Radiografi

February 23, 2017 | 8:50

Arkiv / Edmond Panariti, profesorin e duan të gjithë!

Më rrallë e ndesh si burokrat tipik, në zyrën me ajër të kondicionuar e mbledhje ku të merret fryma nga stresi dhe tensioni. Më shpesh e gjen në qiell të hapur, arave apo tek tregtia e produkteve, në stalla apo aty ku mbarështrohet blegtoria, në fusha e në sera ku ka veç produkte bio. Dhe kaq i pasionuar sa është pas punës së tij, ai do sakrifikojë dhe spektaklin ku shqiptarët po lënë mend, “Evropianin 2016”, pasi qershori plot diell përkon dhe me një bum prodhimesh bujqësore. Ndërsa është i bindur se gjithmonë e më shumë një sektor i tillë kaq jetik do përvijohet si motori i ekonomisë shqiptare. Ky është Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë në qeverinë e “Rama”, një profesor që i gëzohet titullit akademik shumë më tepër se sa detyrave që vijnë e ikin, si i emëruar i përkohshëm.

Në moton e jetës së tij ka një parim të pandryshueshëm: Në fillim vjen njerëzorja, jashtë saj nuk funksionon asgjë. Ndërsa sekreti i jetës për të është mbajtja e gjërave në ekuilibër.

edmond-panaritiNë deklaratën e tij të pronësisë, të papublikuar dhe të mbajtur fshehur në sirtar, ai “shkruan” se është i pasur sa s’ka ku të vejë më, dhe investimi më i madh në jetë, është ajo çka do të lërë pas, dy djem që i kanë kaluar pritshmëritë e tij. Dhe kjo e bën mëse të lumtur, padyshim.

I suksesshëm në jetë por dhe në profesion, ai ka zgjedhur të ketë vetëm një këshilltare dhe një tjetër bashkëpunëtore të përhershme, që njehsohet në të njëjtin emër e që merr trajtën e bashkëshortes së tij. Por jeta i ka rezervuar ka dhe ndonjë peng, që jo pak e ka munduar. Dhe është i bindur se dukej të kishte qëndruar ca më tepër me njerëzit e dashur që tani nuk janë më në jetë. Ndaj dhe mesazhi i tij i thjeshtë merr një vlerë të madhe: qëndroni më gjatë me prindërit kur i kalojnë të 70-at dhe me fëmijët që ende si kanë mbushur 6 vjeç, sepse kjo mungesë nuk ka rikuperim asnjëherë.

 

Intervistoi Orjona Tresa

Perceptimi për ju është se jeni njeri që gëzon respektin e bashkëpunëtorëve dhe kundërshtarëve. Madje kur përmendet emri juaj, ata të cilët janë në kampin tjetër politik kanë vetëm fjalë të mira për ju. Si keni arritur t’i bëni të gjithë për vete?

Ju falënderoj që më krijoni mundësinë për t’u shprehur. Qëllimi im në ndërtimin e raporteve me njerëzit nuk është që t’i bëj ata për vete. Unë kam një parim. Fillimisht vjen njerëzorja. Nëse nuk ekziston ajo, nuk ekziston asgjë. Mundohem që në fillim të forcoj raportet njerëzore, të besueshmërisë dhe pastaj mbi to të ndërtoj marrëdhëniet institucionale, politike, profesionale, të ekspertizës, etj. Në këtë mes mundohem të krijoj klimën e përshtatshme të mirëbesimit, të etikës së komunikimit dhe pastaj çdo gjë tjetër ecën. Për fat, ky ende nuk është një standard i shumëpërqafuar në politikën shqiptare, ku e fundit thuhet e para. Pastaj prishen ato që janë themeli i çdo raporti: besueshmëria, klima normale e të komunikuarit dhe të biseduarit.

Si ju bën të ndiheni ky fakt?

Këtë parim e kam moto të jetës sime. Në fakt, më ka bërë përshtypje një mesazh që kam marrë nga një profesor i imi gjatë studimeve pasuniversitare në Gjermani, i cili e drejtonte leksionin nën një slogan: “fillimisht je njeri, pastaj profesionist”. Prandaj njerëzorja prevalon. Kjo më ka ndihmuar që të investoj në marrëdhënie me të tjerët dhe të kem atë që ju ma vutë në dukje, që gëzoj respekt sikundër dhe unë i respektoj shumëkrahët e politikës shqiptare, sepse mundohem t’i jap përparësi anës njerëzore, komunikimit, përtej asaj që vjen më pas, komunikimit politik, institucional, etj.

Shumica ju adresohet “profesor”. Si do të doni të mbaheni mend si akademik në fushën tuaj apo si politikan dhe zyrtar i lartë?

