Prej 8 vitesh është grua e martuar… plot 35 vjeç, çka do të thotë se ora biologjike ka trokitur… e megjithatë Artiola Toska ende nuk e ka lindur fëmijën e saj. Pse? Çdo rast ka specifikat e veta… Edhe për këngëtaren popullore kështu. Po të kish qenë në dorën e saj, ndryshe do të kishin qenë gjërat. Megjithatë, ajo mbetet në pritje, duke e ndjerë orën biologjike të tringëllojë e duke besuar njëkohësisht…
Në moshën e vogëlisë, kur ajo ende luante me kukulla që i shndërronte në “bebe”, duke u hequr rrobat dhe duke i përkundur në krah, pati fatin që të bëhej me dy vëllezër. Si motra e madhe, nisi të kujdesej për ta që kur ata lindën, madje edhe emrat ua vendosi ajo. “Bebet” e Artiolës, tashmë ishin dy vëllezërit e vegjël, që shpejt fituan vëmendjen e saj, deri sa u rritën. Kjo gjë e stërviti vajzën e talentuar aq shumë, sa e bënte të ëndërronte për një familje të saj të madhe, të mbushur me fëmijë e plot gëzime. Ishte një nga ato dëshirat foshnjore, të padjallëzuara, që hedhin rrënjë që herët, e sidomos tek femrat! Ndoshta ishte instinkti ai që ia përforconte idenë e mëmësisë.
***
Po kaq i furishëm ishte edhe pasioni për artin, dëshira për të qenë e famshme, për të kënduar përpara njerëzve dhe për të rrokur përqafimet e duartrokitjet e tyre. Këngëtarja e muzikës popullore u rrit me këtë frymë, po jo aq sa të dyzohej përballë zgjedhjes: ose karrierën, ose familjen! “Nuk jam bazuar në ndonjë model konkret ose të veçantë, pasi preferoj t’i lë gjërat të rrjedhin natyrshëm. Asnjëherë nuk bëj plane të largëta. Të qenit këngëtare dhe karriera artistike kanë ardhur gradualisht tek unë. Jam rritur profesionalisht dhe kam punuar shumë për të qenë një emër i afirmuar në muzikë. Por, me bërjen e martesës nuk kam menduar: nëse bashkëshorti a një fëmijë do më lidhte këmbët, apo më mirë muzika, që është investim i momentit dhe i së ardhmes për mua. Jam përpjekur t’i bëj të dyja, u jam përkushtuar maksimalisht. Fundja, nuk jam as e para dhe as e fundit…”, thotë për revistën Artiola.
***
Për këngëtaren duket se gjërat kanë qenë më të thjeshta. Duke kënduar në një moshë fare të vogël, ajo ka mundur të investojë në muzikë dhe njëfarësoj rrugën e famës e ka pasur të shtruar. Të paktën deri në kohën kur vendosi të ndryshojë statusin e saj, në një grua të martuar. “Me Adin jam njohur në një mbrëmje. Ishte dashuri me shikim të parë. Gjithçka ndodhi në një moment kur unë isha në kulmin e karrierës dhe pavarësisht kësaj vendosëm të krijonim familje. Jemi njohur përpara 10 vitesh, ndërsa kemi 8 vjet të martuar. Ajo që na mungon në këto kohë është vetëm një fëmijë. Dëshira ka kohë që ka lindur tek unë, pasi të dy i duam shumë fëmijët… Thjesht mendoj që nuk ka ‘zbritur’ momenti fatlum”, shprehet Toska.
***
Një fëmijë do t’i jepte më tepër larmi dhe lumturi çiftit të tyre, do ua zbukuronte jetën më shumë se gjithçka tjetër. Të qenit 35 vjeçe dhe ende pa provuar ndjesinë e nënës, nuk e ka ngrysur këngëtaren e njohur, pasi ajo është e bindur se asnjëherë nuk është vonë për t’u bërë nënë. Me shëndetin dhe fizikun e saj gjithçka shkon mrekullisht mirë, karriera e dashuria me të shoqin janë pikërisht aty ku duhet të jenë, ndërsa ardhja në jetë e një fëmije është thjesht çështje kohe për Artiolën. “Kam arritur të besoj se të lindurit e një fëmije është për një femër vetvetiu një përvojë natyrale, e pashmangshme dhe e bukur. Duke besuar në Zot dhe fuqinë e paepshme të tij, jam e bindur se një ditë do të bëhem nënë, madje do të jem nga ato mamatë e përkushtuara dhe të devotshme. Një arsye më tepër është fakti që kam pritur kaq gjatë për t’i dhënë një pasardhës tim shoqi, vetes sime dhe pse jo familjeve tona. Dhe jam e bindur se ai moment do të trokasë për të ndryshuar përgjithmonë jetët tona”, përfundon ajo.
Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.