
Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi
Që në vogëli, në familje merren konceptet e para për të bukurën dhe kategoritë e tjera estetike. Fitohet përvoja fillestare e perceptimit të së bukurës kudo: në të folur, në sjellje, në të veshur, në lëvizje, përkujdesjen e shtëpisë, në natyrë, në art etj. Krijohen gjithashtu dhe aftësitë e para për ta vlerësuar të bukurën dhe për ta krijuar atë. Sa gjëra të mira, të dobishme dhe të bukura mund të fillojnë të krijojnë fëmijët në familje nën drejtimin, shembullin dhe nxitjen e prindërve! Friedrich Schiller arriti në përfundimin se edukimi estetik është i domosdoshëm jo vetëm në ekuilibrin vetjak të shpirtit të cilitdo prej individëve të njerëzimit, por edhe për zhvillimin e harmonishëm të gjithë shoqërisë. Për mashkullin, femra simbolizon një ikonë bukurie të cilën ai e mendon dhe e do gjithnjë të bukur e të kuruar për sytë e tij. Ai do që femra e tij të shkojë më së miri në krahët e tij, herë- herë edhe si një trofe bukurie. Çdo femër përpiqet të jetë sa më e bukur dhe sa më e rregullt, sa më e pastër dhe sa më e mbajtur, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me modën e fundit. Të qenit joshëse për një mashkull është art më vete dhe kërkon një impenjim të veçantë. Femra që në kohërat antike është simbolizuar me delikatesën, me brishtësinë, sensualitetin, aromën, bukurinë dhe duke iu përkushtuar në mënyrë të veçantë pamjes së saj me modelimin e flokëve, buzët e kuqe, vetullat me formë, parfumet epshndjellëse, dekoltetë sensuale, bizhutë sharmante etj. Sot në kohërat moderne cilësive të sipërpërmendura u janë shtuar edhe aktivitete të ndryshme si sporti, vrapi, palestra, dance, zumba, masazhet relaksuese, trajtimet e trupit, të fytyrës apo edhe lifting. Këto e shumë të tjera janë bërë pjesë e impenjimeve të çdo femre për të qenë sa më joshëse për partnerin dhe për t’u ndier mirë me veten. Sallonet e bukurisë dhe qendrat estetike po arrijnë një numër të lartë frekuentimi nga çdo vajzë e grua. Çdo femër përpiqet të duket bukur dhe e kuruar në çdo kohë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë trupit dhe kujdesit për ta pasur atë sa më në formë. Normalisht, çdo vend apo institucion karakterizohet me veshjen përkatëse sipas kodit shoqëror të vendosur në një kompromis të heshtur apo nga eprori punëdhënës. Një femër duhet të arrijë ta ndajë veshjen që kërkon institucioni i punës, veshjen e një kafeje paradite nga veshja e një eventi në mbrëmje. Nëse ajo di të dallojë qartë ndryshimin mes këtyre komponentëve të këtij kodi, atëherë është koherente në çdo kohë. Për sa i përket raportit në çift, si në vitin e parë të lidhjes, edhe në fejesë apo martesë, femra duhet t’i kushtojë rëndësi të njëjtë dhe të veçantë pamjes së saj fizike. Për të, vitet nuk duhet të kalojnë kurrë, duke mos lënë mbas dore veten e duke mos fituar një vetëbesim te partneri për bukurinë që ajo supozohet të përcjellë në sytë e tij. Çdo ditë një femër duhet të jetë e bukur dhe ndryshe, për të ngjallur interes dhe joshje te partneri. Festat e fundvitit janë festa speciale që sjellin shumë dashuri dhe lumturi tek të gjithë ne. Normalisht që ato ndikojnë shumë në marrëdhënien në çift. Thonjtë e kuq, një fustan i mëndafshtë, një palë taka të larta të kuqe dhe një parfum që ‘çmend’ partnerin janë disa detaje, pjesë të impenjimit të çdo femre në këtë periudhë magjike.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.