Në fokus

June 30, 2017 | 10:15

ARKIV/ MILVA EKONOMI ZONJA E EKONOMISË

Nga Orjona Tresa / Foto Vlasov Sulaj

Kur flasim për ekonominë, mendja na shkon te llogaritë, planet kontabël dhe shifrat me shumë zero. Por, edhe pse kanë kaluar 25 vite, për reforma për të kaluar nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut duket se vazhdimisht jemi të pasigurt sa u takon pritshmërive për të ardhmen. Në luftën e përditshme për ta tejkaluar këtë gjendje makthi, çdo lajm që ka lidhje me financat na bën edhe më të ndjeshëm. Jo më larg se fundi i muajit shtator, Banka e Shqipërisë raportoi për një rritje të ndjeshme të ekonomisë së vendit. Por sa e vërtetë është e gjitha kjo? …Ajo njihet si një nga personalitetet në fushën e statistikave, një femër e pushtetshme në profesionin e saj, njëherazi dhe shumë bashkëpunuese. Në tryezën e saj të punës renditen me dhjetëra dosje, plane që duhen rishikuar, një axhendë e sigluar me kujdes bashkëngjitur protokollit zyrtar. Te këndi në të majtë, në një bibliotekë pune gjenden studimet me arritje të dikasterit. Në plan të parë, kjo zyrë ministri ngjason me një apartament familjar, ku ti mund të mikpritesh nëse ke një projekt konkret bashkëpunimi. E nëse ka fjalë të mira që i duhen drejtuar një Zonje të vërtetë, mund të themi me plot gojën që është ajo, Milva Ekonomi.

1

Znj. ministre, perceptimi për ju është se jeni njeri që gëzon respektin e bashkëpunëtorëve dhe kundërshtarëve. Si keni arritur t’i bëni të gjithë për vete?

Kam shumë vite përvojë profesionale, e cila kapërcen edhe pragun e një pozicioni. Besoj se ky perceptim vjen nga mënyra se si rritesh në sytë e bashkëpunëtorëve, por dhe çfarë ndjesie u krijon bashkëpunimi dhe komunikimi që vendos me ta. Përpiqem t’i dëgjoj të tjerët dhe t’u jap ndonjë ide, opinion, vlerësim për rastin që ata ndajnë me mua. Me siguri, meritë ka edhe formimi im i hershëm. Miqtë më njohin si një person të dashur dhe jo konfliktual, ngaqë përpiqem të argumentoj përpara se të kundërshtoj. Në përgjithësi, e vendos komunikimin në një mjedis pozitiv, ku diskutimi orientohet drejt zgjidhjes me vizionin për të ecur përpara.

Shumica ju njeh si eksperte statistikash, mbi të gjitha me një përvojë të arrirë në krye të INSTAT? Për çfarë do të dëshironit të mbaheshit mend, si eksperte e fushës akademike apo si ministre?

Duhet të bësh më të mirën çdo ditë, duhet të ndërtosh gjëra që i rezistojnë kohës, pasi vetëm kështu mbahesh mend. Ai si ministre është një pozicion që të jep mundësinë, por dhe fuqinë për të lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e vendit. Unë besoj se edhe në këtë pozicion ka gjëra që kur të realizohen, do të mbahen mend si ngjarje të rëndësishme, si p.sh., një investim i rëndësishëm strategjik; vendosja e standardeve për herë të parë për strukturat akomoduese; përdorimi i instrumenteve inovativë në mbështetje të financimit të sipërmarrjes. Së shpejti do të hyjë në fuqi zbatimi i sistemit të klasifikimit me yje për strukturat akomoduese. Është tentuar dhe me ligjin e mëparshëm “Për Turizmin”, por zbatimi nuk ka qenë i suksesshëm. Edhe pse të tilla sisteme janë nacionale, ne kemi qenë të kujdesshëm që, përveç përshtatjes së kritereve që aplikon “Hotelstars”, organizatë në të cilën aderojnë 16 shtete europiane, të adaptojmë dhe kritere që lidhen me realitetin shqiptar. Pikërisht kjo strategji na bën neve optimistë që ky sistem do të mund të aplikohet pa pengesa. Aktualisht po punohet për përmirësimin dhe shtimin e skemave nxitëse financiare që mbështesin inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Por këtu nuk do të lihet mënjanë edhe forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore të sipërmarrjes së mesme dhe të vogël.

