FB

November 20, 2025 | 11:16

Arti, trupi dhe keqkuptimi: Shqiptarët në simbiozë me Piu-n IV / Rasti shqiptar dhe historia e gjatë e artit si mjet sensibilizimi

 

Nga Sonila Gruda, Psikologe Zhvillimi

Në Shqipëri, këto ditë, u regjistrua një episod që meriton të studiohet si shembulli më i zhurmshëm i keqkuptimit kulturor, analfabetizmit vizual dhe panikut moral. Në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar të Tiranës, mbi mozaikun“Shqipëria” të restauruar në vitin 2023, simbol i ikonografisë socialiste, u ekspozua një pikturë që paraqet të njëjtën grua si në mozaik, por pa flokë dhe pa një gjoks. Vepra e realizuar nga artistja Blerta Kambo, e menduar si ndërhyrje e përkohshme për sensibilizimin ndaj kancerit të gjirit, do të qëndrojë e vendosur për dymbëdhjetë ditë. Vetë artistja shpjegoi kuptimin: të bëhet e dukshme ajo që zakonisht fshihet, trauma trupore dhe psikologjike e sëmundjes.

intalacioni-muzeu

Megjithatë, në vend që të mirëpritej mesazhi, shumica e opinionit publik shqiptar reagoi me protesta të ashpra: manifestime “pro familje”, pastorë në rresht të parë, personazhe të medias, madje edhe avokatë, dhanë deklarata sipas të cilëve vepra përfaqësonte një figurë transgjinore ose sulmonte vlerat tradicionale. Paradoksi më i madh është se deklaratat erdhën nga të njëjtët njerëz që për vite me radhë kishin diskredituar dhe zhvleftësuar mozaikun si “propagandë komuniste” ndërsa tani e quajnë trashëgimi të çmuar që duhet mbrojtur nga “devijimi” artistik.

Po kaq njerëz kanë ofenduar duke bërë bodyshaming, madje edhe duke i uruar vdekjen një sportistes shqiptare, Silvana Delija, e cila praktikon sportin e bodybuilding vetëm e vetëm se ka zgjedhur t’i qethë flokët. Poshtë videove si të saj apo të bashkëshortit, vihen re vazhdimisht komente mizore: herë e quajnë transgjinore, herë pretendojnë se është me kancer, sikur mungesa e flokëve të ishte një arsye për tallje apo për të sulmuar dinjitetin e dikujt.

Të dashur patriotë shqiptarë, mospasja e flokëve është shenjë e të qenët me kancer, apo të qenët trans? Gjithçka ndodh në një klimë tashmë të tensionuar nga miratimi i ligjit për barazinë gjinore: çdo imazh që nuk përputhet me stereotipet tradicionale, gruaja me flokë të gjatë, e plotë, e respektueshme, shkakton trazim identitar. Bëhet fjalë për një reagim që ka më pak të bëjë me artin dhe më shumë me biaset konjitive, frikën nga ndryshimi dhe vështirësinë për të pranuar sëmundjen si pjesë të realitetit social.

instalacioni

Arti, shtegu i shpejtë ku fjala mbetet pas.

Pse është kaq i rëndësishëm ky veprim ose gjest artistik? Sepse arti, historikisht, është kanali i preferuar për të komunikuar atë që shoqëria ka vështirësi ta bluajë. Imazhi nuk kërkon të lexohet, por vetëimponohet.

Truri reagon ndaj një imazhi brenda disa milisekondave, pasi para se të kuptojmë, ndjejmë. Arti depërton më shpejt në mendim se gjuha e shkruar dhe, për këtë arsye, është më efektiv në formësimin e përfaqësimeve sociale.

Ata që kritikojnë këto iniciativa si “të panevojshme” ose “fyese” harrojnë se arti gjithmonë ka trajtuar tematika të ndryshme: ndrydhjen seksuale, erotizmin, dhimbjen, sëmundjen, vdekjen, etj., shpesh me realizëm të ashpër. Sot, të shfaqësh një vragë (shenjë e mastektomisë) ose një kokë të qethur duket më tronditës se martirizmi i krishterë, shahada islame, ilustrimi i murtajës, autopsitë e Rilindjes Europiane.

 

Një traditë e gjatë: kur arti ekspozon sëmundjen

Përdorimi i artit për të bërë të dukshme vuajtjen nuk lindi sot por që kur u krijua njeriu. Mjafton që shoqëria të hapë librat dhe të humbasë orë të tëra mbi to për t’u informuar, ashtu si humbet kohën në kafene, një ritual i përditshëm shqiptar.

Në vitet e fundit, fushatat ndërkombëtare për shëndetin e grave kanë ripërpunuar kryeveprat me famë botërore duke i ri-interpretuar e paraqitur pa flokë dhe me mastektomi, ku ndër më të njohurat është Gioconda ose Monna Lisa e Leonardo Da Vinci-t që u përdor nga fondacioni ANT themeluar nga Prof. Franco Pannuti, ideuar nga Diaframma Advertising, si dhe Nascita di Venere e Botticelli-t, për të treguar brishtësinë e trupit femëror e përdorur nga Komen. Këto imazhe janë kthyer në simbole, sepse të gjithë njohin origjinalin, ku kontrasti midis idealit dhe realitetit transmeton menjëherë mesazhin.

