Gjatë viteve të punës time, si mësuese, pedagoge dhe drejtuese kam mbrojtur në çdo hap vajzën nxënëse, vajzën studente, vajzën mësuese, vajzën apo gruan drejtuese, me pak fjalë, gjininë femërore e kam pikë të dobët!
Nga Xhoi Jakaj
Kam bëre të pamundurën ta ndihmoj e përkrah edhe një vajzë apo grua në konflikt me ligjin pas hekurave të burgut 325 në Tiranë, gjithmonë nëse e kam parë që i është dhënë dënim i padrejtë.
Kam siguruar mbështetje edhe rehabilitimin e tyre në mënyrë që kur të dalin nga ai institucion ta kenë të mundur socializimin, t’i pranojë shoqëria, të punësohen dhe të vazhdojnë normalisht jetën e tyre pa i stigmatizuar me dogma nga më të ndryshmet… Kam vepruar në këtë mënyrë sepse ashtu jam brumosur, e fortë të mbroj ata që sulmohen, dhunohen, apo qoftë dhe dënohen pa motive, sepse janë gra të braktisura në fatin e tyre….
Me shumë keqardhje sot shoh një luftë të madhe në rrjetet sociale ndaj grave e vajzave e jo vetëm për ato të botës së spektaklit apo televizionit, që është në pikën më të lartë dhe fare e padrejtë, një marrëzi kolektive për mendimin tim personal, por këtë mllef e vë re edhe ndaj një ministreje, deputeteje apo drejtueseje të rangut të lartë.
Me keqdashësi i ofendojnë, bullizojnë dhe anatemojnë nëse janë me një krah politik e jo një tjetër. Të xhindosur i prekin me fjalë të rënda nëse flasin me gjuhë të butë apo të ashpër… i denigrojnë dhe përgojojnë edhe për aparencën e tyre… Ndërkohë, maja e asbergut është guximi i tyre për t’i cenuar me fyerje edhe familjet e tyre.
Sot kam një apel të madh që më vjen në formë revolte së brendshmi. Për vajzat e ekranit kam kërkesë të përzemërt, mbroni njëra-tjetrën, por edhe çdo vajzë në secilin skaj të Shqipërisë se ato ju shohin si idhuj… Për ju gra, ministre apo deputete të çdo krahu politik, mos lejoni që për shkak të bindjeve partiake të mos keni aleanca femërore.
Më të bashkuara sjellim civilizim, hapësira shoqërore për të komunikuar dhe probleme përtej nesh, por që përfshijnë të drejtat tona si gra të Shqipërisë. Mbroni dhe përkrahni ato gra e vajza që votuan dhe ju besuan se një ditë do loboni për to, kur janë të pamundura për t’u arsimuar dhe punësuar, për të realizuar ëndrrat e tyre në një botë maskiliste si kjo në të cilën ne jetojmë!
Për të gjitha koleget e mia mësuese të arsimit parauniversitar dhe pedagoge të sistemit universitar, luftoni çdo ditë për emancipimin e djemve dhe vajzave sepse zhvillimi vjen nga arsimimi dhe emancipimi i shoqërive patriarkale…
Ky apel vjen nga një grua …e rritur me një moto: Jeto, mëso, ndihmo e mbi të gjitha, mos u dorëzo!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.