Në fokus

December 30, 2017 | 8:10

Arritjet e 2017, objektivat e 2018

1

Iku dhe një vit, i mirë apo i keq, apo nuk u ndie fare… Si i bëhet që ende nuk kemi bërë asgjë ose ato që bëmë, nuk mjaftuan dhe na kanë mbetur të hapura ende?! Muaji i fundit i vitit, disa i trishton, disave u sjell gëzim. Të tjerë bëjnë sikur lumturojnë, e shumë të tjerë nuk i emocionon më dhe u duket si çdo muaj tjetër.

Anxhela Peza Psikologe Klinike dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Megjithatë, dhjetori është konsideruar si “dhjetori i dritave” në mbarë botën. Në këtë muaj, njerëzit gëzojnë për dy festat më të rëndësishme, Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Vendi ynë përfshin dhe festat e fundnëntorit si ajo e Flamurit, Nata e Bardhë, pra na merr një varg i madh festash. Aktivitetet e pranishme për secilën, traditat, si pastrimi i shtëpisë në mënyrë intensive me idenë se viti i ri që vjen t’i gjejë me një shtëpi të pastër, të bukur dhe të pasojë si i tillë gjithë vitin. Organizimi për të gatuar ushqime dhe ëmbëlsira të veçanta, pa harruar traditën e gjelit, bakllavasë dhe kadaifit që karakterizon shtëpitë shqiptare. Fryma pozitive e atmosferës festive i bën njerëzit më të qeshur, më të harmonishëm, më të përqendruar tek të afërmit e tyre, duke mos harruar dhe miqtë, të cilët i konsiderojmë vërtet të ngushtë. Është pikërisht koha ku mund të falim personat që na mungojnë, ata që na presin që ne t’i falim. Jeta është e gjatë sa dhe e shkurtër, të përpiqemi të shpërndajmë dashuri, energji pozitive. Shoqërizimi në komunitet ka sjellë një solidaritet, ku fqinji është konsideruar më shumë se i afërm, këdo mund të bëjmë të lumtur duke bërë paqe me veten në fillim, pastaj me tjetrin, me mërzitë e akumulura. Në ditë të tilla vihet re një bashkëpunim në familje, siç mund të jetë përgatitja e pemës me dekoret e saj. Mënyra se si prindërit kultivojnë te fëmijët rolin e festave, duke vendosur vlera dhe respektimin e normave, traditave që karakterizojnë jetën e njeriut. Kjo është dhe në varësi të komunikimit që vendoset me fëmijët dhe llojit të stilit të prindërimit që zgjidhet për të edukuar fëmijët. Dekorimi i pemës, për fëmijët në veçanti, sjell buzëqeshje, dashuri, gëzim, ku këto ndjesi pozitive ruhen dhe në ditët në vazhdim. Ata aktivizohen në shkollë me këngë, vjersha, festa të vogla. Përshtatja me veshje të kuqe, e cila vjen si tendencë e babagjyshit apo dhe vetë Krishtlindjes, krijon një atmosferë frymëzuese e argëtuese gjithkund. Madje, dhe bebet vishen me të kuqe, si një ogur i mirë për shtëpinë dhe vitin pasardhës. Pushimet e shkurtra janë të mira jo vetëm për t’i kaluar festat në qetësi, por dhe për të lënë pas çdo gjë të vitit të kaluar dhe për të filluar tjetrin me të tjera objektiva e qëllime. Ne po jetojmë në një krizë jo vetëm shoqërore, por edhe ekonomike, ku dhe festat nuk mund të kalohen siç i dëshirojmë. Ka familje që nuk mund të shtrojnë ushqim mjaftueshëm në tryezën e tyre, çka sjell një stres negativ te kryefamiljarët. Por, çdo gjë e vogël sjell ndryshimin e mjaftueshëm për të kënaqur gjithë familjen. Nuk është e thënë se dhuratat duhet të jenë të mira shumë, të shtrenjta. Një send i dhuruar, tregon një mendim, një ndjenjë dhe kjo do të thotë shumë për të gjithë. Fundja dhe ato sjellin ndryshim në familje. Ajo që nuk duhet harruar asnjëherë në raste të tilla është dashuria, siguria që të jep njeriu që ke për zemër. Sa më pozitivë të jenë të mëdhenjtë, aq më të qeshur do të jenë më të vegjlit. Bëni një listë me arritjet e 2017-ës e objektivat e 2018-ës dhe do të jeni më të fokusuar te sukseset tuaja. Gëzuar Vitin e Ri 2018 me të mirat e dëshiruara!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top