Mirëqenie

December 30, 2017 | 8:11

Anxhela Peza: “Zonja Tirana”, rrëfim për femrat e vërteta intelektuale të kryeqytetit në 1900

Nga Orjona Tresa

Ajo është prej vitesh autore e shkrimeve që botohen për lexuesit e revistës “Psikologjia”. Njëherësh është pedagoge e lëndës së psikologjisë në universitet, pjesëmarrëse me mendimet e zgjidhjet që ofron për personazhe të ndryshëm në emisionin“Me zemër të Hapur” në News24, e po aq është autore librash profesionalë dhe artistikë. Zhanri i fundit e tërheq po aq sa dhe vetë profesioni, i cili e identifikon më së shumti në shoqëri.

Anxhela Peza, psikologe klinike, pedagoge dhe autore librash psikologjie dhe letërsie

Anxhela Peza, psikologe klinike, pedagoge dhe autore librash psikologjie dhe letërsie

Këtë herë Anxhela Peza nuk është ndalur me këshillat e saj sa i takon aspektit social shoqëror, problematikave që sjell jeta, por vjen në një rrëfim që atë vetë e ka tërhequr tej mase, duke e sjellë të shkruar në formën e një romani. Është historia e bukur e një zonje të fisme e të bukur, që rridhte nga dy dyer të fisëm siç ishin Toptanasit dhe Frashërit.

Letërsia është një pasion që nuk mund të fshihet nga psikologja e njohur Peza, e cila shfaqet me tërë plotësinë e saj. Në këto ditë feste, “Zonja Tirana” është një libër që do ju njohë edhe më shumë me dy fiset e njohura e historinë e dy familjeve me emër të kohës që bënë krushqi për të mbajtur të fortë qëndrueshmërinë e trungut prej nga rridhnin.
“Zonja Tirana”, një titull-botim që tingëllon më shumë si libër biografi. Në fakt e keni cilësuar si roman. Pse erdhi kjo zgjedhje?

Një pjesë të kësaj zgjedhje e kam shprehur dhe në parathënien e librit. Isha në kërkim të një gruaje feministe, tironse intelektuale, moderne për kohën, dhe të kishte dhënë kontribute në vendin e saj. U gjenda krejt rastësisht me një bllok të sajin, shënime të cilat ishin të vjetra më shumë se një shekull. Është një histori e vërtetë ndërthurur me stilin letrar, për t’i dhënë më shumë ngjyrë emocionale ngjarjeve dhe përshkrimeve të paraqitura në libër.  

Çfarë ju ngacmoi të shkruanit për Qevser Toptanin?

Ndër të tjerash, të cilat i përmenda më lart, historia e jetës së kësaj gruaje ishte mjaft interesante në shumë dimensione, atë historik, kulturor, arsimor, filantropisë, njerëzor, të dashurisë. Për të nuk është folur pothuajse fare. Unë sigurisht nuk jam historiane dhe nuk mund ta përcjell historinë si të tillë, ama di ta shpreh atë nëpërmjet letërsisë. Pasi dhe vetë letërsia mbart një mision të tillë për të shprehur realitetin e kohës.  

Letërsia e Psikologjia, si qëndrojnë në raport me njëra-tjetrën tek Anxhela?

Pothuajse njësoj, si nëna me fëmijët e saj që nuk i ndan dot. Dhe herë pas herë në kohë të ndryshme mund ti shtohen debulesa për njërin apo tjetrin në varësi të situatave apo ngjarjeve. Letërsia ka mjaft psikologji në vetvete, formimi mbi psikologjinë mund të ndihmojë në shkrimet e mia. Ndoshta, por asgjë nuk është decizive.

Sa “xhelozi” ka mes të dyja apo ti i kontrollon në raport barazpeshues për të mos ka zbehur vlerat asnjërës?

S’ka arsye pse të ketë. Të qenit psikologe është profesioni im të cilin e bëj me mjaft dëshirë, të paktën deri tani. E kam pasur të qartë shumë herët se çfarë do bëhesha. 

Gati një muaj pas botimit të “Zonja Tirana” keni marrë reagime, si e kanë pritur?

Reagimet kanë qenë pozitive, libri u ka pëlqyer, i është dukur një histori interesante. Ajo që më vetëkënaq është se edhe ato të cilët kanë qenë në dijeni të kësaj historie e kanë pëlqyer librin, janë përlotur dhe e kanë vlerësuar. Përveç kësaj, lexuesi është i vështirë të matet, këtë e tregon koha. Tani dhe rrjetet sociale në opinionet për librin kanë votën e tyre.

Në fakt, cili është çelësi që e zbërthen këtë libër?

Mënyra e përshkrimit të librit nuk është se ka të bëjë me një libër i cili të mban peshë gjithë kohës, se çfarë do ndodhë tani apo pastaj. Është një ngjarje krejtësisht njerëzore informuese për ata që e duan librin dhe marrin mesazhe prej tij. Atë çka mund të them unë për librin mund të mos jetë ajo që kupton apo merr lexuesi.

Kush është pasardhësi i fundit i Zonjës Tirana, e që i keni “trazuar” shpirtin emocionalisht?

Zonja Tirana pati një vajzë, Suzi-n. Ajo solli në jetë tre vajza Eliana, Mimoza dhe Hilda, të cilat më kanë ndihmuar në informacione të mëtejshme për të dhe sigurisht e kanë përjetuar këtë libër më emocione të shumëllojshme.

A ka një mesazh që përcillni me këtë libër?

Po, Kryeqyteti i Tiranës ka pasur femra të vërteta intelektuale të cilat kanë dhënë një kontribute të ndryshme në emancipimin e gruas, dhe formimin e vendit shumë herët, në fillesat e 1900. Kjo ka qenë qëllimi im pastaj gjatë leximit të romanit merr forma të tjera mesazhesh.

Si ia del Anxhela të bëjë profesionin dhe pasionin njëherësh?

(Qesh) Profesioni është përditë, sepse punoj. Pasioni është diçka që rrjedh si i do qejfi vet, e kur të vjen për të shkruar, t’i shkruan në çdo moment që gjendesh. Në zyrë, në shtëpi, kur je në udhëtim, kur ke marrë frymëzim e të tjera si këto. Asnjëra nuk e pengon njëra-tjetrën.

Kur i hyn në hak njërit apo tjetri?

I hyj në hak se çfarë vendos për të botuar letërsi apo psikologji. Aty mendoj se mund t’i hyj në hak. Por më së shumti letërsisë, pasi kërkon kohën e saj dhe unë mund të jem shumë e ngarkuar me periudha të ndryshme në projektet me punën time si psikologe.

Letërsia është shpëtim për mendjen. Çfarë sugjeroni për këtë?

Kush e njeh magjinë e librit e di mirë se aty gjen, mesazhe për jetën, zhvillimin e kultivimin e jetës së njeriut, ka raste që nëpërmjet një autori mund t’i shërbejë lexuesit si një guru.

Urimi juaj për lexuesit për vitin e ri!

Qoftë viti 2018 një vit që të sjellë tek ju atë që keni pritur gjatë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top