Ajo që mua nuk do të më shqitet gjatë gjithë jetës është titulli “profesor”. Profesionet e tjera janë të përkohshme. Sot je ministër, nesër një njeri i thjeshtë. Gjithsesi, titulli “profesor” është një titull që është kulmimi i një karriere dhe natyrisht jam shumë i privilegjuar që e kam dhe kjo në njëfarë mënyre do të më identifikojë gjatë gjithë jetës.

Në disa sondazhe të realizuara nga media në fund të 2015 keni rezultuar si një nga ministrat më të votuar. Si e gjykoni këtë?

Sigurisht, kushdo ndihet mirë kur shikon që perceptimi popullor është në favor të tij, por më lejoni të theksoj që synimi im nuk është indeksimi në pëlqyeshmërinë publike. Ajo mund të vijë, mund të mos vijë. Synimi im është realizimi i objektivave që unë i kam vënë vetes në momentin që kam marrë një përgjegjësi përsipër dhe veten time e mas në raport me realizimin e këtyre objektivave. Kësaj i shtohet edhe pëlqyeshmëria publike, sepse ne i shërbejmë në fund të fundit publikut dhe publiku ka pritshmëri, ndaj sigurisht që është një lumturi e madhe.

Një gjuhën mediatike jeni ministri më i papërfolur, në gjykimin e anës profesionale.

Unë përpiqem të ruaj integritetin tim si njeri, dinjitetin moral dhe sigurisht kam edhe kërkesa shumë të mëdha ndaj vetes time, pasi e konsideroj një përgjegjshmëri shumë të madhe pozicionin e ministrit, sikundër është një nder dhe privilegj edhe pritshmëria ndaj këtij pozicioni është shumë e madhe. Sigurisht, edhe presioni, edhe stresi në kuptimin pozitiv të fjalës është shumë i madh, në mënyrë që kur të mbarojë ky mandat të kesh kurajë të ballafaqohesh me opinionin publik dhe të bësh një bilanc transparence me pritshmëritë që ai ka pasur ndaj teje dhe ato që ti ke arritur të bësh.

Keni deklaruar se jeni ministër që rrini shumë pak në zyrë. Sa është i rëndësishëm për ju kontakti me fermerët?

Unë jam ministër i Bujqësisë. Bujqësia nuk të do të qëndrosh në zyrë, por arave, stallave, tregtisë së produkteve, mbarështimit të blegtorisë, fushave, në sera dhe në rast se nuk e ndjek në mënyrë të drejtpërdrejtë jam i dështuar që në fillim. Prandaj unë i kam dhënë vetes sime minimumin e kohës në ministri dhe jam më shumë në terren. Shumë punë ia delegoj vartësve të mi dhe vetë jam në ndjekje direkte të problemeve të bujqësisë. Kjo më ka rezultuar efiçente për të arritur objektivat dhe synimet që kemi ne për zhvillimin e sektorit.

1

Si e shikon prof. Panariti zhvillimin e bujqësisë shqiptare?

Gjithmonë e më shumë bujqësia po përvijohet si motori i ekonomisë shqiptare, perspektiva e këtij vendi prodhues është bujqësia. Ne dhe atë industri që kemi e lidhim me bujqësinë. Ekonomia nuk është se prodhon as televizorë, as tanke, as avionë. Shqipëria edhe atë industri që e ka, e ka të lidhur ngushtësisht me bujqësinë, industrinë agro-përpunuese të produkteve bujqësore e blegtorale. Ajo që unë vërej me kënaqësi është se ky sektor ka marrë një rrugë të jashtëzakonshme. Viti që u mbyll, ka pasur një hov spektakolar zhvillimi, gjë që u reflektua në një rritje prej 25% të eksporteve, krahasuar me një vit më parë. Ajo që mua më gëzon është se bujqësia shqiptare po profilizohet në disa avantazhe konkurruese. Tashmë presim dhe në atë që unë i konsideroj potenciale të pashfrytëzuar të bujqësisë shqiptare në drejtim të prodhimit bujqësor, siç janë: prodhimi i perimeve, bimëve mjekësore, vreshtave, i verës, blegtoria, frutat, shpendët, vezët, qumështi, dhe prodhimet nga të imtat, dhe po rikonsiderojmë disa prioritete të së kaluarës, të cilat nuk janë, pasi bujqësia zhvillohet gjithmonë sipas interesave të tregut në raport me aftësinë konkurruese, sikundër po ulim prodhimin e grurit dhe të drithërave, sepse Shqipëria nuk ka tokë për të qenë konkurruese.

Drejtoni një dikaster mjaft të madh. Si arrini ta menaxhoni gjithë këtë?

