FB

October 31, 2024 | 7:30

Arsejda Gjyli: A është e vërtetë që pushteti e ndryshon individin?

 

 

Pushteti mbetet një koncept shumë i lakuar në të gjithë shkencat e studimit, si në shkencat sociale, politike apo edhe ato ekonomike e humane. Pushteti ndryshe është konceptuar si akumulimi i fuqisë si dhe dhënia e së drejtës një apo disa personave për të vendosur rregulla për të gjithë, për të imponuar respektimin e këtyre rregullave si dhe marrjen e vendimeve të detyrueshme për të gjithë.

arsejda-gjyli

Në këto terma e gjithë “lufta” politike, ekonomike por edhe ajo e imponimit të një pushteti publik, është zhvilluar në kuadër të arritjes e më pas të rritjes së pushtetit të një individi apo të disa individëve.

Pushteti shpeshherë mbetet një koncept të cilin e hasim edhe në jetën e përditshme, duke qenë se pushteti është i pranishëm në mbivendosjen e roleve në familje, në shoqëri, në marrëdhëniet ndërpersonale, në punë, në shkollë etj. Një çift brenda familjes, e lidhur kjo ngushtësisht me konceptin e barazisë gjinore, kanë një përplasje të vazhdueshme për prevalencë të fuqisë e detyrimisht dhe pushtetit. Edhe në një lojë të thjeshtë mes fëmijëve në lagje, ka një konkurrencë për mbivendosje të fuqisë dhe forcës, për të qenë i pari me mënyra të ndryshme, për të patur pushtet edhe se kjo është e pavullnetshme në atë moshë.

Marrëdhënia e mbivendosjes së forcës dhe pushtetit gjenerohet pa e kuptuar që në fëmijëri, por me kalimin e viteve ajo shpeshherë bëhet qëllim në vetvete, sidomos nëse flasim për individë të cilët janë në karrierë si dhe gjenerojnë një ambicie të theksuar në lidhje me akumulimin e pushtetit. 

Shumë e konsiderojnë pushtetin si një formë të realizimit vetjak, por një pjesë e madhe e shohin pushtetin si një mënyrë për të akumuluar kapital dhe para me çdo kompromis. Në këtë pikë njeriu e humb funksionalitetin moral dhe njerëzor dhe bëhet i varur nga akumulimi i të mirave materiale, pronave, pasurisë, pushtetit dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në jetët e të tjerëve përmes varësisë që ata kanë dhe mundësisë për të ndikuar në fatin e tyre.

Kjo e bën individin të tjetërsohet, të mendojë se ka atributet e një qenieje më të madhe se vetja, ndonjëherë ose duke kaluar në nocionet e mbinjeriut e herë të tjera duke e projektuar veten si modelues të fatit të të tjerëve apo edhe më keq akoma duke e menduar veten si Zot. Kjo prodhon në karakterin e njeriut, arrogancë, prepotencë, tendenca dhune dhe shtypje, injorim dhe fajësim të të tjerëve për gjendjen e tyre, e në rastet e akumulimit të pushtetit si pushtet politik dhe ekonomik çon edhe në autokraci.

Në një thënie të famshme kam lexuar dikur se: njeriu mund të ngopet me gjithçka përveçse me pushtet, kjo sepse natyra njerëzore është e tillë, pas çdo arritje kërkon gjithmonë e më shumë.

Njeriu nuk mund të ngopet kurrsesi me materie për aq kohë sa kjo nuk shoqërohet me disa atribute morale dhe njerëzore por mbi të gjitha shpirtërore. Ndaj, pas çdo arritje, duhet të bëjmë kujdes të mos e humbim njeriun brenda nesh.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top