FB

March 3, 2026 | 20:30

Arti i Dashurisë!

Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor

Çfarë tha sundimtari (një është sundimtari, nëse po pyesni kush është): “Dashuria fitohet, nuk dhurohet.” Kur e dëgjova rastësisht kafshata më mbeti pezull, fshiva cepat e buzës dhe mendova…

dashuria-fundvit

Dashuria është të përziesh dy sisteme nervore që mbartin histori, plagë, krenari, nevojë për kontroll, frikë nga braktisja dhe ato pyetje fëminore “Nuk do të më lësh kurrë?”, që as vetë nuk i pranon. “Të dua” në fillim është e lehtë, sepse ende nuk je zbuluar plotësisht. Je e/i entuziazmuar. Trupi yt është nën ndikimin e kimisë së dashurisë – dopaminë, noradrenalinë, oksitocinë – një koktej që e bën tjetrin të duket i dërguar nga qielli.

Pastaj, kur shuhet festa biokimike, mbetet e vërteta: tjetri nuk erdhi të të shërojë, erdhi të të takojë. Dhe kjo kërkon mjeshtëri. Hulumtimet e thonë qartë: çiftet që zgjasin nuk janë ato që “përputhen në mënyrë të përsosur”, por ato që ndërtojnë miqësi, ruajnë një raport pozitiv ndërveprimesh dhe dinë të riparojnë çarjet. Pra, grinden, shtrembërohen, por kthehen sërish tek njëri-tjetri.

Magjia nuk është të mos zihen. Magjia është të dish të thuash: “Gabova. Ta nisim nga e para.” Kjo ul distancimin dhe ruan sigurinë në marrëdhënie. Dhe e vërteta, ndoshta më cinike, është se shumica e problemeve në çift janë të përhershme, nuk zgjidhen plotësisht. Nuk e “shëron” tjetrin, as ai ty. Po, dashuria brumoset me vite. Brumoset kur përmbahesh pesë sekonda para se të hedhësh thumbin. Kur pyet “Çfarë të duhet?” në vend të “Kush e ka fajin?”. Kur i jep hapësirë cenueshmërisë së tjetrit pa e shkelur si dobësi. Kur nuk e bën partnerin prind për të marrë atë që nuk more dikur.

Këtu qëndron vështirësia: shumica nuk duan dashuri, duan konfirmim. Duan që tjetri t’i bëjë të ndihen të sigurt, pa mësuar vetë të jenë të sigurt. Duan t’u lexohen mendimet, të kuptohen “automatikisht”; përndryshe, “nuk është njeriu im”. Jo. “Njeriu yt” nuk është ai që hamendëson gjithçka, është ai me të cilin qëndruat në tryezë edhe kur mund të largoheshit.

Dashuria në çift nuk është vetëm ndjenjë. Është praktikë. Është përsëritje. Është zgjedhje. Është riparim i përditshëm. Nëse nuk punohet, nuk shuhet vetvetiu; e shkatërron ngadalë me ironi, me mbrojtje të tepruar, me tërheqje dhe me atë “Mirë, pra…” që në të vërtetë do të thotë “Unë tashmë jam larguar”.

Ta them thjesht: marrëdhënia nuk kërkon vetëm pasion, kërkon aftësi. Dhe kush mendon se aftësitë janë të mërzitshme, le të kujtojë se pa to, në fund nuk mbetet as pasioni. Mbetet vetëm “e drejta” jote dhe….,  një shtrat i ndarë.

Shënim: Ky tekst nuk u shkrua për të të ngushëlluar, as për të justifikuar idenë se “Fajin e ka tjetri”. Nëse të shqetësoi, aq më mirë. Nëse të zemëroi, diçka u prek. Nëse mendon se janë marrëzira, mos e rilexo. Nuk është romantik. Është praktik. Po, dashuria kërkon aftësi!

P.S. Nëse ia dërgon partnerit që “ta kuptojë”, ndoshta nuk e ke kuptuar  ti.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top