Ky është një dikaster me një shtrirje jashtëzakonisht të madhe dhe në mënyrë që ta përballosh me sukses duhet që për çdo sektor të përcaktosh dy-tri prioritete të mëdha. Të tjerat orbitojnë rreth tyre, por në asnjë mënyrë nuk duhet të çfokusohesh nga këto projekte fillestare. Në rastin e zhvillimit të bujqësisë unë kam vendosur si prioritet absolut krijimin e zinxhirit të vlerave, të cilat ndërtohen dhe funksionojnë rreth pikave të mëdha të grumbullimit dhe përpunimit. Unë e filloj ditën me këto prioritete të fiksuar në mendje dhe çdo gjë është në funksion të tij. Në rast se do të merresh me vogëlsira, me gjëra jorelevante, do të humbasësh kohën kot dhe nuk do arrish rezultatin e duhur. Kjo është e vlefshme për çdo sektor, ashtu si peshkimi ku unë kam prioritet ndërtimin e kantierëve të riparimit të anijeve, markatove të peshkut dhe shtimin e kapacitetit të peshkimit nga ana e flotës. Çdo gjë tjetër është në funksion të tyre. E njëjta gjë vlen edhe për blegtorinë, edhe për sektorin e administrimit të ujërave. Ndryshe është e pamundur, se këtu ka 1001 gjëra të vogla që mund të të ç’fokusojnë, mund të të shpërqendrojnë dhe të të ulin rendimentin.

Vitet e fundit vihet re se shqiptarët ia janë rikthyer punimit të tokës. Ju kam dëgjuar shpesh duke thënë se “toka nuk të tradhton kurrë”. A mund të ma shpjegoni?

Ky është një aforizëm, i cili niset nga fakti që ne kemi lindur, jemi rritur dhe do të përfundojmë në tokë. Pra, toka është burimi i gjithçkaje. Por toka është dhe burimi i mirëqenies dhe nuk të tradhton kurrë, sepse prodhimi bujqësor ka gjithmonë perspektivë. Në rast ka sektorë të cilët mbasi arrijnë zhvillimin, pastaj kalojnë në stanjacion, siç është sektori i ndërtimit, ku sot në Tiranë ka ndoshta 10 mijë apartamente pa shitur, pra arrijnë pikën e ngopjes, bujqësia asnjëherë nuk arrin në këtë pikë për faktin e thjeshtë se ne konsumojmë tri vakte në ditë, për faktin tjetër se gjithmonë popullsia në botë do të shtohet dhe tregjet e huaja kërkojnë më shumë të importojnë produkte ushqimore, prandaj është gjithnjë një veprim i mençur të investohet në bujqësi dhe është kënaqësi të shohësh se pjesa më e madhe e shqiptarëve tashmë e kanë kuptuar këtë mesazh dhe i janë kthyer bujqësisë. Kjo është kënaqësi, sepse së fundmi po shikojmë se ekonomia shqiptare nga një ekonomi shërbimesh po kthehet në një ekonomi prodhuese dhe kultivuese.

A ka politika të veçanta për t’i afruar emigrantët të investojnë në fushën e bujqësisë?

Emigrantët janë në majën e personave që unë, ministria dhe qeveria shqiptare kemi në konsideratë për t’i favorizuar si investitorë për disa arsye. Përveç se janë bashkatdhetarë, ata kanë njohje të mirë dhe të drejtpërdrejtë të kushteve në Shqipëri, të tokave, të specifikave. Ne mundohemi që t’i inkurajojmë, duke i nxitur dhe stimuluar ata që paraqesin plane zhvillimore të biznesit, u vëmë në dispozicion toka shtetërore me qira dhe mundësisht i përfshijmë në skemat e mbështetjes financiare nëpërmjet fondeve të mbështetjes buxhetore, por edhe nëpërmjet mekanizmave të mbështetjes nga Bashkimi Europian nëpërmjet fondeve IBA.

A mendoni se një i ri mund ta shikojë të ardhmen e tij duke investuar në bujqësi? Keni disa shembuj konkret?

Së fundmi, dy të rinj që ishin kthyer nga emigracioni, me vullnet dhe me dëshirë, më kërkuan rreth 1 hektar sipërfaqe toke ku mund të ndërtonin një serë. Ishte kënaqësi të ulesha me ta për t’i instruktuar që të fillonin të aplikonin dhe shumë shpejt, edhe me kursimet e tyre fillimisht, do të investojnë. Idetë i kishin shumë të qarta, edhe pse njëri prej tyre studimet i kishte në ekonomi, kishte ardhur të investonte në vendin e tij. Shembuj të tillë ka shumë. Në një takim që pata me disa të rinj italianë, të shoqëruar nga konsulli italian në Shkodër, më kërkuan që t’u vija në dispozicion rreth dy hektarë tokë për të filluar një biznes të tyrin, me kursimet personale, që të punonin tokën tonë. Kishin investuar në një hektar sera, me një bimë që quhet shafran, e kishin prodhuar e çuar në tregun italian dhe kërkonin të zgjeronin hapësirë. Duke iu mundësuar edhe dy-tri hektarë të tjera tokë me qira, ata përveçse prodhojnë, kanë punësuar edhe vendas. Kjo më impresionoi shumë. Në kontaktet që kam pasur me studentët e bujqësisë, të cilët shpesh ankohen për mungesën e perspektivës, ua kam thënë këtë gjë. Perspektiva është, por duhet të kesh sy dhe mendje për ta parë atë. Pra, mundësitë janë të pafundme. Bujqësia e ofron këtë mundësi. Është një trend pozitiv, që rikthen kultivimin, prodhimin e tokës, duke garantuar një mirëqenie të qëndrueshme.

