Në etikën e emancipimit të qytetërimeve, nuk është varfëria ajo e cila është e veshur me cilësinë e mungesës së dinjitetit. Varfëria është e denjë në mungesat e saj dhe e mbushur shpesh me vlera, që mbase edhe ata të cilët kanë gjithë të mirat materiale nuk i kanë dot si atribute. Ajo që na kthen pas te primitivizmi është grykësia, një lloj pangopësie e cila nuk lidhet vetëm me stomakun por edhe me syrin dhe mendjen.
Përse pangopësia dhe grykësia janë cilësi të cilat nuk e lejojnë një popull të civilizohet me norma dhe vlera qytetarie?
Për të rikujtuar, jo si një shembull të padenjë por në formë ilustrimi, disa vite më parë në Sheshin e Tiranës vendoset një tortë gjigande nga një parti politike, për të sajdisur popullin në formën më të shëmtuar, “joshjen përmes ngopjes”. Ajo që ndodhi më pas është histori, të gjithë ne i dimë pasojat që solli shtrimi i një torte në një vend, akoma në kushtet e pangopjes por edhe në mungesë të theksuar të qytetarisë në shfaqjen publike.
Vallë a ishte kjo një pasojë apo rrethanë thjesht e varfërisë? Padyshim se ky ishte një faktor, por jo vetëm. Një veprim i tillë është një rrjedhojë e tmerrshme e mungesës së kulturës së përgjithshme, mungesës së modestisë dhe respektit ndaj ushqimit dhe komportimit me njëri-tjetrin, por edhe një mungesë e theksuar e qytetarisë dhe civilizimit.
Këtë fenomen e vëmë re rëndom edhe nëpër bankete ku na lihet mundësia të konsumojmë ushqim pa limit, po ashtu edhe në biznese bamirësie, ku secili ka mundësi të marrë falas vetëm atë që i duhet. Ne si shoqëri, akoma nuk kemi në ndërgjegjen tonë sensin e masës apo të ngopjes dhe padyshim pjatat tona janë plot, produktet e marra edhe kur nuk na bëjnë punë denden në kufijtë e shpërfytyrimit. Ky është një leksion shumë i vlefshëm i ndërgjegjes qytetare dhe kulturës.
Në këtë pikë, duhet thënë se e mishëruar në shoqërinë si e tërë apo edhe në elitat qeverisëse, jo gjithmonë por shpesh, pasqyrohet kjo lloj grykësie, mungesë etike apo edhe kulture, njëjtë si edhe panginjja e cila vjen nga stomaku por edhe nga mendësia. Kjo padyshim se është një pasojë e periudhës komuniste, ku efektet e mungesës sjellin padyshim efektin e kundërt, atë të pangopësisë. Por mbi të gjitha është rrjedhojë e edukimit me qytetarinë, etikën dhe kulturën.
Duhen shumë vite edukim dhe shkëmbim kulturor, si dhe emancipim me bazë normat e qytetarisë, kulturës dhe ligjit, të cilat do të gjenerojnë në shoqëri frymën e të sjellit me taktin e një populli të ngopur!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.