FB

September 9, 2025 | 10:30

Arsejda Gjyli: Hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave, një zhvillim i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian

 

Procesi i integrimit europian të Shqipërisë është shndërruar nga një objektiv i deklaruar politik, në një strukturë të përmbajtur reformash reale dhe një strategji konkrete shtetërore. Hyrja në fazën aktive të negociatave me Bashkimin Europian, përmes modelit të ri të Cluster-ve, ka përfaqësuar një ndarje të qartë me periudhat e mëparshme ku diskursi europian përdorej më shumë për legjitimitet sesa për transformim.

arsejda-gjyli

Sot, Shqipëria ndodhet në një fazë ku jo vetëm që ka hapur të gjitha Grup-Kapitujt e negociatave, por ka vendosur si objektiv ambicioz, por të arritshëm, mbylljen e të gjithë Cluster-ve brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Ky proces është produkt i një vullneti politik të qëndrueshëm dhe një përqendrimi institucional, që rrallëherë ka qenë kaq i harmonizuar në historinë e tranzicionit shqiptar. Në vend të qasjes fragmentare dhe shpesh simbolike të së kaluarës, tani kemi të bëjmë me një qasje funksionale negociuese, e cila përfshin jo vetëm Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, por një rrjet të tërë institucionesh teknike, autoritete rregullatore dhe struktura mbështetëse të përfshira në procesin e përafrimit me Acquis Communautaire.

Vlen të theksohet se progresi teknik nuk është më i ndarë nga dimensioni politik. Reforma në drejtësi, e konsideruar me të drejtë si themeli mbi të cilin ndërtohet i gjithë procesi negociator, ka kaluar fazën e ndërtimit formal të institucioneve dhe po konsolidohet në zbatim. Rezultatet konkrete të organeve të reja të drejtësisë, si SPAK dhe BKH, të mbështetura nga një sistem vetting-u i pashembullt në rajon, po perceptohen si një dëshmi e vërtetë se Shqipëria ka marrë seriozisht kriteret themelore të BE-së dhe nuk synon vetëm përmbushjen në letër të kushteve.

Por transformimi nuk është kufizuar vetëm në drejtësi. Qeverisja ekonomike dhe rregullimi i tregut, dy shtylla të tjera të rëndësishme në Cluster-ët ekonomikë, po trajtohen me një qasje të integruar midis politikës fiskale, reformës në administratën publike dhe zhvillimeve të infrastrukturës digjitale. Këto komponentë nuk shihen më si fusha të izoluara, por si pjesë e një mozaiku institucional që duhet të harmonizohet me standardet europiane. Ky është pikërisht ndryshimi i qasjes që i jep Shqipërisë një pozicion më të fortë në tryezën e negociatave: përmbajtja është vënë në funksion të procesit, jo vetëm fasada.

Në këtë kontekst, vullneti politik nuk është vetëm në nivel deklarativ. Ai po manifestohet në mënyrën se si qeveria ka orientuar prioritetet strategjike të vendit drejt axhendës europiane, duke e kthyer integrimin jo në një qëllim më vete, por në një mjet për transformimin e shtetit. Në një mjedis ndërkombëtar të polarizuar dhe në një rajon ku proceset e integrimit kanë hasur vështirësi për shkak të zhvillimeve të brendshme, Shqipëria ka arritur të ruajë një konsistencë politike që është vlerësuar nga partnerët europianë.

Një tjetër element për t’u vlerësuar është fakti se Shqipëria nuk është duke vepruar në mënyrë mekanike, por me një vizion të artikuluar qartë për të ardhmen. Iniciativat që lidhen me transformimin digjital të administratës, tranzicionin energjetik dhe edukimin e qëndrueshëm, janë

jo vetëm të nevojshme për mbylljen e kapitujve, por edhe për të ndërtuar një shtet funksional dhe konkurrues brenda BE-së. Në këtë aspekt, vendi është duke përqafuar jo vetëm kriteret formale të anëtarësimit, por vetë filozofinë e projektit europian, si një sistem i bazuar në rregulla, transparencë dhe efikasitet institucional.

Nëse ky ritëm reformash ruhet dhe nëse institucionet vijojnë të funksionojnë me këtë nivel koordinimi dhe angazhimi, Shqipëria ka të gjitha mundësitë reale për të qenë ndër vendet e para të Ballkanit Perëndimor që arrin mbylljen e të gjithë Cluster-ve të negociatave, duke kaluar nga statusi i një vendi kandidat në një anëtare të ardhshme me përgatitje reale dhe të merituar. Kjo nuk do të ndodhë vetëm si rezultat i presionit të jashtëm apo mbështetjes teknike nga BE-ja, por mbi të gjitha si produkt i një ndërgjegjësimi të brendshëm se integrimi nuk është vetëm qëllim diplomatik, por zgjedhje shtetformuese.

Shqipëria sot është në një pikë ku integrimi europian nuk është më thjesht një premtim politik i përsëritur por një proces që po jep rezultate konkrete, të matshme dhe të qëndrueshme. Kjo përfaqëson jo vetëm një sukses të qeverisë aktuale, por një përfitim afatgjatë për gjithë shoqërinë shqiptare dhe për vetë Bashkimin Evropian.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top