Marrëdhënie

July 14, 2016 | 8:30

Arbër Çepani: Miqësia me ish-in… mision i pamundur!

Të mbetesh mik me ish-in është një marrëdhënie delikate dhe shumë e diskutuar. Një fenomen i trajtuar botërisht. Veçantia e tij lidhet me pikëpamjet e ndryshme të njerëzve për ekzistencën dhe më pas për mbijetesën e një marrëdhënieje të tillë. Për Arbër Çepanin, fituesin e edicionit të parë “Big Brother Albania”, një dashuri e prerë në mes nuk mund të kthehet kurrsesi në miqësi. Të gjithë e njohim për elokuencën në të shprehur, intelektin dhe angazhimet në projektet e njohura sociale. Ai rrëfen se për të pasur një marrëdhënie miqësore me njeriun për të cilin ke ushqyer ndjenja dhe dashuri, duket një “mision i pamundur”. Sigurisht që për Arbrin, personi me statusin “ish-i” është dikush që nuk duhet konsideruar si një i huaj, për aq kohë sa ruan kujtime të bukura nga marrëdhënia me të, por nga ana tjetër duhen respektuar disa koncepte etike në sjellje, sidomos kur je në një lidhje të re dashurie. Kur je vetëm, mund të jetë më e lehtë për ta shndërruar një dashuri të vjetër në miqësi, por, për të qenë realistë dhe për të mos bërë rolin e “mendjehapurit”, atëherë kur logjika dhe ndjenjat nuk e përballojnë, miqësia me ish-in është e papërballueshme. Arbri nuk ngurron të pranojë se preferon ta rendisë veten te “njerëzit konservatorë” dhe ta mbështesë marrëdhënien mbi disa baza etike në respekt të personit që ka në krah. Kur je vetëm, miqësi me ish-in mund të ketë, por nëse ke nisur një lidhje të re dashurie, marrëdhënia me të do të shërbejë si argument për ta shndërruar atë në grindje, xhelozi, mosbesim e pse jo, edhe në ndarje. “Duke qenë i vetëdijshëm për pasojat që mund të sjellë miqësia me ish-in në një lidhje të re dashurie, personalisht preferoj të mos i futem këtyre aventurave të guximshme që jo pak njerëz i përjetojnë… Kudo në botë njihen raste të tilla, personalitete të njohur ose jo, të cilët janë paragjykuar edhe nëse vazhdonin të ishin single. Në fakt, mbi këtë pikë, pajtohem me miqësinë me ish-in pasi nuk mban përgjegjësi dhe nuk lëndon askënd, dhe mbi të gjitha etika e sjelljes nuk është në plan të parë. Në këtë rast, pse jo… nga marrëdhënia me ish-in mund të shndërrohesh në friends with benefits”, përfundon duke buzëqeshur Arbër Çepani.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top