Çfarë disfavoresh kemi ne nga vendet e rajonit dhe çfarë favoresh? 

Një disfavor që ne e kemi është diçka që tashmë nuk mund të zhbëhet ose do të kërkojë kohë që të zbutet: është fragmentimi i tejskajshëm i tokës sonë bujqësore nëpërmjet ligjit 7501, i cili ishte produkt i reformës agrare. Në atë kohë mungoi mendimi profesionist, një politikë vizionare dhe për më tepër u ushqye nga tendencat populiste të shpërndarjes së tokës për të kënaqur apo për të zbutur presionin që vinte nga varfëria. Gjërat u bënë me nxitim dhe tokat, ish-kooperativa bujqësore iu shpërndanë ish-kooperativistëve, sepse ata nuk kishin burim tjetër jetese. Qe një gabim i madh, nuk mund të ndreqet plotësisht, por mund të zbutet dhe po vihet në zgjidhje. Ndërmarrjet bujqësore administronin sipërfaqe të tëra toke, me mijëra hektarë, që do t’i bënte ato shumë më konkurruese dhe shumë më efiçente, se sa fragmentimi që iu bë, duke e ndarë tokën në afërsisht 380 mijë fermerë që administrojnë secili jo më shumë se 1.2 ha tokë. Ish-ndërmarrjet bujqësore ishin pronë publike shqiptare dhe nuk ishin prona të personave që punonin. Ne të gjithë kemi qenë të punësuar. Kjo na ka bërë që të gjejmë mekanizmat e korrigjimit të këtij fenomeni. Fillimisht duke hapur tregun e tokës, mekanizmin e shit-blerjes. Ai që nuk është në gjendje ta kultivojë tokën, të paktën ta shesë atë. Më parë duhet të ketë një certifikatë pronësie. Prandaj vullneti dhe këmbëngulja ime është që të çoj patjetër drejt finales ligjin 7501, që titulli i pronësisë, e famshmja “tapi” të kthehet në certifikatë pronësie. Vetëm në këtë mënyrë ai që është pronar i ligjshëm, ka të drejtë ta shesë apo ta blejë tokën. Një mekanizëm që po funksionon dhe që unë shoh që është motori më i fuqishëm i konsolidimit të tokës, i zgjerimit, i sipërfaqes së konkurrueshme, e cila duhet të jetë të paktën mbi 15 ha, është bashkimi i fermerëve, në kuptimin e disa aksionerëve, ku secili parcelën e tij e ka aksion në këtë sipërmarrje.

Dhe kush është motori i këtij konglomerati?

Janë disa biznese që i organizojnë fermerët sipas nevojave të tregut të cilët kanë rezultuar si modele të suksesshëm e që po përhapen në të gjithë Shqipërinë. Këto biznese unë i quaj agregues. Është porositësi që përcakton rregullat e lojës. Bizneset e shitjes së produkteve bujqësore organizojnë fermerët se çfarë duhet të mbjellin, në mënyrë që tregu të mos mbingopet vetëm me një produkt. Sigurisht, të gjithë kanë të drejtë të mbjellin çfarë të duan, por nuk mund të mbjellësh atë që ti mendon se është më e mira, por do mbjellësh atë që ka nevojë tregu. Po të shohësh, ekonomia jonë po profilizohet. Ka sera me luleshtrydhe, agrume, plantacione me portokalle, lulelakër, pazi, brokoli në sipërfaqe të konsiderueshme, por të profilizuara në raport me kërkesat e tregut. Ky është një mekanizëm i ri, të cilin unë e quaj “bujqësi me porosi”. Në Xarë kemi një model të suksesshëm, një nga plantacionet më të mëdha në Ballkan për mandarinat, klementinat. Këtë vit kanë pasur një prodhim spektakolar, 17 mijë ton mandarina dhe në fund të nëntorit nuk kishte asnjë kokërr mandarinë në treg. Pati treg që nga Kosova deri në Bjellorusi. Ne po inkurajojmë edhe fermerët e tjerë të bëhen pjesë e kësaj sipërmarrjeje. Kemi bërë hartën e rajonalizimit të bujqësisë. Për shembull në Vlorë kemi përcaktuar prodhimin e mandarinave, blegtorinë e imët, peshkimin si prioritete për t’u mbështetur. Në rajonin e Korçës, pataten, mollën, qepujkën, fasulen pllaqi, gogozharet. Sigurisht që fermeri është i lirë të prodhojë çfarë të dojë. Ne vetëm i orientojmë dhe mbështesim ato kultura që kanë perspektivë dhe sjellin të ardhura. Prandaj nuk është surprizë që kemi pasur 25% rritje të ardhurash dhe këtë vit do të kemi edhe më shumë, sepse ky është modelin në të cilin unë besoj fort, të cilin nuk e shpika unë por ai që e ka çuar bujqësinë europiane aty ku është dhe duhet të jetë konstant. Unë do të jem sa do të jem këtu, por edhe ministri i radhës duhet ta ketë mënyrë konstante bujqësinë dhe zinxhirin e vlerave, bujqësinë në raport me tregun dhe jo në raport me dëshirat spontane apo individuale.