2Pozita juaj lidhet direkt me atë që është pika më e nxehtë e debatit në shoqërinë tonë, Ekonomia. Sa vështirë është të jesh e përfshirë në këtë fushë dhe ku mendoni se qëndron ngërçi i kohërave që jetojmë?

 

Fillimisht dua të theksoj se është e bukur, sepse detyra të jep mundësinë të ndërmarrësh reforma, të cilat, përveç se të kryhen, kanë edhe nevojë të njihen për nga rezultatet. Këto duhet të jenë të shpjegueshme dhe të qarta për publikun, i cili nuk vjen me njohuri administrative, por ka njohuritë e jetës. Ndaj detyra i tejkalon caqet e bërjes, kërkohet të forcosh edhe komunikimin, duke përfshirë në këtë proces sa më shumë aktorë që japin çdo ditë kontributin e tyre që ky përmirësim të ndodhë. Duhet të shpjegosh me kujdes se, përveç shifrave që prodhojmë në nivel kombëtar, janë edhe “organizatat shkencore” globale që monitorojnë dhe na matin me të njëjtën njësi shumë vende njëherësh. Këtu dallohet qartazi ndryshimi i vërtetë që ka bërë Shqipëria. Sigurisht që ia kemi dalë të renditemi më mirë në disa matje ndërkombëtare këto dy vitet e fundit. 

Po si përkthehet kjo për një qytet apo komunitet?

Për këtë duhet të vërehen me kujdes shpejtësia e ndryshimit dhe siguria e qëndrueshmërisë për çdo arritje që bën komuniteti. Dhe këtu ka shembuj që të bëjnë të shtosh besimin si p.sh: “Indeksi i Progresit Social 2016” e rendit Shqipërinë në vendin e 52 mes 133. Me këtë renditje, Shqipëria pozicionohet në listën e vendeve me progres mbi mesataren (nga vendi i 31-të në 56). Ajo renditet mirë në dimensionin e nevojave bazë humane dhe kjo tregohet me ecurinë më të mirë në ushqyerjen dhe kujdesin bazë shëndetësor. Ka shumë mundësi të përmirësohet në komponentin e sigurisë personale. A nuk po përpiqet policia e shtetit aktualisht për të përmirësuar këtë? Në dimensionin e parimeve të mirëqenies, Shqipëria renditet më mirë në aksesin për njohuritë bazë, por duhet të punojë në elementin e qëndrueshmërisë së ekosistemit. A nuk janë aktet ndaluese të prerjes së pakontrolluar të pyjeve dhe gjuetisë së kafshëve në ndihmë të këtij procesi?! Në dimensionin e mundësive, Shqipëria pozicionohet më mirë për mbrojtjen e të drejtave të individit dhe ka hapësirë për t’u përmirësuar në qasjen e arsimit të avancuar. A nuk po e dëshmon reforma në arsimin e lartë këtë?!

untitledÇfarë ka bërë Ministria që ju drejtoni në krijimin e një klime sa më të favorshme në të bërit biznes?

