Në shoqërinë tonë, fjalët “i mirë”, “i afërt”, “i dashur”, por edhe “i ftohtë”, “i çuditshëm” apo “antipatik” shpërndahen me një lehtësi të çuditshme. Por ndër të gjitha, fjala “antipatik” është një ndër më të zakonshmet që njerëzit përdorin për të gjykuar dikë, shpesh pa njohur as emrin e tij. Dhe, çuditërisht, janë zakonisht pikërisht ata që vetë nuk janë të dashur, që e përdorin më shpesh këtë etiketë.
Nëse vëzhgojmë me kujdes, vërejmë një ironi të fortë ata që e quajnë tjetrin “antipatik”, janë shpesh më të mbyllurit, më të vrazhdëtit, më të gjykueshmit në sjellje. Për më tepër, ajo apo ai që e përdor këtë fjalë për të përshkruar dikë tjetër, në fakt është vetë një person antipatik. Kjo nuk është vetëm një konstatim, por një ligj i përvojës njerëzore: njerëzit që etiketojnë të tjerët me “antipati”, shpesh janë ata që përçojnë të njëjtat cilësi që i akuzojnë tek të tjerët mungesë ngrohtësie, mungesë mirësie dhe sjellje të ftohtë apo të ashpër.
Jo rrallë, pas kësaj fjale fshihet një ego e lënduar, një boshllëk i brendshëm emocional ose thjesht një ndjenjë e thellë xhelozie. Në fakt, sipas studimeve të sjelljes sociale, xhelozia është një nga nxitësit më të zakonshëm të etiketimeve negative, sidomos ndaj atyre personave që nuk përpiqen të jenë të pranueshëm nga turma, por mbajnë vlera të qarta dhe individualitet të fortë. Psikologët e shpjegojnë se një individ që ndjen kërcënim nga dikush më i sigurt, më i qetë apo më autentik, shfaq shpesh xhelozinë në formën e përçmimit të heshtur, duke e etiketuar tjetrin si “i ftohtë” apo “antipatik”.
Në psikologji, ky fenomen njihet si projeksion emocional pra kur një njeri nuk arrin të përballet me cilësitë ose ndjenjat negative që i ka brenda vetes, ai i “hedh” ato mbi të tjerët. Prandaj, dikush që e ndjen veten të pakëndshëm në shoqëri, mund të cilësojë të tjerët si të pakëndshëm. Dikush që nuk di të ndërtojë lidhje të vërteta, i quan të tjerët të ftohtë. Ky është një mekanizëm mbrojtës i zakonshëm, por i rrezikshëm.
E vërteta është se njerëzit me shpirt të mirë, ata që vërtet kanë empati dhe thellësi, nuk janë të prirur të gjykojnë shpejt. Ata i afrohen një personi me kureshtje, jo me paragjykim. Ata kuptojnë se çdo njeri ka një histori, një mburojë, një heshtje që nuk është për t’u përbuzur, por për t’u kuptuar.
Në anën tjetër, personat që përdorin etiketa si “antipatik”, zakonisht janë të lodhur nga vetja. Ata nuk janë të interesuar të njohin të tjerët, sepse nuk i njohin as vetveten. Ata e matin “simpatinë” me nivelin e zhurmës, me sa shumë flet dikush, apo sa shumë i përshtatet masës. Një njeri i thellë, i rezervuar, që flet pak por peshon fjalën për ta është “i ftohtë”. Një njeri që nuk i përkulët turmës për ta është “i ashpër”. Një njeri që nuk falsifikon buzëqeshjen për ta është “antipatik”.
Ky realitet është alarmues. Sepse kemi krijuar një shoqëri ku më shumë vlerësohet fasada sesa thellësia, zhurma sesa përmbajtja, përshtatja sesa autenciteti. Dhe të gjithë ata që nuk përshtaten lehtë, por që ruajnë integritetin, shpesh ngelen të paragjykuar.
A është dikush vërtet antipatik apo jemi ne që nuk kemi durimin ta kuptojmë?
Shumë njerëz që konsiderohen “të mbyllur” apo “të pashoqërueshëm” janë thjesht të lënduar, të përmbajtur, ose të urtë. Ata nuk janë të prirur për hipokrizi, nuk i japin të gjithëve energji falas dhe nuk përpiqen të bëhen të pëlqyer me çdo kusht. Kjo nuk i bën më pak të vlefshëm, përkundrazi. Ndoshta ata janë më të sinqertët që kemi përballë.
Në një botë ku paragjykimi është bërë normë dhe vlerësimi matet me përshtypje të çastit, ndoshta ka ardhur koha të ndalemi dhe të pyesim se kush janë vërtet të antipatikët, ato/ata që heshtin dhe ruajnë veten, apo ato/ata që gjykojnë pa njohur askënd?
Ndryshimi fillon kur ndalojmë së gjykuari dhe fillojmë së kuptuari. Sepse ajo që quajmë “antipati” tek të tjerët është shpesh mungesë ndjeshmërie brenda vetes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.