Shumë njerëz provojnë shtrëngime të kraharorit të cilat rëndom u duken sikur janë dhimbje të zemrës. Dhimbje dhe shtrëngime të tilla natyrshëm shkaktojnë stres dhe shqetësim. Arsyet që zemra dhemb ose keni shtrëngime në kraharor janë të shumta, megjithatë jo çdo dhimbje është tregues i një problemi specifik me zemrën.
Zemra mund të dhembë edhe për shkak të problemeve me tretjen, stresin ose mushkëritë. Por zemra mund të dhembë edhe për shkak të një problemi me vetë organin ose enët e gjakut. Kjo është arsyeja përse dhimbje të tilla nuk duhen anashkaluar dhe njeriu duhet të jetë i vëmendshëm ndaj simptomave shoqëruese. Dhimbjet serioze të zemrës shpërndahen në krahun e majtë, shpatull ose nofull. Urthi nga ana tjetër shoqërohet me ndjesinë e përvëlimit në stomak dhe dhimbje të zemrës. Kolla që shoqërohet me dhimbje të zemrës tregojnë se njeriu ka një problem me mushkëritë.
Në këtë artikull do të mësoni se si të interpretoni saktë simptomat që shpalosen në rast dhimbjesh.
Dhimbjet e zemrës për shkak të sëmundjeve koronare
Nëse ndjeni dhimbje në kraharor që shpërndahet tek zona e krahut, atëherë qarkullimi i gjakut mund të jetë penguar nga bllokimi i përkohshëm i enëve të gjakut. Këto dhimbje shfaqen edhe pas një lodhje të fortë fizike. Simptoma të tjera të sëmundjeve koronare janë ndjesia e djegies në kraharor, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje të fortë në kraharor pas kryerjes së një aktiviteti intensiv fizik.
Ataku në zemër
Nëse ndjeni sikur mbi kraharor keni një peshë shumë të rëndë, atëherë kjo mund të jetë tregues i një ataku të mundshëm të zemrës. Dhimbja e zemrës si pasojë e atakut mund të zgjasë disa minuta. Shumë shpesh, dhimbja përhapet në zonën e nofullës, shpatullës dhe krahut të majtë. Ajo shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, të përziera, dhimbje në stomak dhe djersë të ftohta.
Dhimbjet e zemrës si pasojë e stresit
Stresi i vazhdueshëm emocional ose psikologjik ka ndikim të keq në shëndetin e zemrës. Stresi rrit rrahjet e zemrës, shtrëngon muskujt e saj dhe rrit tensionin e gjakut.
Sulmet e panikut
Stresi nxit shumë sulme paniku të cilat kanë ndikim tek zemra. Këto sulme shoqërohen me dhimbje të mprehta të kraharorit. Zemra dhemb për shkak të kontraktimit të muskujve të kraharorit, rritjes së tensionit ose mungesës së gjakut. Në rastet e stresit dhe panikut, dhimbja e zemrës shoqërohet me ndjesinë e therjes në duar ose këmbë, të dridhura, marramendje ose mungesë kontrolli.
Kur ‘thyhet’ zemra
Emocionet kanë një ndikim të fortë tek zemra dhe shkaktojnë me të vërtetë dhembje të saj. Stresi i humbjes së një njeriu të dashur mund të rrisë rrezikun e problemeve serioze me zemrën. Studiuesit konfirmojnë se humbja e një njeriu mund të shkaktojë mpiksje të gjakut, rrahje të çrregullta të zemrës dhe deri atak në zemër. Ju këshillojmë të bëni kujdes e të menaxhoni sa të mundeni stresin.
Problemet me mushkëritë
Problemet me mushkëritë mund të jenë një shkak serioz për dhimbjet e kraharorit pa lidhje me sëmundjet kardiake. Një nga simptomat shoqëruese të pneumonisë është dhimbja therëse në zonën e zemrës. Dhimbja përkeqësohet gjatë kollës, teshtimës ose frymëmarrjes së thellë. Simptoma të tjera të pneumonisë janë ethet, vështirësitë në frymëmarrje, dhimbje gjymtyrësh, dhimbje stomaku dhe lodhje. Astma mund të jetë një tjetër arsye përse zemra dhemb, nëse ndieni dhimbje kur kolliteni ose teshtini.
Problemet me tretjen
Sipas të dhënave, shumë probleme që prekin sistemin tretës shoqërohen me dhimbje të zemrës ose kraharorit. Urthi është një i tillë, dhimbjet e së cilit të japin gjithnjë idenë se ka diçka që nuk shkon me zemrën. Mjekët thonë se ndryshimi mes dhimbjeve të urthit dhe të zemrës është se urthi ka ndjesinë e djegies në kraharor ndërsa problemet me zemrën manifestohen me ndjesinë e shtrëngimit.
Kur është koha të konsultoheni me një mjek
Një zemër që dhemb nuk do të thotë domosdoshmërisht që keni probleme me zemrën. Megjithatë dhembjet nuk duhen injoruar.
Kërkoni menjëherë ndihmë në rastet kur keni:
- Shtrëngim të fortë në zonën e kraharorit.
- Presion në krahun e majtë, shpinë, nofull, qafë dhe pjesën e sipërme të stomakut.
- Dhimbje të vazhdueshme për disa minuta.
- Vështirësi në frymëmarrje.
- Marramendje dhe djersë të ftohta.
- Dhimbje zemre që përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik.
Burimi / AgroWeb.org
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.