A janë fermerët shqiptarë gati të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare me produktet e tyre? Ekzistojnë produkte “made in Albania”?

Bujqësia bëhet me tru, pastaj me muskuj. Duhet të jesh i mençur dhe për këtë duhet të konsultohesh me specialistët, ata njerëz që i njohin tregjet dhe për të orientuar bujqësinë aty ku ajo realisht ka avantazhe konkurruese. Ne kemi avantazh kulturën e ullirit, por ullinj nuk prodhon vetëm Shqipëria, por edhe Spanja, Italia e Jugut, Franca, etj. Si arrijmë ne të jemi konkurrues? Me sasi? Absolutisht, jo. Ne konkurrojmë vetëm me cilësi, sepse prodhojmë vaj me varietet autoktone. Prodhojmë vajin e kalinjotit me frantoja. Ajo që ndodh është shumë surprizuese.

Cilat janë veçoritë e tyre, të cilat i bëjnë të kërkuara jashtë?

Eksportojmë vaj ulliri edhe në Hong Kong. Ka sipërmarrje që prodhimin e tyre e eksportojnë 100% në Zvicër dhe e sheshin me 17 franga zviceriane litrin, ndërkohë ne importojmë vaj ulliri edhe me 2 Euro për litër. Por pse vaji ynë është konkurrues me atë italian apo spanjoll? Sepse prodhohet me një varietet, i cili ka përqindje të antioksidantëve dhe polifenolike shumë më të larta. Për disa tregje elitare, si Zvicra, nuk ka rëndësi çmimi. Ata janë konsumatorë të pasur. Për ta ka rëndësi cilësia. Këtu krijojmë të ardhura shumë më tepër, se sa mund të krijojmë me prodhimin masiv. Kjo gjë është e vlefshme dhe për kultura të tjera. 100% e prodhimit të gështenjës eksportohet në Itali. Dikush mund të thotë se kjo është e padrejtë, por jemi shoqëri e hapur dhe çdo gjë e përcakton kërkesa dhe oferta. Gështenja jonë shitet shumë më shtrenjtë në Itali, ndërsa këtu importojmë gështenjë të huaj me çmim më të ulët. Ajo që më intereson mua si ministër bujqësie është që të rriten të ardhurat nga bujqësia nga ekonomia ndërkombëtare. Vitin e kaluar bujqësia shqiptare ka futur nga eksportet, të ardhura 60 milion dollarë më shumë se një vit më parë, sepse janë tregjet e huaja ato që e maksimalizojnë fitimin. Një bujqësi që nuk eksporton është një bujqësi që nuk zhvillohet. Tregu shqiptar është i vogël sepse ne kemi 3 milion konsumatorë, ndërsa bota është shumë e madhe.

Cilat janë avantazhet që ka bujqësia shqiptare nga grantet e BE?