Disa reforma të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria gjatë këtyre tri viteve, kanë ndikuar direkt ose indirekt në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, ose siç njihet ndryshe “doing business”. Reforma territoriale, ajo në energji, lufta kundër informalitetit në ekonomi, dhënia e lejeve të ndërtimit online, lehtësirat në aksesimin e regjistrit të pronës, grantet në bujqësi dhe një kredi prej 300 milionë euro në dispozicion të fermerëve, që të gjitha këto kanë ndikuar në klimën e të bërit biznes, njëkohësisht edhe në rritjen ekonomike në vend. Në ministrinë që unë drejtoj, është bërë shumë, por mbetet akoma edhe më shumë për të bërë që ne të kemi atë ekonominë që e dëshirojmë të gjithë. Stabilizuam situatën ekonomike, të cilën e gjetëm në buzë të greminës. Shifrat se si e gjetëm ekonominë shqiptare flasin vetë. Në periudhën 2009-2013, rritja e ekonomisë shqiptare pati një trend rënës deri me 1.1% në 2013, për të filluar rikuperimin në 2014 me 2.1% dhe në 2015 me 2.7%. Rritja ekonomike e qëndrueshme, sipas parashikimeve, pritet 3.4% në 2016. Ndërmorëm një sërë iniciativash ligjore mbështetëse për biznesin. Lehtësuam procedurat për bizneset përmes bashkimit të QKR dhe QKL në një të vetme QKB, duke reduktuar kohën dhe kostot e shërbimit. Arritëm regjistrimin brenda 24 orëve të biznesit dhe publikimin në kohë reale e sigurimin e aksesit publik në të dhënat e regjistruara nëpërmjet faqes online. Ngritëm dhe po implementojmë në ndihmë të biznesit 29 shërbime të reja online, me qëllim mbulimin plotësisht të të gjitha regjistrimeve. Privatizuam në 2015-tën, 40 objekte shtetërore me vlerë 4.6 miliardë lekë në shërbim të sipërmarrjes private. Po hartojmë një bazë të plotë të dhënash për asetet në privatizim. Nxitëm bizneset të përdorin pronat shtetërore me kontratën simbolike 1 euro, nga ku janë investuar 20 milionë dollarë duke përfituar 3000 vende pune. Mbështetëm sipërmarrjen përmes ndihmës shtetërore dhënë bizneseve për të siguruar aftësimin profesional të punëkërkuesve gjatë periudhës 2014-2015, lëvizje kjo që solli punësimin e 5.100 personave. Miratuam ligjin për investimet strategjike në trajtimin e plotë dhe të shpejtë të kërkesave të investitorëve, duke shmangur burokracitë përmes dritares unike AIDA. Krijuam dhe mbështetëm bizneset përmes dritares unike AIDA me fonde të dedikuara për rritjen e bizneseve ekzistuese dhe “Start up”-et. Po u japim një dimension të ri investimeve në turizëm, përmes disa projekteve strategjike tashmë të miratuara si Green Coast, New Born. Promovuam turizmin shqiptar në panairet ndërkombëtare. Nëse deri përpara vitit 2013 Shqipëria merrte pjesë në 4-5 panaire ndërkombëtare turizmi, tashmë ky numër është rritur. Nga viti 2014 deri më tani kemi marrë pjesë në 30 panaire ndërkombëtare nga më të rëndësishmet e turizmit. Në 2017, për herë të parë, Shqipëria do jetë vend partner në panairin e Shtutgartit, duke sjellë vizibilitetin më të lartë të mundshëm. Gjithashtu në mars 2017, po për të parën herë, Shqipëria do të organizojë Panairin Ndërkombëtar të Mesdheut. Dëgjojmë dhe konsultohemi me biznesin përmes takimeve, me qëllim garantimin e informimit sa më të plotë dhe të saktë të tyre për të gjitha ndryshimet. Gjatë këtyre muajve janë zhvilluar mbi 15 takime me biznesin dhe është ngritur Komiteti i Lehtësimit të Tregtisë. Është një forum që sjell bashkë eksportuesit më të mëdhenj dhe synon të krijojë mekanizma të lehtësimit të tregtisë. Rritëm eksportet me vendet e rajonit falë zbatimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë. Eksportet në zonën e CEFTA u rritën me 12,3% për vitin 2014 dhe 16,5% për vitin 2015. Krijuam për herë të parë Inspektoratin e Mbikëqyrjes së Tregut dhe po punojmë për ngritjen e zyrave të mbrojtjes së konsumatorit pranë 61 bashkive të vendit për produktet joushqimore. Për herë të parë, po ngrihet “Regjistri Elektronik i Koncesioneve”, i cili do të jetë i aksesueshëm online.

Që në periudhën që e morët këtë post, ju kemi parë në çdo cep të Shqipërisë për të promovuar turizmin. Në syrin tuaj, çfarë ka ende për t’u përmirësuar?

