Marrëdhënie

November 23, 2016 | 9:00

Askush nuk më do! Çfarë fshihet pas kësaj nevoje pikëlluese për vëmendje?

1Kur hyn në zyrë Adeli i përshëndet të gjithë. E nëse ndodh që nuk merr përgjigje, s’e vret mendjen. Sara, përkundrazi, pret që të jenë të tjerët që ta përshëndesin. Nëse nuk merr një “mirëdita” nga kolegët, var turinjtë. Adela ka shumë miq: i takon shpesh, shkon në kinema me ta, në diskotekë. Por ka ditë që nuk i takon. “Ndodh të mos takohemi, është jeta kështu, jemi të gjithë të zënë me punë”. Edhe Sara ka shumë miq. Vetëm se asnjëri nuk duket se i mjafton. Ose asnjëri nuk e përmbush. Pastaj, nëse njëra shoqe nuk i përgjigjet thirrjes së përditshme në telefon, ja ku i lulëzon një ide e rrënjosur në “unin” e saj: “Askush nuk më do”. Cilat janë arsyet e kërkesës së pafundme për dashuri të Sarës?

 

Defekt vetëvlerësimi…

“Pohimi ‘askush nuk më do’ tingëllon si një nevojë e pashuar për siguri, – shpjegon psikologia Maria Saccà, – dhe fsheh një pasiguri të thellë në pasuritë vetjake”.

Një plagë që shpesh e ka origjinën në fëmijëri. “Më vijnë ndërmend zhvendosjet e pafundme që bënim familjarisht në kohën kur unë isha fëmijë, -rrëfen Laureta, 34 vjeçe, mësuese biologjie. – Me një baba inxhinier urash që transferohej një herë në disa vjet, jam rritur pa miqësi dhe ndjenja të thella. Pra, jam ndjerë ndryshe, inferiore”. Laureta, pra, ka gjithnjë nevojë për shikimin e tjetrit (i ka munguar qysh nga fëmijëria) për t’u bindur për aftësitë e veta. “Kërkesa e saj për dashuri është në terma negativë një kërkesë pasive, që kalon në viktimizim, ku mungon vullneti real për të ndryshuar gjërat, – saktëson Nessia Laniado, terapeute familjare – ose është defekt në dashuri.”

Adës, ndryshe nga Laureta, i ka munguar ngrohtësia në familje. “Prindërit e mi flisnin fare pak si mes njëri-tjetrit, si me mua, – tregon ajo. Kurrë një pyetje rreth shkollës, një kompliment, një inkurajim nga ana e tyre”. Edhe tani, në prag të të dyzetave, Ada jeton me bindjen se askush nuk e do. “Nëse të gjithë prindërit i duan shumë fëmijët, ka mjaft prej tyre që nuk dinë ta tregojnë dashurinë,  – thotë Laniado. –  Të manifestosh ndjenjat kundrejt fëmijëve, do të thotë të garantosh ekuilibrin e tyre për të ardhmen dhe t’i mbrosh ata nga shpërfilljet e të tjerëve dhe disfatat që jeta u rezervon”.

 

“Ego” e skajshme…

“Nuk është faji im, janë të tjerët që nuk interesohen për mua,  – ankohet Luli, 29 vjeç. Kur njoh dikë i bëj pyetje, jam plot me vëmendje ndaj tij, por nuk marr të njëjtën gjë në këmbim”. Pas ndjesisë se nuk të duan, mund të jetë edhe një egocentrizëm i fortë, një element narcist që na bën t’ua veshim të tjerëve fajin: “Bëhet fjalë për persona që e interpretojnë gjithçka në raport me veten”,  – shpjegon Laniado. – Për ta, të të duan do të thotë “të jesh numri një i dashurisë së tyre. Nëse marrin një refuzim, shkojnë menjëherë në përfundimin e përgjithshëm: ‘nëse nuk më do një njeri, do të thotë se nuk më do askush’. Është një lloj projektimi i pandërgjegjshëm: është më e lehtë të bindësh veten se janë të tjerët të paaftë të të duan, se sa të pranosh se nuk je i këndshëm, shkarkohen kështu përgjegjësitë” – përfundon ekspertja.

 

…Ose dashuri e tepërt

Edhe një vëmendje e tepërt nga ana e prindërve kur jeni fëmijë mund të krijojë bindjen se të tjerët nuk ju duan. “Rritet mes pambukut pa kuptuar sa dhe në ç’mënyrë veprimi i tij mund të ndikojë në botë. Kur të rritet, mund të pretendojë të marrë nga të tjerët të njëjtën dashuri të madhe dhe të pakushtëzuar që ka marrë nga mami dhe babi. Përfundon kështu duke u trembur dhe duke i ikur kujt ka përballë. Duke u gjendur pastaj me të vërtetë vetëm.”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top