Pata kënaqësinë që para dy muajve të firmos shumën më të madhe historike që BE ka vënë ndonjëherë në dispozicion për bujqësinë shqiptare, 72 milion Euro, nëpërmjet granteve dhe programeve IBA deri në vitin 2020. Kjo është komplementare edhe me fondet që vijnë nga buxheti i shtetit dhe donatorët. Kemi filluar procesin e stimulimit të aplikimeve të fermerëve, të cilët duhen inkurajuar, dhe ndihmuar për të bërë aplikime, sepse është diçka serioze që kërkon kohë dhe përkushtim. Fermeri nuk e ka këtë kohë. Pra, dikush tjetër duhet ta asistojë atë. Personalisht, jam marrë me këtë punë që të ndihmoj fermerët në mënyrë të zgjuar, që kur të plotësojnë formularët e aplikimeve të kenë garanci për një finale të suksesshme. Ky proces ka rezultuar i tillë. Këtë vit pretendojmë të kemi 3 mijë fermerë më shumë përfitues të skemave, granteve e subvencioneve, por janë futur në lojë edhe programe të tjera siç është ai i zhvillimit të bujqësisë në zonat e paavantazhuara me një fond prej 13 milion Eurosh nga qeveria daneze dhe gjermane, të cilin unë pata nderin ta nënshkruaj sapo mora këtë post si ministër. Tashmë kemi përfituesit e parë dhe ka filluar inaugurimi i bizneseve. Bujqësia e ka marrë drejtimin e saj, sepse ka gjetur rrugën e duhur, e cila bazohet te zinxhiri i vlerave, tek enët e mëdha që mungonin. E kuptova këtë e fillimisht ndërtuam enën, se ndryshe ne grumbullonim thërrime. Unë u orientova dhe i përqendrova të gjitha financat publike me mbështetjen e donatorëve në krijimin e enëve të mëdha të bujqësisë shqiptare. Këtë vit kemi pasur një rritje agro-përpunuese në masën 16%. Ajo që nuk tregtohet si një produkt i freskët, përpunohet. Për shembull, cilësia e parë dhe e dytë e domates shkon në treg, ndërsa e treta bëhet salcë. Kryesorja është të tërheqim çdo produkt që është në arë, sepse drama e një fermeri është kur e shikon produktin të kalbet. Për fatin tonë të mirë, këtë vit në arë nuk mbeti kokërr qepe pa shitur në Korçë.

Jeni Doktor Shkencash në fushën e veterinarisë me disa tituj Dr Honoris Causa nga universitete prestigjioze të botës. Zotëroni 4 gjuhë të huaja. A keni ndonjë brengë që nuk merreni më me kërkim shkencor?

Në mënyrë figurative, unë nuk merrem më me kërkim shkencor, por mendjen aty e kam. Në fillim të mandatit si ministër, për të demonstruar direkt në laborator se si bëhen analizat, kam veshur bluzën e bardhë, kam marrë pipetën dhe epruvetën e kam bërë analiza reale të pranisë së mbetjeve toksike, pasi unë jam toksikolog. Dola për një moment nga vetja, nga kostumi i një zyrtari dhe bëra analiza live për të treguar se mjafton që të kesh dëshirë e vullnet për ta bërë një gjë të caktuar. Po kështu dhe për analizat e djathit, për të treguar se si zbulohet një prodhim i falsifikuar. Geni i kërkuesit është gjithmonë brenda meje e kërkon të shfaqet, pavarësisht se jam ministër. Unë e kam pasion dhe aty ku më jepet mundësia e tregoj.

Keni mbajtur disa pozicione shtetërore: Nën/kryetar Bashkie, Ministër i Jashtëm, tani Ministër Bujqësie. A mund të më thoni diçka të veçantë që lë mbresë në kujtimin tuaj?

Kam një kredo timen, dëshira ime është që për aq kohë sa do të jem në një pozicion publik, të lidh emrin tim me një realizim, në mënyrë që kur të dal prej këtej dikush të thotë që: “këto dy gjëra u bënë në kohën e tij”. Kjo është kënaqësia më e madhe. Ministrat qarkullojnë. Kjo është një ambicie edhe personale. Kur isha nënkryetar i bashkisë së Tiranës, tregjet ishin absolutisht prioriteti im. U përpoqa në çdo mënyrë të frenoj spekulimin, të kishte transparencë çmimesh. Insistova, dola treg më treg, kërkova të vendosej tabela me çmimin, artikullin. Nuk hezitova që në momentin kur pati spekulime për të rritur çmimet, të krijoja një treg alternativ me çmime të  stabilizuara, mu në qendër të Tiranës, në prag fundviti. Njerëzit e kujtojnë këtë gjë. E njëjta gjë ka qenë dhe për varrezat publike. Kërkova që të bëheshin murale, gjë e cila tashmë po materializohet. Ne nuk mund të vazhdojmë të zëmë tokë publike, por ndërkohë mund të fusim konceptin modern. Bisedova me komunitetet fetare, i binda të gjithë. Ndërkohë pata sfidë timen edhe parkun, ku kërkova që t’i jepej statusi i një parku kombëtar natyror. U futa me shumë guxim që të largoheshin të gjitha ndërtimet e paligjshme dhe kisha ndërmend edhe një plan për rehabilitimin e komplet pellgut ujor, mbi bazën e një skeme që kisha dëshirë, por nuk m’u la kohë për ta realizuar midis partneritetit publik dhe privat. Nga ana tjetër, pozicioni si ministër i jashtëm ka qenë nder dhe privilegj. Më lejoni t’ju them diçka. Momenti që vjen ministri i jashtëm, që është një përgjegjësi shumë e madhe, ke dy zgjedhje: mundesh të zgjedhësh të jesh politikisht korrekt, edhe nga pikëpamja e protokollit të lundrosh mbi problemet, të flasësh dhe të mos thuash dhe mund të jetë diçka që ti e zgjedh dhe ato dosje që merr, ia pason pasardhësit dhe gjërat nuk lëvizin; mundet pastaj, por kjo sigurisht kërkon kurajë dhe kosto personale, të kërkosh të zgjidhësh problemet, të cilat qëndrojnë përpara diplomacisë shqiptare. Kjo është diferenca midis politikanit dhe burrit të shtetit. Burri i shtetit merr përgjegjësi, merr dhe kosto dhe ndryshon gjërat. Politikani e merr dosjen, e përcjell dhe e kalon te pasardhësi.

