Në terma filozofikë është gati-gati e pakuptueshme sesi ne fillojmë e festojmë rreth një muaj më herët për atë që quhet “Viti i Ri”, por ndërkohë akoma ndodhemi në vitin e vjetër. Logjikisht nuk ka ndonjë arsye reale për të festuar një vit të ri për aq kohë sa ne nuk kemi asnjë indicie mbi përmbajtjen e këtij viti, nuk kemi dijeni mbi destinin por edhe faktin sesi do të komportohemi me vetveten dhe objektivat që kemi vendosur për të realizuar.
Si shumë gjëra të tjera që nuk kanë një kuptim real, njerëzit festojnë sepse ndiejnë nevojën për të festuar, ndiejnë nevojën për të glorifikuar të ardhmen dhe fillimin e ri dhe kanë nevojë të lidhin ndryshimin apo fillimet e reja me “Vitin e ri”.
Në plan konceptual nuk ka asnjë ndarje ndërmjet vitit të ri dhe vitit të vjetër. Këto mbeten veçse disa koncepte tejet abstrakte dhe psikologjike, të cilat nuk ndryshojnë si prerogativë nëse në thelb nuk ndryshon njeriu, mendësia, qasja e tij për jetën dhe mënyrën e të jetuarit të jetës, e po ashtu nëse nuk ndryshojnë edhe rrethanat dhe kushtet e jetesës.
Në tërë këtë tymnajë ndërlidhjeje ndërmjet pakuptimësisë dhe përpjekjes për t’i dhënë një kuptim festimeve pa një manifestim real, duhet thënë se më e rëndësishme në fundvit mbetet reflektimi dhe përpjekja e gjithsecilit nga ne për t’u kthyer tek vetvetja dhe për të medituar mbi qëllimet vetjake dhe përpjekjet për të qenë një qenie e realizuar, me qëllime konkrete, rregulla dhe udhërrëfyes moralë.
Rikthimi tek vetvetja bën të mundur zbutjen e abstraksionit ndërmjet një viti që fillon dhe një viti që mbaron të cilët i ndan vetëm një sekondë, por psikologjikisht hera-herës mund të duken si dy jetë të ndryshme.
Pavarësisht rëndësisë së refleksionit dhe analizës deri diku filozofike të këtyre koncepteve, duhet thënë se prakticiteti me të cilin dendemi të jetojmë jetën sado filozofike të jenë mendimet mbi të, shpeshherë na detyron t’i pranojmë festat me tërë thjeshtësinë, e kësisoj në këtë realitet tejet të ngarkuar në të cilin jetojmë, njëjtë si fëmijët, të pranojmë t’i dorëzohemi momentit dhe festës.
Ndaj, ajo që na vlen për t’u mbajtur në konsideratë është të jetojmë dhe shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për të bërë një jetë të balancuar ndërmjet reflektimit mbi realizimin e objektivave racionalë dhe përqafimit të momenteve të rëndësishme për të jetuar dhe gëzuar me familjen dhe rrethin shoqëror, pa harruar se i tërë thelbi ynë si qenie njerëzore është të mos humbasim në kotësi por të gjurmojmë qëllimin tonë në jetë e të realizojmë aq sa mundemi atë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.