Në fokus

February 6, 2018 | 8:46

Arti i të dëgjuarit sipas Plutarkut

 

Jetojmë në kohën e komunikimit global, frenetik, të menjëhershëm, ku përveç të folurit një rëndësi po aq të rëndësishme në komunikim ka edhe dëgjimi.

Njësoj si Ciceroni, edhe Plutarku është një gjeni i pothuajse dymijë vjetëve më parë. “Arti i të dëgjuarit” nga Plutarku, është një diskutim i shkurtër i shkruar për të rinjtë që duan të mësojnë filozofinë.

Këshillat e tij janë mjaft aktuale edhe në ditët e sotme. “Natyra i ka dhënë gjithësecilit prej nesh dy veshë, por vetëm një gjuhë, sepse kemi më shumë tendencën të dëgjojmë sesa të flasim.” Kjo shprehje përmbledh një pjesë të mirë të këshillave: dëgjoni shumë, me vëmendje, flisni më pak dhe gjithmonë pasi të keni dëgjuar. Nëse përgjigjeni menjëherë, para se tjetri të mbarojë së foluri, nëse e ndërprisni apo flisni njëkohësisht, krijoni dashur pa dashur një polemikë. Kush kundërpërgjigjet menjëherë, nuk dëgjon asgjë nga bashkëbiseduesi dhe as nuk dëgjohet prej tij, duke lënë kështu përshtypje të gabuar.

Ama, nëse gjatë jetës ka përfituar zakonin e të dëgjuarit, në mënyrë të kontrolluar e me respekt, ia del të kuptojë e të bëjë të vetin një diskutim të nevojshëm. Për më tepër, jep imazhin e një njeriu që e do të vërtetën dhe i qëndron larg polemikave. Gjuha është një dhuratë e jashtëzakonshme, njësoj siç është edhe mundësia për të shprehur me fjalë ndjenjat tona. Ironikisht, sa më shumë flasim, aq më pak jemi të aftë për të komunikuar.

Kemi përzgjedhur disa arsye për të folur më pak e për të dëgjuar më shumë, për të përmirësuar aftësinë e komunikimit me të tjerët.

Keni më shumë kohë për të menduar
Shpesh na ndodh që të flasim instinktivisht dhe të hapim gojën pa pasur vetëdije të plotë mbi atë çka realisht po themi. E duke bërë kështu, shumë shpesh përfundojmë të hyjmë në telashe. Këshilla është shumë e thjeshtë: para se të flisni dhe të shprehni atë që ndjeni është mirë të merrni frymë thellë. Mendoni mirë se çfarë duhet të thoni. Kini parasysh se mendimi që po përpunoni në mendje është vetëm një nga përgjigjet e pafundme që mund t’i jepni bashkëbiseduesit tuaj.

Dëgjoni para se të arrini në përfundime
Kur dikush ju flet, shpesh jeni aq shumë të përqendruar mbi atë që keni në mendje për ta thënë, saqë përfundoni të mos i jepni vëmendjen e duhur bashkëbiseduesit. E ndërprisni, përfundoni fjalinë në vend të tij, flisni të dy njëkohësisht, pa i dhënë mundësinë të shprehet deri në fund. Ndryshoni sjellje! Një nga format më të mëdha të respektit që mund të keni kundrejt dikujt, është që ta dëgjoni me vëmendje, pa e ndërprerë, duke i lënë kohën që i nevojitet për të shprehur atë që mendon. Kjo gjë do t’ju lejojë të përthithni sa më mirë mesazhin që ai përpiqet t’ju japë, të mos arrini në përfundime të parakoshme dhe të përpunoni sa më mirë atë çka keni për të thënë.

Mësoni të dëgjoni
Një nga çelësat që t’ju dëgjojnë është që të dini të dëgjoni. Duke bërë kështu, jo vetëm do të gjeni njerëz më të prirur që t’ju dëgjojnë realisht, por njerëzit që do të dini të dëgjoni do të jenë më të prirur t’ju dëgjojnë kur t’ju vijë radha juve. Largoni telefonin kur flisni me dikë. Mos shihni rreth e rrotull. Nëse humbisni diçka që ka thënë, kërkojini ta thotë sërish.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top