Unë kam pasur dhe kam bindjen se politika e jashtme e Shqipërisë duhet të jetë kryesisht në shërbim të interesave kombëtare. Çdo gjë tjetër duhet të jetë e nënshkruar ndaj saj. Madje, për hir të mbrojtjes së interesave kombëtare mundet të merret përsipër edhe risku i ndonjë çrregullimi në marrëdhëniet bilaterale, multilaterale, sepse këto duhet të prevalojnë gjithmonë. Në atë kohë, me iniciativën personale vendosa me kurajë për të vendosur në platforma, bisedime të çështjeve të një rëndësie kombëtare. Për herë të parë u vendos në format zyrtar çështja e Çamërisë, çështja e ligjit të luftës, e pronave shqiptare në Shqipëri. Nuk pata absolutisht asnjë lloj hezitimi të konsultohem si pjesë e formatit zyrtar. Këto janë çështje të interesit kombëtar dhe politika e jashtme shqiptare e ka obligim kushtetues t’i shërbejë interesave kombëtare. Ky duhet të jetë lajtmotivi. E njëjta gjë edhe për problemet, të cilat janë çështje shumë delikate që kanë të bëjnë me sovranitetin e shtetit shqiptar, siç është marrëveshja e ujërave. Janë gjëra për të cilat duhet një qëndrim shumë mirë i pozicionuar e i artikuluar, që duhet të bazohet kryesisht te kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Absolutisht, asgjë nuk mund të bëhet përtej këtyre, prandaj pozicioni im ka qenë i qartë: që marrëveshja detare ishte nul, sepse ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e ktheu atë në nul dhe çdo gjë sigurisht duhet ndërtuar më pas në kuadrin e rihapjes së negociatave. Janë gjëra që kanë të bëjnë me integritetin dhe sovranitetin e vendit. Çështja kombëtare nuk është vetëm çështje e Republikës së Shqipërisë, por edhe çështje e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Kosovë dhe Mal i Zi. Unë nuk kam pasur asnjë lloj problemi për t’i thënë homologut tim serb në vizitën e tij zyrtare, që vetëm duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke njohur genocidin që ata kanë bërë me shqiptarët, unë shpresoj të normalizohet dhe t’i rikthehemi zhvillimit integral të një marrëdhënieje fqinjësie të mirë dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat. Interesat kombëtare duhet të udhëheqin politikën e jashtme të Shqipërisë. Ka pasur dhe shumë sfida të tjera dhe i jam mirënjohës stafit të Ministrisë së Jashtme. Ka qenë periudhë e bukur, por edhe sfiduese.

Vetëm një njeri që ka pasion punën që bën, arrin të materializojë idetë e veta. Sa këmbëngulës jeni?

Duke qenë i fokusuar, jam edhe këmbëngulës. Pyetja e parë që ministri duhet t’i bëjë vetes ditën e parë të punës është “çfarë do të bëj unë këtu? Cilat janë ato dy gjëra, (se më shumë nuk i bën dot) të cilat do t’i vendosësh në fokus të orientimit tënd dhe afatet kur do t’i arrish dhe të punosh me këmbëngulje për t’i realizuar”. Çdo gjë tjetër duhet të jetë në funksion të tyre. Në rast se nuk i përcakton këto objekte madhore të zhvillimit të bujqësisë apo diplomacisë apo energjetikës, mendoj se nuk arrin në asnjë vend. Ky është princip që më funksionon dhe në jetë. Pasi përcaktoj objektivat, ato kthehen në dominantë të mendjes sime dhe mendoj për to ditë e natë. Këmbëngul derisa të realizohen.

Cila është ambicia juaj më e madhe?

Të shoh realizimin e objektivave të mia.

Po pengu më i madh?

Kam dy pengje. Njëri, që nuk qëndrova pak më tepër me ata njerëz të dashur që nuk jetojnë më. Kam qëndruar shumë afër me mamanë time që është larguar nga kjo jetë, por mendoj se duhej të kisha qëndruar më gjatë. Nuk kthehet më ajo kohë. Më lejo të ndaj një mesazh për lexuesit tuaj: qëndroni më gjatë me njerëzit mbi 70 vjeç dhe ata nën 6 vjeç. Se edhe me fëmijët e mi duhet të kisha qëndruar pak më gjatë. Është një periudhë që nuk rikuperohet. Çdo gjë tjetër rikuperohet, por qëndrimi i gjatë me prindërit, me fëmijët… e kam peng që duhej të kisha qëndruar gjatë edhe me fëmijët. Unë tashmë po rri shumë më tepër me babanë tim, të cilit nuk i ndahem.

