Suksesi i një universiteti janë padyshim qendrat kërkimore, shkencore. Si një institucion brenda institucionit, ato luajnë një rol vendimtar në brumosjen e individëve të përgatitur për jetën në fusha të ndryshme që kërkon vendi. Ndërsa në Shqipëri këto resurse janë me pikatore, Kolegji Universitar LUARASI ka themeluar një qendër mirëfilli të tillë, duke ofruar bashkëpunim dhe mbështetje me largpamësi drejt zhvillimit dhe zbatimit të planeve strategjike në drejtim të kërkimeve shkencore, menaxhimit të projekteve dhe inovacionit.
FAB është qendra që i përmbush këto kritere, drejtuar nga një personalitet i fushës, me një jetëshkrim të pasur akademik, Prof.Asoc.Dr.Anni Dasho Sharko. Teksa e quan si krijesën e vet për nga investimi dhe përkushtimi në kohë, Anni flet me pasion për këtë angazhim duke na rrëfyer zinxhirin funksional të kësaj qendre dhe përfitimeve që kanë studentët e KU Luarasi.
FAB me një staf kërkuesish shkencorë e pedagogësh mjaft ambiciozë, synon të përfshijë Kolegjin Universitar “LUARASI” në mënyrë aktive në bashkëpunime meuniversitete, konsorciume kërkimore si dhe programe zhvillimore kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo do realizohet përmes një matrice që ndërthur punën e 9-të departamenteve të Kolegjit Universitar “Luarasi” me rrjetin e institucioneve kërkimore e akademike brenda e jashtë vendit me të cilët bashkëpunon e do të bashkëpunojë në të ardhmen. Qendra “FAB” gjithashtu do i kushtojë rëndësi të madhe aktiviteteve të trajnimit duke përfshirë edhe studentët e ciklit të dytë të studimeve e në projekte dhe aktivitete kërkimore.
Qendra e Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Inovacionit FAB, pranë KU “LUARASI” lehtëson zhvillimin e projekteve në fushat si: Ekonomi, Drejtësi dhe Teknologji Informacioni dhe Inovacion, me synim përfshirjen e stafit akademik, kërkuesve të rinj dhe studentëve në projekte për zhvillim kapacitetesh, kërkime shkencore, studime të orientuara nga politikëbërja dhe iniciativa të tjera që lidhen ngushtë me arsimin e lartë.
Cili është qëllimi kryesor që i keni vënë vetes?
Të rris performancën e Qendrës “FAB” dhe angazhimin e stafit të saj dhe stafit akademik e studentor të KU “LUARASI” në sa më shumë projekte kërkimore shkencore, projekte të ndryshme në fushën e ekonomisë, drejtësisë dhe teknologjisë së informacionit dhe inovacionit në bashkëpunim gjithnjë e më të madh me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke optimizuar proceset e brendshme, sistemet e menaxhimit dhe kontrollit, kulturën e punës së stafit, shërbimin ndaj klientëve ndaj të cilëve ndërtojmë platforma të ndryshme aplikative apo projekte kërkimore, shkencore dhe strategjive afatmesme dhe afatgjata organizuese.
Cila është sfida më e madhe për ju?
Kam dy sfida, ajo që lidhet me Qendrën “FAB” dhe ajo me KU “LUARASI”. Për KU “Luarasi” viti akademik 2018-2019 është vit i veçantë pasi hapet Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, një fakultet i ri i cili në vizionin tim ofron mundësi studimi në fusha që ka interes vendi dhe ku studentët pas përfundimit të studimeve mund të inkuadrohen më lehtë në tregun e punës. Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit dallon nga sektorët e tjerë për nga shpejtësia me të cilën zhvillohet dhe për nga bashkëveprimet e ngushta që ai ka me botën akademike dhe sektorë të mëdhenj të industrisë, të shërbimeve dhe shoqërisë si një e tërë.
Kërkimet në fushën e shkencës së informacionit dhe teknologjive të saj janë jetësore dhe efektive, kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe reagim të shpejtë ndaj stimujve dhe mundësive të reja. Programet e studimit që do të ofrojë Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit janë jo vetëm programe inovative dhe me objektiva të qartë, por janë më të kërkuarat sot në universitetet brenda dhe jashtë vendit.
Ne do të ofrojmë dy programe të ciklit të parë të studimit, përkatësisht Bachelor në Informatikë Ekonomike dhe Teknologji Informacioni dhe Inovacion, si dhe dy programe të ciklit të dytë të studimeve: Master Profesional në “Siguria Kibernetike dhe e Informacionit” dhe Master i Shkencave në “Teknologji Informacioni dhe Inovacion”.