Patjetër që ka akoma për t’u përmirësuar dhe ne po bëjmë përpjekjet tona. Sigurisht që natyra ka qenë shumë bujare me Shqipërinë tonë. Duke pasur parasysh sipërfaqen kaq të vogël në të cilën shtrihet, ajo ka një diversitet të paçmueshëm asetesh natyrore dhe kulturore. Por, duhet të kemi parasysh që, në Europë aktiviteti i turizmit i ka fillimet e tij nga fundi i shekullit XVIII. Te ne është filluar të flitet për turizëm pas vitit 2000, kur u qetësua situata në vendet ballkanike. Sot, në Shqipëri, kjo industri po ecën me ritme të shpejta dhe kontributi i saj në PBB po rritet. Falë iniciativave të sipërmarrjes private, edhe pse Shqipëria doli në tregun rajonal apo global më vonë dhe konkurrenca është e fortë, asetet natyrore, kulturore, njerëzore po përdoren me kreativitet. Gjatë kësaj periudhe ka qenë një mundësi mjaft e mirë për të vizituar nga afër vende dhe atraksione të ndryshme turistike. Duhet të pranojmë, po bëhet punë e konsiderueshme në infrastrukturë për të lehtësuar lëvizjen dhe aksesimin e vendeve të ndryshme, sidomos atyre turistike. Asnjëherë nuk do të reshtet së menduari e vepruari se ka gjithmonë vend për përmirësime. Këtë vit gjithashtu, një nga arritjet e mëdha ishte zgjidhja e problemit të furnizimit me energji të vazhdueshme elektrike si rrjedhojë e investimit që qeveria shqiptare bëri në rrjetin shpërndarës të tensionit të mesëm në segmentin Sarandë-Vlorë dhe rindërtoi nënstacionin e Himarës, i cili nuk kish parë investime që nga viti 1958. Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane në kuadrin e rehabilitimit të qendrave të njësive administrative përfshiu Vlorën, Himarën dhe Qeparoin, duke i kthyer qendrat e tyre në qendra të bashkëjetesës komunitare dhe turistike. Ndërkohë, pavarësisht përpjekjeve, duhet pranuar se mund të bëhet më tepër në pastrimin e territorit, të gjithë bashkë mund të japim kontributin tonë në këtë aspekt, duke nisur me mosndotjen e ambientit dhe, më pas, në mbështetjen që u duhet dhënë bashkive në përmbushjen e këtij detyrimi që kanë. Po ashtu, rritja e kapaciteteve njerëzore në drejtim të shërbimit vazhdon të mbetet një shqetësim, ndaj po shihet me vëmendje dhe po punojmë në asistimin e kurseve të trajnimit, sepse jemi të vetëdijshëm që shërbimi sipas standardeve është element shumë i rëndësishëm për të lënë të kënaqur një turist që viziton Shqipërinë. Shqipëria po ndjek trendin e zhvillimit të turizmit “të interesit të veçantë”, siç është edhe ai i aventurës ose së fundmi, ai i turizmit të errët, i cili ka të bëjë me rrëfimin e kohës së regjimit komunist. Ne si MZHETTS po kujdesemi që ta drejtojmë produktin turistik vendës drejt ofrimit të një përvoje unike, në mënyrë që turisti të arrijë të provojë çdo gjë të veçantë që e gjithë Shqipëria ofron, pa e kushtëzuar në zonime. Promovimi i Shqipërisë si vend pritës i turizmit të interesit të veçantë ka tërhequr vëmendjen e trupit diplomatik në Shqipëri, i cili po bëhet çdo ditë dhe më shumë promotor i rëndësishëm për zhvillimin e këtij lloj turizmi. 

Kishim më shumë shqiptarë pushues apo turistë të huaj në plazhet tona?

Numri i vizitorëve të huaj që erdhën në Shqipëri për këtë vit ishte 19,7 % më shumë se sa një vit më parë, për të njëjtën periudhë. Gjatë sezonit turistik veror (qershor– gusht) 2016, në vendin tonë kanë hyrë në total 2.376.000 shtetas të huaj. Numri më i madh i vizitorëve, ashtu si dhe një vit më parë, ka qenë nga Kosova, ndjekur më pas nga tregjet e tjera kombëtare si Maqedonia, Mali i Zi, Greqia etj. Ndërkohë, ka pasur një rritje të numrit të vizitorëve nga disa prej tregjeve të synuara europiane dhe botërore. Përmendim këtu rritjen me 111% të vizitorëve ukrainas, rritjen me 63% të vizitorëve suedezë, rritjen me 42% të vizitorëve bullgarë, rritjen me 33% të vizitorëve norvegjezë, rritjen me 30% të vizitorëve polakë dhe rritjen me 22% të vizitorëve kroatë. Sipas të dhënave nga TIA, numri i fluturimeve charter përgjatë periudhës maj-gusht 2016, u rrit 98% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Tendenca në rritje e vizitorëve të huaj është shfaqur që në fillim të këtij viti, 3.469.000 vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë periudhës janar-gusht 2016.

Në një raport statistikor në përqindje, ku çalon dhe ku ka pritshmëri që thyejnë tabutë sa i takon turizmit në zona të ndryshme të vendit?