Janë ata modelet që ju kanë udhëhequr në jetë?

Unë kam marrë shumë dashuri prej tyre, pafund, prandaj kam qenë e mbetem shumë i lidhur me ta. Madje një pjesë e madhe e kësaj lidhjeje është kaluar dhe në momente të vështira, sepse ata kanë qenë spiranca ime në ato çaste. Kjo ka farkëtuar lidhjen, ka bërë që unë sot e kësaj dite, pavarësisht se nëna ime është larguar nga kjo jetë tri vjet më parë, mos të kem jo ditë, por orë që të mos e kujtoj. Ju e shihni skrivaninë time, se kë kam në foto. Është mamaja ime, të cilën e shoh e i flas përditë. Është një lidhje shumë mirë e konsoliduar dhe që i ka shërbyer formimit tim e më ka bërë të mendoj se nuk ka gjë më të shtrenjtë se sa familja.

Keni dy djem. Ka ndjekur ndonjëri prej tyre hapat tuaj në profesion?

Unë mendoj se genet nuk trashëgohen në kuptimin e vokacionit, se ajo vjen si një shkrirje e brendshme, por megjithatë jam përpjekur të transmetoj diçka. Ata i duan kafshët, por drejtimi i tyre ka qenë i ndryshëm profesionalisht. Djali i madh ka zgjedhur botën e financës, i dyti merret me marrëdhënie ndërkombëtare dhe jurisprudencë. Realizimi i tyre i ka kapërcyer pritshmëritë e mia dhe jam shumë i lumtur. Mendoj se investimi më i madh në jetë është ajo që lëmë pas, e mbetet pikërisht ajo çfarë ndodh me pasardhësit e tu. Të tjerat janë iluzore, pasuria, etj. Ajo që ne lëmë si trashëgimi është ajo që ne lëmë te pasardhësit, në kuptimin e formimit, në atë të të bërit njerëz, qytetarë të devotshëm e me integritet, pse jo dhe profesionistë.

Po bashkëshortja juaj? Sa këshilluese është në situata të veçanta?

Unë jam investim i gruas sime. Nuk ka këshilltare apo bashkëpunëtore më të mirë se sa bashkëshortja. Gruaja është motor i fuqishëm, këshilltarja më këmbëngulëse dhe më e zgjuar dhe nuk është e kotë shprehja se “pas një burri të suksesshëm qëndron një grua po kaq e suksesshme”. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Në këtë pikëpamje, bashkëshortja është një element qendror, motor real në familje. Ajo më thotë se kam sakrifikuar nga vetja për ty, dhe në fakt, ia njoh një sakrificë të tillë, sepse për gruan pesha është shumë më e madhe, pasi ka familjen, fëmijët, por edhe interesat e saj profesionale. I jam shumë mirënjohës për këtë, pasi ka përballuar dhe përballon një peshë shumë të madhe, prandaj një FALEMINDERIT gruas sime nëpërmjet jush.

Çfarë është për ju koha e lirë, çfarë ju vë në paqe?

Sekreti i kësaj jete është t’i mbash gjërat në ekuilibër. Një kohë për punën, një për shoqërinë, por duhet një kohë edhe për veten. Të jesh diku buzë detit, të jesh i qetë, të bësh diçka për të cilën ke pasion e dëshirë në një fragment të kufizuar kohe. Përpiqem ta bëj këtë. Sigurisht, ngaqë kam një lidhje shumë të ngushtë me familjen, më pëlqen të rri shumë me babanë, i cili është burim mençurie e frymëzimi për mua. Rri me time shoqe. Mundohemi të organizohemi, që të mos shkojmë në të njëjtat vende gjithmonë. Kombinojmë nevojat tona për qetësi shpirtërore. Shqipëria është mahnitëse për atë çka të ofron. Më pëlqen të udhëtoj. Këto gjëra me detoksifikojnë e më bëjnë të rimarr forcat.

Në qershor kemi Kampionatin Europian 2016. A është rasti për të bërë tifo live?

Unë jam ministër bujqësie dhe në qershor është kulmi i prodhimtarisë. Nuk e kam atë luks të ndjek kampionatin live, pasi do të ndjek fermat. Megjithatë, në telefonin tim do të gjej një program që të shoh ndeshjen e të bëj tifo, kur nuk mundem ta shoh para televizorit. Më duhet të ndjek punët. Tifoja nuk do të mungojë. Një brohoritje për këtë arritje historike që ne e kemi për herë të parë pjesëmarrjen në një kampionat europian e pse jo për të bërë edhe surpriza atje.

 

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 107

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top