Pranë platformës akademike Bachelor dhe Master do të jenë dy akademitë, Microsoft dhe CISCO Akademi, duke ndihmuar studentët të jenë të specializuar sipas kërkesave të tregut vendas e të huaj. Për sa më sipër, në ndihmë dhe mbështetje të vazhdueshme të këtij Fakulteti do të jetë Qendra FAB. Misioni i Qendrës është që të zhvillojë, shpërndajë dhe promovojë projekte dhe aktivitete shkencore në fushat e ekonomisë, drejtësisë dhe teknologjisë së informacionit si dhe të implementojë zbatimin e tyre për zhvillimin shkencor, teknologjik, ekonomik dhe juridik të Kolegjit Universitar “Luarasi” dhe të vendit.
Cilat janë gjërat që pëlqeni më shumë në punën tuaj?
Natyra ime nuk gjen qetësi nëse nuk ka sfidë, janë ato që më shtyjnë përpara, më frymëzojnë në çdo ditë të punës time. Monotonia më mërzit. Një tjetër kënaqësi është zgjidhja e problematikës së projekteve të ndryshme në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit, të cilat në mënyrë direkte ndikojnë në përcjellje të imazhit të Qendrës FAB si një qendër kërkimore shkencore, projektesh dhe inovacioni që kujdeset për të gjithë klientët e saj për të cilën do të prodhojë dhe verë në shfrytëzim të platformave aplikative.
Cila janë personat që ju mbështesin më shumë?
Stafi im IT i qendrës “FAB” Irena, Endri, Florenci, Kristi, Resina, Denisa dhe në mënyrë të veçantë stafi i Kolegjit Universitar “Luarasi” Blerina, Dorina, Elvini, Indriti, Mateo, Rezi, dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimi me Rektorin Prof. Ruka, të cilët fatmirësisht jetojmë dhe punojmë së bashku me të njëjtin standard që Qendra FAB dhe KU Luarasi kërkojnë të aplikojnë dhe mirëkuptojnë çdo sugjerim, udhëzim dhe standardin e punës që kërkohet të implementohet.
Çfarë rëndësie ka komunikimi me bashkëpunëtorët?
Ka një rol shumë të rëndësishëm. Kolegët me të cilët bashkëpunoj dhe stafi i qendrës “FAB” janë të hapur të mësojnë, të dëgjojnë dhe më pas të komentojnë ose të japin opinione, duke realizuar në fund një bashkëpunim në grup për të realizuar projektet, kërkimet shkencore apo idetë inovative. Ajo që na diferencon është: shpesh përballemi me mungesën e kulturës së të dëgjuarit, e cila është shumë sfiduese, por që tek ne është aset i yni. Mbajmë numrin një në këtë aspekt të kulturës se të dëgjuarit. Gjithashtu kultura e të shkruarit është shumë e rëndësishme, duke konsideruar që të ne komunikimet kryhen dhe me shkrim, për të përcjellë sa më qartë dhe në mënyrë profesionale mesazhin, shpjegimin, arsyetimin e rastit që diskutohet dhe evituar ecejaket pa fund të komunikimeve që rezultojnë të padobishme në fund të ditës.
Moto që përdorni gjatë punës?
Motoja me të cilën zgjohem dhe vi çdo mëngjes në Universitet dhe mbyll dritat e zyrës çdo pasdite, është fakti që unë e konsideroj Kolegjin Universitar Luarasi dhe Qendrën FAB si investimin tim personal, për të cilin punoj maksimalisht që t’i kthej minimalisht vlerën e investimit dhe ta bëj atë një projekt të suksesshëm dhe fitimprurës, dhe meqë sot jam e punësuar këtu, e shoh këtë si Universitetin tim dhe Qendrën time Kërkimore Shkencore, të Projekteve dhe të Inovacionit, si investimin tim.
Disa nga aftësitë që ju ndihmojnë më shumë gjatë punës?
Etika e lartë, logjika, korrektësia, analiza e fortë, dhe mbi të gjitha përgjegjshmëria.
Mënyra për të larguar stresin e punës?
Unë kam një problem të vogël, jam e fiksuar mbas punës (alcoholic). Prandaj koha me familjen time dhe në mënyrë të veçantë një përqafim i mrekullueshëm nga Anri, im bir, i cili më largon gjithë lodhjen dhe stresin e ditës, është një lehtësim i madh për mua.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.