Duke iu referuar të dhënave që na vijnë nga Bilanci i Pagesave publikuar prej Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, të ardhurat nga vizitorët e huaj arritën në vlerën 640 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga të dhënat që na vijnë nga Ministria e Kulturës kemi 15% më shumë vizitorë në monumentet tona të trashëgimisë kulturore krahasuar me vitin 2015. Po ashtu, është trefishuar numri i vizitorëve që kanë preferuar të kalojnë kohën e tyre në parqet tona kombëtare në krahasim me 2015-ën. Pra, e gjithë kjo panoramë shifrash dhe statistikash na bën besimplotë që ky sektor ka potencial për t’u shtrirë akoma më tepër, duke pasur kështu një impakt pozitiv ekonomik në komunitetet lokale. Motoja e punës sonë është turizëm gjithëvjetor dhe gjithëpërfshirës, pasi Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ta zhvilluar.

3

Përveç asaj që i takon Ministrisë, kush e ka në dorë përmirësimin e turizmit në vend, cilët janë aktorët në përgjegjësi?

Turizmi është një industri që zhvillon një zinxhir aktivitetesh, të cilat përfshijnë një shumëllojshmëri shërbimesh dhe profesionesh të lidhura me aktivitete ekonomike të tjera. Pikërisht për këtë arsye, edhe spektri i aktorëve për zhvillimin e tij është shumë i gjerë dhe përfshin sektorin publik dhe privat. Ministria koordinon dhe mbështet këta aktorë, në mënyrë që të gjithë së bashku ta çojmë përpara industrinë e turizmit.

Po donacionet e huaja sa kanë në dorë për ndërrimin e faqes së problematikave të tipit, kanalizimet, ujërat dhe energjia elektrike? Priten të tilla në vijim?

Duhet theksuar që donatorë të ndryshëm ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e këtij sektori. Pa dyshim që meritojnë mirënjohje projektet e zhvilluara nga Delegacioni i Bashkimit Europian, Banka Botërore, GIZ, USAID, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, CDC (Zvicër), AICS (Italia), ADA (Austri), Përfaqësi të ndryshme Diplomatike, të cilët, përveç mbështetjes financiare, transferojnë dhe “know-how”. Po finalizohet projekti ”Integrimi Urban dhe Zhvillimi Ekonomik” i financuar nga Banka Botërore, ku komponenti “turizëm” është pjesë përbërëse.

Ndjeshmëri ka dhe aspekti i çmimeve të kripura në zonat turistike. Do të ketë njësi matëse në vazhdim për të njehsuar një çmim të arsyeshëm sipas zonave dhe standardeve?

Nuk besoj se kjo është e vërtetë. Kam vërejtur lëvizjet e çmimeve në sezonin turistik duke përdorur website (www.numbeo.com/travel-prices), një platformë globale që orienton turistin për shpenzimet në vendin që viziton. Në llogaritjet e bëra dhe të vendosura në web, indeksi i çmimeve të udhëtimit (Travel Price Index) tregonte se, Shqipëria gjatë verës këtë indeks e kishte; 40,79 Mali i Zi; 41,55 Selaniku; 42,82 dhe çmimi mesatar i një shishe birre të prodhuar në vend 0,5 litër ishte më pak se 1 euro në Shqipëri (0,73) më shumë se 1 euro në Mal të Zi (1,5) dhe 3,5 euro në Selanik. Gjatë gjithë sezonit të verës në takimet e vazhdueshme që kam pasur me Taskforcën për turizmin, apo edhe takimet me bizneset HORECA, u kam kërkuar të bëjnë kujdes me çmimet. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka realizuar inspektime në subjektet private ku, sipas ligjit, ata duhet të afishonin çmimet në vende të dukshme dhe është bërë kujdes që kjo të ndodhte. Ne do të vijojmë të sensibilizojmë për të ndalur abuzimin me çmimet. Në fund të fundit, çmime të larta dhe abuzive do të thotë më pak klientë dhe më pak të ardhura për vetë biznesin. Këtë duhet ta kuptojnë bizneset HORECA në zonat turistike.

Përtej pozitave si ministre, a ka diçka peng që do të kishit dashur ta realizonit në jetë?

Nuk kam ndonjë peng që t’i jap zë. Ndihem mirë!

