Marrëdhënie

February 23, 2017 | 9:24

Nga Anxhela Peza / Partneriteti, tentativa e vazhdueshme për të qenë një

Krizat në çift janë të shumta, të llojeve të ndryshme, duke u nisur nga vocërrimat e deri në zënkat më të mëdha. Këto probleme e kanë fillesën herët, në pikënisjen e lidhjes. Shumë prej çifteve mendojnë se këto mosmarrëveshje do të rregullohen e do zgjidhen me kalimin e kohës, por në fakt, thellohen edhe më shumë. Bashkëjetesa të bën ta njohësh më shumë tjetrin, ku të gjithë ne kalojmë ditë të bukura dhe ditë të shëmtuara brenda saj me një sforco të madhe. E në shumë vite martesë e bashkëjetesë, ndodh shpesh që ndonjë mëngjes jo të përcaktuar, të zgjohemi me dëshirën për t’u larguar nga çdo gjë. Por në bashkëjetesë, kjo mund të jetë burim konflikti. Ndaj duhet patur në konsideratë se ajo që mund t’ju ndodhë juve, mund t’i ndodhë edhe partnerit tuaj dhe jo domosdoshmërish, në të njëjtin moment.

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Në të njëjtën mënyrë, në të gjitha marrëdhëniet alternohen çaste të këqija dhe të mrekullueshme. Kur ka probleme mendohet se ka mbaruar çdo gjë dhe këto janë çastet e fundit të lidhjes. Në të shumtën e rasteve nuk është e udhës të mendohet kështu, sa herë që ndodh një krizë qoftë kjo e vogël. Nuk mungojnë rastet ku tregojnë se shumë çifte janë ndarë edhe për një gjë fare të vogël, edhe pse janë zënë për gjëra më të mëdha.

Disa këshilla:

T’i shërbejnë dashurisë me përulësi

Përfshirja në një marrëdhënie ka kultin e saj të shenjtë, shkëmbimin e ndjenjave të larta. Midis këtij shkëmbimi të mbetet vend për të lënë mënjanë krenarinë. “Dashuria nuk ka vend për krenari”, kokëfortësi, shpirtin e kundërshtarit, kur shikohet se situata po merr rrugën jo të duhur. Për të çuar përpara një lidhje dihet se nuk është gjë e thjeshtë, ndaj kërkohet impenjim, mirësjellje. Është e nevojshme çdo “përulësi”, e cila të shikohet si shërbesë ndaj dashurisë së madhe, jo si nënshtrim ndaj partnerit tënd.

anxhela

Gjërat që të mërzisin shumë qofshin këto të vogla, duhen diskutuar me qetësi në formën e një bisede të shtruar

Edhe gjërat fare të vogla, por që krijojnë një shqetësim tek ju, një ngarkesë emocionale jo të mirë, në një moment të dytë apo të tretë e risjell si bisedë me zgjuarsi, duke thënë si argument se cilat gjëra ju bëjnë të ndiheni jo komodë, e kështu kërkoni një formë tjetër alternative, ku ju mund të bëni paqe me veten tuaj. Askush nuk është në mendjen e tjetrit. Ju duhet të flisni në mënyrë sa më të qartë. Shprehini idetë, dëshirat dhe përshtatuni që të dëgjoni edhe pritshmëritë e tjetrit. Vështirësia e komunikimit është një nga motivet kryesore për të cilat grindet një çift. Ndaj kujtohuni gjithnjë që një komunikim efektiv është thelbësor për një marrëdhënie të mirë në çift.

Kuptoni nëse gjërat që ndodhin enkas janë më shumë rastësore e të paqëllimshme

Brenda një lidhjeje ka gjëra që nuk duhen bërë edhe pse hapësira e sekreteve dhe intimitetit është shumë e vogël. Ngahera xhelozia, kurioziteti i tepërt, risitë në lidhje, përgjigjet e nxituara, humbet shpesh edhe mirësjellja e të kërkuarit të gjërave dhe ato marrin formën e një urdhri. Kontradikta të tilla vijnë si formë e bërë enkas dhe jo si diçka e pamenduar mirë ose si e paqëllimshme për të cenuar bashkëjetuesin.

Sfidoni vështirësitë, thurni strategji për rikuperim

Dashuria e vërtetë tregohet kur ka më shumë stuhi. Të mbështetesh te partneri do të vëreni që do ju bëjë më të fortë, do ju lidhë më shumë. Shpeshherë bashkëpunimi sjell fuqinë, nëse ju përdorni terma të llojit: do ia dalim, do mundohemi ta kalojmë këtë moment të vështirë, gjërat nuk janë aq keq sa duken. Shkëmbeni mendime me njëri-tjetrin, të cilat do ju bëjnë të ndërtoni strategji të reja për të përballuar më mirë vështirësitë.

Natë pasioni romantike funksionon gjithmonë

Të gjithë e dimë se punët e mëdha na bëjnë të humbasin edhe intimitetin, pasionin e madh në konsumimin seksual të marrëdhënies/bashkëjetesës. Dëshira për partnerin si “kohët e fillimit” rindez ndjenjat dhe zgjimin e kënaqësisë së munguar prej kohësh.

