FB

October 19, 2022 | 8:25

Asnjëherë nuk mund të gjykoni një çift

 

 

Marrëdhënie në çift është ndër më të vështirat për t’u trajtuar edhe në kultura e vende të ndryshme. Përveç kimisë e ndjenjave, duhen edhe disa parime themelore të njëjta që çifti të nisë rrugëtimin e tij të bashkëjetesës. Mirëpo konfliktet në çift mund të jenë për arsye nga më të ndryshmet, nga ato që janë serioze deri tek gjëra të parëndësishme. Mënyra si vendosin kufij dhe tolerojnë për çështje të ndryshme, është ajo që i bashkon ose i bën kundërshtarë,dhe kjo është pjesë e personalitetit të individit. Ndërsa tradhtia është kapaku, edhe dashuria më e madhe mbaron. 

 

Nga Arta Llana, psikologe klinike

arta1

Deri tani nuk më bind psikoterapia e çifteve, pasi në thelb përveç psikoedukimit individual dhe trajtimit që i bëhet problemeve psikologjike, duket sikur më shumë i mëson se si të përshtaten. Sepse, përtej asaj që duket në pamje të parë si konflikt në çift, ka gjëra të tjera të fshehura te personaliteti i individit, të cilat shfaqen dhe manifestohen kur gjejnë terrenin e tyre, e sidomos tek partnerja ku e mendojnë si pronë private. Dhe nisur nga kjo, atëherë kemi një thes me probleme të tjera, që nga psikoanaliza del se nga afër askush nuk është normal, por e rëndësishme është të mos prekësh ekstremet.

Ndërkohë, ky nuk është një raport shoqëror apo një raport biznesi, por është një raport ku mendohet se ti aty po jep nga shpirti e zemra jote, po jep kohën tënde, ke gjetur komunikimin, je në të njëjtën frekuencë energjie e mirëkuptimi, e të gjitha këto ose e transformojnë jetën tënde për mirë ose e dëmtojnë atë me pasoja të cilat janë individuale.

k-1

Në themel është familja dhe dashuria, por të zgjidhej kaq lehtë problemi në çift dhe në familje  atëherë do kishte ardhur paqja kudo në botë dhe problemet e tjera do renditeshin më poshtë ose do ishin detyra e ambicie personale që kërkojnë angazhim dhe përpjekjet për t’i arritur gjatë jetës. Kjo nuk nënkupton se mjafton vetëm dashuria, por i jep prioritet familjes, duke kërkuar balancë edhe në fusha të tjera të jetës, si ana ekonomike, profesioni e koha që kalojmë në punë, marrëdhëniet sociale, pasi  këto janë pjesë të identitetit tonë unik.

Por asgjë nuk ka vlerë para familjes, sado arritje të kesh, pasi aty është vendi ku festohet çdo sukses dhe derdhet loti për çdo dhimbje. Por familja ndërtohet nga dy vetë që kanë sinqeritet, besnikëri dhe çmojnë në sytë e tyre personin që kanë pranë dhe nuk e flakin tutje në vështirësi ose ta sprovojnë me dhimbje.

Me kalimin e viteve do ketë progres e ndryshime sidomos tek heqja e dhunës, por që të gjesh gjysmën tënde në këtë planet askush nuk ta garanton. Do ishte gënjeshtër dhe akoma më gënjeshtër është kur shkojnë në terapi çifti, ndërkohë që rezultate më shumë kam parë tek dy veta që luten. çka do të thotë se janë më të gatshëm për të reflektuar me përulësi, duke flakur tutje çdo ego personale.

E ndërkohë, konkurrenca e problemet e tjera të presin jashtë, pasi në kohën që po jetojmë nuk kanë mëshirë të kursejnë.

Edukimi i secilit individ duhet të fillojë shumë vite përpara se të krijohet familja. Ky edukim është më i gjerë, e nuk bëhet fjalë thjesht për arsimim ose të matet se sa libra lexoi dikush, se kam njohur njerëz me diploma që vetëm njerëz nuk mund t’i quaj. Sepse vetëm në familje nuk na duhet të luftojmë, aty mendohet se duhet të jetë parajsa personale e secilit, vendi ku na mjafton sa gjithë bota.

(P.S: e kam parë çështjen në fenomen GLOBAL dhe kam shmangur të analizoj çiftet SHQIPTARE se do më duhej të shkruaja shumë për dhunën fizike e psikologjike, dhe faktorë të tjerë kulturorë e social-ekonomikë që ndikojnë).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top