FB

May 15, 2024 | 7:20

Arsejda Gjyli: Nacionalizmi, identitet apo lidhje emocionale?

 

 

Ka një ndryshim thelbësor mes konceptit të nacionalizmit dhe patriotizmit, pavarësisht se shoqëria i kupton të dy nocionet si sinonime të njëra-tjetrës. Nacionalizmi në vetvete nuk është i lidhur vetëm me ndjenjat emocionale apo me atdhedashurinë ndryshe nga patriotizmi i cili është një koncept i lidhur me emocionet apo përkatësinë emocionale ndaj vendlindjes.

arsejda-gjyli

Nacionalizmi është më shumë sesa një emocion, nacionalizmi më shumë është një ideologji, një lëvizje socio-politike që bazohet në një nivel më të lartë të vetëdijes dhe identifikimit me kombin apo shtetin territorial në të cilin jeton (ose jo) një individ. Ndaj në këto terma nacionalizmi është një lëvizje identitare e cila i vesh anëtarët e një shoqërie me ndjenjën e përkatësisë dhe detyrimit për të investuar në të mirë të funksionimit të vendit të tyre. Nacionalizmi i bën njerëzit të duan të njohin më shumë jo vetëm historinë por edhe vetë vendin e tyre pa qenë nevoja për një kauzë apo konflikt.

E thënë ndryshe, duhet të kuptojmë se nacionalizmi nuk na shërben vetëm për të ndjerë superioritetin ndaj popujve të tjerë, nuk i shërben vetëm një konflikti mes popujsh kur flasim për një ndeshje futbolli apo për çështje territoresh por është vetë koncepti thelbësor i ndërtimit të identitetit.

Në këtë pikë duhet theksuar se identiteti personal ndryshon nga identiteti nacional. Identiteti personal i një individi ndërtohet mbi personalitetin dhe formimin, ndërsa identiteti nacional ndërtohet mbi përkatësinë kombëtare të shtetit në të cilin ka lindur apo edhe me të cilin identifikohet. Ajo që shpesh kemi dëgjuar është koncepti i identiteve hibride. Çfarë do të thotë një identitet hibrid? A mund të jemi ne me dy përkatësi identiteti kur flasim për identitetin nacional?

Përgjigja për këto pyetje është pak komplekse. Një individ mund të ketë lindur në një territor apo shtet të caktuar por mund të ndiej përkatësi identitare edhe me vendin në të cilin ai po jeton, shkollohet apo ku ka emigruar. Kjo ndryshe quhet edhe ndërtimi i një identiteti hibrid. Ndaj përkatësia identitare apo nacionaliteti nuk lidhet gjithmonë me vendin ku kemi lindur. Shpesh vëmë re se në shtete të ndryshme ne krijojmë lidhje të ndryshme, kjo sepse mundësitë më të mëdha ndonjëherë na ofrohen në vende të cilat nuk janë atdheu ynë por që ne ndjejmë një njësim me kulturën vlerat apo edhe stilin e jetesës.

Vetë koncepti identitar apo nacional nuk është një nocion i ngushtë patriotik apo atdhedashurie, por është një nocion i gjerë dhe shpeshherë ambig për faktin se përkatësia territoriale ndonjëherë nuk shndërrohet ne përkatësi identitare. Shembulli më i qartë i këtij ilustrimi është konflikti Izraelito- Palestinez i cili vijon të mbetet një konflikt për territor por pasqyron fare qartë sesi një komb me përkatësi të caktuar identitare dhe nacionale mund të ekzistojë edhe nëse i mohohet territori përkatës. Si përfundim duhet pohuar se, përkatësia identitare nacionale e tejkalon territorin fizik.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top