Detaje dhuratash pa qenë prezent, bën që të mendosh se si ai ende kujtohet për ty

Mjaftojnë shumë pak gjëra për të thënë se jam me ty dhe të mendoj. Në shopping mund t’i blesh gjërat që i pëlqejnë: varësen te pasqyra e makinës, librat e preferuar, një album, fanellën e skuadrës së preferuar, një mesazh për t’i uruar ditë të mbarë, apo për ta pyetur thjesht: si ndihet, si është?

Biseda nostalgjike për lidhjen, vështirësitë e tejkaluara

Kur ke kohë në një lidhje, kujtohen gjithmonë momentet e bukura të saj, të problemeve e vështirësive të kaluara, mund të bëhet ndonjë auto-ironi për ndonjë veprim që të sillni humor brenda në lidhje. Për çiftet e reja mund të risillen historitë e fillimit të flirteve me njëri-tjetrin, daljet e para, puthjet etj.

Ushqimi i preferuar

Edhe kur jeni zënë e nuk dëshironi të hidhni hapin i pari, mund të gatuani diçka të cilën partneri e pëlqen shumë. Meshkujt mund të përgatisin mëngjesin për femrën e tyre. Dhe femrave, si gjithmonë u takon dreka, duke gatuar ushqimin e tij të preferuar, e duke filluar bisedën me: Si t’u duk darka?.

I duruari, i fituari

Mos diskutoni asnjëherë në publik. Gjatë një marrëdhënieje ka shumë arsye për të diskutuar, por është e rëndësishme që këtë gjë ta ezauroni gjithmonë privatisht. Të grindeni në prani të të tjerëve, nuk sjell asgjë të mirë. Njëri nga të dy mund të ndihet i poshtëruar ose të bjerë pré e sharjeve në sy të të tjerëve apo miqve të zakonshëm. Mos i ushtroni presion duke i thënë në përgjithësi se kur të fejoheni, martoheni, gjërat mes jush do të shkojnë shumë mirë. Lërini gjërat të rrjedhin vetë.

Peshorja e vlerave

“Nga anon peshorja” thonë më së shumti këshillat e mamasë, në mënyrë për t’u përqendruar më shumë tek aspektet pozitive, për të mos i lënë ato negativet të të tërheqin zvarrë në të tilla raste. Rëndësia qëndron te vlerat e njeriut, dhe ju duhet të zgjidhni dikë që mbart vlera pozitive njerëzore.

Mbani mend “të mirat” e mëdha, jo “të këqijat” e vogla

Ripërsëritja e momenteve të këqija, fjala e fundit, zënkat e vazhdueshme, duke i përmendur e sjellë si shembuj, ironi, fakte, herë pas herë nuk janë aspak të shëndetshme as në aspektin emocional. Mirë është të dini të falni për të çuar përpara atë lidhje të bukur që është nisur për të çuar objektivat e saj dhe për të marrë kënaqësi të mëdha. Të gjithë bëjmë gabime, që mund të falen ose jo. Por nëse falni, duhet ta bëni vërtet. Nuk vlen asgjë nëse shtireni që keni falur një gabim, nëse më pas e ribëni me rastin e parë që ju jepet. Nëse e keni kuptuar se marrëdhënia juaj është e çmuar dhe që një vështirësi e caktuar mund të kalohet, atëherë bëni të pamundurën për ta harruar dhe më pas duhuni sa më shumë të jetë e mundur.

Rëndësia e entuziazmit

Humori, energjia, entuziazmi në çift është çelësi për të qenë të lumtur. Buzëqeshja ka aftësi të madhe të forcojë marrëdhënien dhe të krijojë një bashkim intim. Bërja e aktiviteteve ndihmon në angazhimin e energjive për t’u fokusuar në gjërat e mira të jetës e të vetvetes. Shumë pak gjëra i afrojnë njerëzit sa mund t’i afrojë gjithashtu edhe arma e fortë e të pasurit një partner të buzëqeshur gjithë kohës. Shfrytëzojeni këtë fuqi pothuajse magjike të buzëqeshjes dhe marrëdhënies suaj shtojini edhe shumë sens humori, ndoshta duke shikuar së bashku spektakle argëtuese apo filma komikë dhe bëni sa më shumë shaka. Fundja mund të jetë kjo për të cilën jeni zgjedhur në fillim, entuziazmi juaj.

Asgjë s’ka formë, as dashuria dhe as marrëdhënia në çift, ku secili ka specifikën e tij për marrëveshjet e mosmarrëveshjet, e këto sugjerime më lart janë për t’i provuar e për të dhënë një rezultat më të mirë, e vetë ju të ndryshoni taktikë drejt pozitivitetit, sigurisht. Përpjekjet për lumturi nuk janë asnjëherë të tepërta. E nëse të gjitha nuk funksionojnë, dorëzohuni, marrëdhënia juaj ka mbaruar dhe ndjenjat nuk janë më të pranishme.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top