 

ant_gioconda

Shembuj të fundit: sensibilizimi nuk është vetëm fenomen shqiptar

1. Ekspozita e Madridit “From the Skin to the Canvas: another take on breast cancer” (2022)

Museo Nacional Thyssen-Bornemisza, u paraqit një ekspozitë që ripërpunoi veprat e: Goya, Rubens, Hans Baldung Grien, të shfaqura me shenjën e mastektomisë. Falë një performance digjitale, La Maja desnuda “operohet” duke u shfaqur me një vragë në gjoksin e majtë, akt simbolik, për të treguar që sëmundja lë gjurmë reale, që meritojnë të njihen.

2. Fushatat e Komen Italia

Komen Italia hartoi një projekt që bashkon artin klasik me sensibilizimin përmes komunikimit vizual. Për të përcjellë mesazhin simbolik përdori disa vepra të famshme që truri i njeriut i ka të fotografuara në kujtesën e tij:

Venere Callipigia, u shndërrua në “testimonial” simbolik përmes fushatave të bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës. Postera, video dhe instalime që ripërpunojnë figura ikonike të antikitetit për të shpërndarë mesazhe për shëndetin e grave.

 

3. Ripërpunime digjitale të statujave greko-romake

Artistë dhe organizata ndërkombëtare përdorin gjithashtu artin e lashtë për të përfaqësuar brishtësinë e trupit femëror:

Projekti ‘Venuseta’, i frymëzuar nga Veneredi Milo, bashkoi akulloren, kërkimin shkencor, krijimtarinë artistike dhe muzikën, me bashkëpunimin e HeladosBayarri, INCLIVA, artistëve, dizajnerëve dhe influencer-ëve, duke treguar se si arti dhe solidariteti mund të punojnë së bashku për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit.

Vepra bashkëkohore ‘Standing Lady’ e Angelo Accardi-t, e frymëzuar nga Afrodite Cnidia e Praksitelit, u dhurua në Spitalin Isola Tiberina për të mbështetur ndërgjegjësimin dhe mbledhjen e fondeve gjatë Tetorit Rozë, duke bashkuar artin dhe angazhimin në luftën kundër kancerit të gjirit. Statuja dhe buste të tjera greko-romake janë qethur ose modifikuar për të treguar sëmundjen. Këto imazhe kanë ndikim të madh, sepse bashkojnë kanonin estetik më të njohur me brishtësinë njerëzore.

venuseta-web-5

Problemi real: analfabetizmi vizual dhe frika nga simbolika

Rasti shqiptar nuk është i izoluar por është emblematik. Shumë qytetarë nuk dinë ose nuk kanë përvetësuar intstrumentet e duhura qëtë lexojnë gjuhën simbolike. Nëse shohin një grua pa flokë, e interpretojnë si “transgjinore” dhe jo si paciente onkologjike ose si zgjedhje personale. Kur përballen me një gjoks të “fshirë”, ulërasin skandal në kor, duke e perceptuar si kërcënim ndaj familjes dhe jo si denoncim shoqëror. Kjo paaftësi vjen nga:

mungesa e edukimit artistik,

stereotipet gjinore të thella,

tendenca për dezinformim,

ndikimi i figurave fetare dhe politike që përdorin frikën për konsensus.

 

Pse krijohet ky efekt në trurin e njeriut si forme mekanizmi mbrojtës?

Së pari është vështirësia për të pranuar një të vërtetë të hidhur: të shohësh sëmundjen publikisht frikëson.

Së dyti është më e lehtë të sulmojmë një pikturë se të përballemi me realitetin e grave që vuajnë.

Një shoqëri që ka frikë ta shikojë veten në pasqyrë, duke iu fshehur të vërtetës së saj: një Dorian Gray i përjetshëm që dridhet para pasqyrimit të vet.

Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ishin krenarë për një iniciativë artistike kaq guximtare. Por reagimi tregon limitet e një shoqërie që ende e ka të vështirë të kuptojë gjuhën simbolike, të pranojë kompleksitetin e trupit femëror, të njohë sëmundjen pa turp dhe t’i mbrojë gratë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

Arti nuk e shkatërron familjen.

Arti nuk e prish traditën.

Arti nuk e fshin identitetin.

Arti zbulon atë që injorojmë, asaj që i frikësohemi dhe atë që duam të mos e shohim. Për këtë arsye, ai është i nevojshëm. Nëse dikush duhet të turpërohet, nuk janë artistët, por ata që e kthejnë një betejë për jetën në një pretekst ideologjik dhe politik.

komen-italia

SITOGRAFIA

Arte y Salud _ Cultura en Vena _ Promo

Jornada Arte y Salud>Programa – Cultura en Vena

Art and health study day | Museo Nacional Thyssen-Bornemisza

Gazing on Cancer | Cancer Today

Chi Siamo – Fondazione ANT Franco Pannuti ETS

La Gioconda calva per la campagna anti-cancro – Rai News

“La Prevenzione è il nostro Capolavoro” – Komen Italia

La Prevenzione è il nostro capolavoro

Una Gioconda calva testimonial dell’Eubiosia – Vita.it

La Venus querecaudafondos para la investigación contra elcáncer de mama

Angelo Accardi e ‘Standing Lady’ per l’Ospedale Isola Tiberina

 Përfundonrestaurimi i mozaikut “Shqipëria” nësheshinSkënderbej – APEL MEDIA – Lajmi i fundit

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top