Mirëqenie

November 26, 2020 | 9:05

Arsyet pse duhet të lexoni

Leximi përfaqëson një numër kaq të rëndësishëm përfitimesh, të cilat është e pamundur t’i listojmë. Kemi përzgjedhur gjashtë përfitime që leximi ka te çdo njeri…

  1. Ul nivelin e stresit

Që leximi është një anti-stres i shkëlqyer është vërtetuar edhe nga një studim i Universitetit të Sussex-it, i cili ka treguar se mund të ulë nivelet e stresit deri në 68%. Nuk ka rëndësi se çfarë libri është, të humbasësh në faqet e një historie ju lejon të hidhni pas krahëve shqetësimet e përditshmërisë për t’u zhytur në botën imagjinare të autorit.

  1. Ju bën më inteligjentë

Karikaturisti amerikan Dr.Seuss ka shkruar: “Sa më shumë lexoni, aq më shumë gjëra do të mësoni. Sa më shumë të mësoni, aq më shumë vende do të vizitoni”. Leximi, që në fëmijëri, ju lejon të zhyteni në një botë njohurish dhe të ndërtoni një fjalor të pasur. Sipas një studimi të Universitetit të Berkeley në Kaliforni, librat për fëmijë i bëjnë atyre të mundur të mësojnë 50% më shumë fjalë, krahasuar me televizorin apo me një bashkëbisedim normal mes diplomatëve. Të mësoni fjalë të reja i lejon fëmijët të shprehen më mirë dhe të marrin nota më të larta në të gjitha testet e inteligjencës. Rezultate më të mira japin leximi në libër dhe jo në kompjuter, pasi ai e ngadalëson leximin me 20-30%.

  1. Parandalon Alzheimer-in

Leximi vë trurin në punë. Njerëzit që i dedikohen shpesh aktiviteteve si leximi, shahu apo lojërat puzzle mund të kenë shumë më pak mundësi për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimer-it, krahasuar me të tjerët. Kjo sepse, të mbash trurin të stërvitur është kura më e mirë kundër inaktivitetit, një nga shenjat e para të sëmundjes.

  1. Ju ndihmon për të kuptuar të tjerët

Mund të duket një aktivitet vetmitar dhe individualist, por leximi mund të na bëjë më të aftë të lidhemi me të tjerët. Sidomos romanet, falë përshkrimeve të detajuara sentimentale, kanë fuqinë t’i ndihmojnë lexuesit të kuptojnë atë që të tjerët ndjejnë dhe mendojnë. Sipas një studimi të botuar në revistës “Science”, ta vini veten në situatat e të tjerëve është një aftësi e rëndësishme për t’u lidhur me njerëzit.

  1. Përshpejton gjumin

Para se të fikni dritën e dhomës, lexoni diçka! Sipas “Mayo Clinic” të çlodheni me një libër, ju ndihmon të flini shumë më shpejt sesa duke lexuar në tablet apo telefon. Kjo është e vërtetë sidomos për fëmijët: të flenë pranë një ekrani dëmton gjumin dhe zvogëlon atë, mesatarisht, 20 minuta në natë.

  1. Është ngjitëse

75% e prindërve do të donin që fëmijët të lexonin për t’u argëtuar. Për të arritur këtë gjë mjafton t’u lexoni me zë të lartë histori ose përralla. Shumë prindër nuk lexojnë më kur fëmijët mësojnë të lexojnë, por sipas një studimi të “Scholastic” të vazhdoni të lexoni me zë të lartë përgjatë gjithë periudhës së shkollës fillore, i bën fëmijët të jenë lexues më të zellshëm – ose të lexojnë nga pesë deri në shtatë herë në javë thjesht për t’u argëtuar. Me pak fjalë: lexojuni atyre histori. Është një mënyrë që t’i inkurajoni drejt këtij pasioni të shëndetshëm. 

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top