pranimi i plotë i të gjitha ngjyrave të shpirtit tonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top