Përpos pozitave që keni mbajtur, ju njiheni si aktiviste dhe përkrahëse e lëvizjes së gruas. Si e shikoni figurën e femrës shqiptare sot?

Unë besoj fuqimisht se vajzat dhe gratë shqiptare sot janë më mirë se gjatë 10 viteve të para të tranzicionit. Ato treguan se janë të zonjat të arsimohen në nivele të larta të edukimit, të drejtojnë biznese, por edhe të jenë drejtuese të larta. Ato ia dolën të bindin drejtuesit politikë se është e rëndësishme vendosja e kuotës për të qenë të përfaqësuara në politikë dhe në vendimmarrje. Një pjesë e tyre sot ndërton jetën personale dhe familjare me vështirësi, duke u përballur me paragjykime e vështirësi. Disa të tjera bëjnë përpjekje titanike për t’u shkëputur nga dhuna në familje dhe ia dalin të mbijetojnë për vete dhe fëmijët, duke punuar me ndershmëri. Ato janë shumë të përgjegjshme edhe si kryefamiljare, ndaj ndihma ekonomike familjare ju besua atyre që ta menaxhojnë. Por ka ende pabarazi mes grave dhe burrave dhe hendeku mund të zvogëlohet vetëm nëse shoqëria reagon si një e tërë. Gratë do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjen e tyre, por besoj se tani është momenti që edhe burrat të bashkohen për çështjen gjinore.

Jemi në muajin e ndërgjegjësimit të kancerit kundër gjirit. Cili do të ishte mesazhi juaj?

Vetëdijesimi. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një kohë për të reflektuar mbi gratë e veçanta që kemi njohur në jetën tonë, ato që kanë vdekur shumë shpejt, shumë prej tyre duke lënë familjet e shkatërruara prapa. Në tetor, apo siç njihet ndryshe “Breast Cancer Awarness Month”, nisi nga SHBA dhe u përhap me shpejtësi në mbarë globin rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me ndikimin e kancerit të gjirit te gratë, por edhe në familjet e tyre, komunitetet dhe shoqëritë. Nëse ky lloj kanceri kapet herët, ka mundësi të mëdha të kurohet dhe të shpëtojë jetë. Kjo iniciativë ka qenë një katalizator për shumë vende për të rritur burimet për hulumtim dhe trajtim, duke u dhënë shumë grave dhe familjeve të tyre shpresë dhe një mundësi të re për jetën. Ne duhet që të punojmë për të bërë gjithnjë e më të mundur një shëndetësi në të cilën gratë, pa marrë parasysh se ku ato jetojnë, të kenë qasje në shërbimet që u sigurojnë të mbijetojnë, ndaj besoj se mamografia lëvizëse e vënë në shërbim të grave që jetojnë në zonat rurale është një iniciativë e mirë. Mamografia sot është falas, O lek për çdo grua, duke filluar që nga shkurti i vitit 2016.

Vetëm një njeri që ka pasion punën që bën, arrin të materializojë idetë e veta. Sa këmbëngulëse jeni?

Mbase nga vitet e mbledhura të profesionit kam kuptuar se është shumë e rëndësishme ta planifikosh mirë një punë. Kur ia ke dalë ta bësh siç duhet këtë, puna merr rrjedhën e vet. Dhe, në këtë rast, vëzhgimi i zë vendin këmbënguljes.

Keni dy vajza, ka ndjekur ndonjëra prej tyre hapat tuaj në profesion?

Vajzat e mia kanë studiuar degë të lidhura shumë me shkencat. E madhja ka studiuar për “Ekonomi dhe Menaxhim” dhe ka përfunduar studimet Master Shkencor për “System Dinamics”, që është shkencë e ekonomisë ndërthurur me matematikën dhe statistikën. Ndërsa e vogla ka studiuar “Nano Technologies” dhe po përfundon tezën e Masterit Shkencor në “Organic and Molecular Electronic”.

Çfarë është për ju koha e lirë, çfarë ju vë në paqe apo në qetësi shpirtërore?

Së fundmi, është pak e vështirë të flasësh për kohën e lirë, sepse të tilla detyra kërkojnë përkushtim dhe sidomos duhet t’u vësh në dispozicion të gjithë kohën tënde. Ato që më japin qetësi janë sukseset që arrijnë vajzat e mia, pavarësisht sa të mëdha apo të vogla qofshin ato.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.113

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top