FB

April 21, 2025 | 12:30

Arsejda Gjyli: Strategjitë e Fushatës Elektorale në zgjedhjet e këtij viti, mes Marketing-ut Politik dhe Programeve Politike

 

Në botën e sotme, marketingu politik është një mjet i fuqishëm për të tërhequr dhe angazhuar elektoratin. Në Shqipëri, kjo strategji ka marrë një zhvillim të madh gjatë viteve të fundit, duke përdorur teknologjinë dhe mediat sociale si kanale kryesore komunikimi. Partitë po investojnë më shumë në fushata dixhitale duke përdorur algoritme dhe analiza të të dhënave për të targetuar grupe të caktuara votuesish.

arsejda-gjyli

Në këtë kuadër, mesazhet e fushatës shpesh janë të thjeshta, të shkurtra dhe të drejtpërdrejta, duke u fokusuar në nevojat dhe shqetësimet më të ngutshme të qytetarëve. Përdorimi i figurave publike, influencerëve dhe personaliteteve të njohura për të tërhequr mbështetje është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e strategjisë së marketingut politik. Një tjetër element që ka shpërthyer në Shqipëri është përdorimi i videove dhe reklamave të krijuara me mjete të sofistikuara teknologjike për të shpalosur mesazhe politike në mënyrë tërheqëse dhe intriguese por që shpesh mbartin një komunikim të fortë me publikun nga ku duket se Platforma Tik-Tok ka patur ndikim të konsiderueshëm në këtë trend. Kjo taktikë synon të ndikojë jo vetëm brezat e rinj por edhe qytetarët në tërësi dhe t’i inkurajojë ata të angazhohen përmes postimeve dhe shpërndarjeve në rrjetet sociale. Kjo tregohet fare qartë në komunikimet e influencuara nga fushatat elektorale edhe në vende të tjera të botës, ku ndër to influenca e fushatës së Trump në SHBA ka patur një ndikim të konsiderueshëm në mënyrën sesi bëhet Marketingu Politik në Shqipëri por edhe në Programet Politike të Partive kryesore. Ndër to mund të theksojmë konceptin e Shqipërisë madhështore të PD-së, komunikimin publik me terma, epitete apo metafora të Kryeministrit Edi Rama dhe së fundmi edhe komunikimin Rama-Basha me një stil jo konformist dhe të ndikuar nga modelet që të rinjtë ndjekin në Tik-Tok.

Në anën tjetër, shumica e partive politike që përgatiten për zgjedhjet e vitit 2025 po mundohet gjithashtu të ofrojnë programe konkrete dhe angazhime që mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Këto programe shpesh përfshijnë iniciativa për rritjen e punësimit, zhvillimin e infrastrukturës, uljen e borxhit publik dhe përmirësimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore. Në këtë aspekt, partitë politike janë të detyruara të përqendrohen në hartimin e programeve që mund të implementohen në realitet, duke synuar të ofrojnë një vizion të qartë për të ardhmen e vendit. Megjithatë, një nga problemet kryesore që hasen këto programe është mungesa e qartësisë në lidhje me mënyrën se si do të realizohen këto angazhime. Pjesa më e madhe e partive politike nuk ofrojnë detaje të plota për burimet financiare që do të përdoren, ose për hapat e nevojshëm për të realizuar ato projekte.

 

Marketingu Politik dhe Programi si pjesë të një Strategjie të Përbashkët

Dilema midis marketingut politik dhe ofrimit të një programi konkret është një sfidë që partive politike shqiptare u duhet të adresojnë gjatë fushatës elektorale. Në shumë raste, ato e shohin marketingun politik dhe programin si dy aspekte të pandashme të një strategjie të përbashkët. Mesazhet e marketingut politik mund të përdoren për të rritur dukshmërinë e një partie dhe për të ndihmuar në mobilizimin e mbështetjeve, ndërsa programi konkret i partisë mund të ofrojë besueshmëri dhe mundësi për të konkretizuar premtimet e bëra. Në këtë mënyrë, partitë politike duhet të përdorin marketingun për të theksuar pikat e forta të programeve të tyre, por njëkohësisht përpiqen të krijojnë një imazh pozitiv dhe të besueshëm për liderët dhe kandidatët e tyre. Kjo është një praktikë që kërkon një balancim të ndjeshëm mes marketingut politik dhe fushatës së bazuar në argumente të forta dhe të matshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top