FB

April 13, 2024 | 7:15

Arsejda Gjyli: Kurrikula dhe vëmendja për edukimin qytetar të brezit të ri

Vendet që gëzojnë një zhvillim më të lartë në planin social dhe kulturor, një aplikim efektiv të politikave sociale, të drejtave të njeriut, e lidhur kjo edhe me nivelin e zhvillimit ekonomik si Gjermania apo Britania e Madhe, janë vende që kanë një sistem arsimorë efikas, i cili bazohet në dy elementë faktikë, së pari, një literaturë integrale, e cila i shkon për shtat kontekstit social dhe kulturor të shoqërisë përkatëse, e po ashtu një aplikim të dijes praktike nga institucionet arsimore.

arsejda-gjyli

Padyshim se nuk do ishte e drejtë nëse do bëheshin krahasime apo vlerësime në kushte të pabarabarta, siç mund të jetë krahasimi midis vendeve ekonomikisht potenciale, të cilët gëzojnë pozita privilegji si në planin politik dhe kulturor në Evropë, me vende transitore, të cilët hasin vështirësi në aplikimin e politikave liberale e demokratike.

Megjithatë, sado e lakuar të duket si frazë, e ardhmja është thelbësisht e bazuar tek brezi i ri dhe e lidhur ngushtësisht me modelin e edukimit dhe sistemin arsimor.

Përafërsisht, rreth gjashtë vite më parë, kurrikula e shkruar dhe e zbatuar e sistemit arsimor, nisi një fazë eksperimentimi, ku për tri vite do të arrihej një reformim i plotë i kurrikulës nga një staf ekspertësh shqiptarë dhe të huaj. Formati i teksteve shkollore mori tjetër formë dhe dija e aplikuar pati një hov evolutiv. Kjo reformë edhe se e zgjatur, ka ngritur në një stad më të lartë edukimin, por ka pasur edhe anomali përgjatë zbatimit të saj.

Një nga elementët që ka nevojë për përmirësim në këtë kuadër është alterteksti, duke qenë se përgjithësisht është bazuar në tekste të përkthyera dhe jo origjinale, kjo ka sjellë deformime në përmbajtje. Nevoja direkte lidhet me rishikimin e këtyre devijimeve si dhe të terminologjisë nga ku të mbahet në konsideratë mospërdorimi i gjuhës së diskriminimit, dhunës dhe pasojat që sjellin mesazhet e papërshtatshme të cilat përcillen në tekst.

Shumë e rëndësishme për t’u cituar është edhe përgatitja e mësuesve me dimensionin e ri që ka marrë edukimi. Padyshim që ndryshimet janë zhvillimore, por me rëndësi është aplikimi siç duhet i këtyre ndryshimeve nga mësuesit, të cilët duhen trajnuar dhe edukuar me konceptet dhe elementët e rinj që ju shtohen teksteve dhe procesit mësimor.

Vlen të theksohet se zinxhiri arsimor përbëhet nga tri hallka kryesore të cilat më shumë sesa nga lart-poshtë duhet të veprojnë nga poshtë-lart në nivel hierarkik. Kjo sepse nevojat dhe problematikat duhet të adresohen nga niveli bazik që është ai i nxënësit, në rrafsh vertikal tek mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, të cilët marrin masa për zgjidhjen e këtyre problematikave, e po ashtu tek bashkëpunimi mbi këto çështje me prindërit që janë niveli tjetër i këtij sistemi.

Pavarësisht këtyre dinamikave, edukimi i brezit të ri duhet të bëhet konform me mjedisin kulturor dhe social të vendit. Nuk mundemi që të marrim një model të huaj dhe ta aplikojmë pa studim fizibiliteti në realitetin tonë. Të rinjtë përveç aksesimit në dije, duhet të njihen përmes tekstit dhe praktikave mësimore më kompleksitetin e realitetit social, rëndësinë e edukimit dhe të kulturës evropiane, respektimin e rendit dhe normave në shoqëri e po ashtu të traditave, vlerave dhe historisë së vendit.

Edukimi përmes sistemit arsimor është edhe më baziku për formimin personal dhe atë qytetarë të të rinjve. Më e rëndësishme sesa orientimi i prirjeve të edukimit dhe profesionit, janë njësimi me parimet bazë të integritetit dhe ndërgjegjes qytetare.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top