Dashurinë, atë të vërtetën, e ndien kur mbërrin. Të godet në zemër dhe kokë, dhe në atë pikë është tepër vonë: largësia, stuhitë e vogla e të mëdha, asgjë nga këto nuk mund ta ndalë.
Dhe është e pamundur të harrosh. E di mirë Leonardi, që e ka ndier t’i përvëlojë lëkurën dhe ende nuk arrin të çlirohet nga kujtimet. Kishte pasur plot gra pas ikjes së Anxhelës, por asnjëra s’mund të shpresojë t’ia zërë vendin. Dashurinë, tani, Leonardi e kërkon në gjërat e thjeshta: në buzëqeshjet e kënaqura të klientëve kur iu ndreq makinat; në muzikën që dëgjon në Duetto-n e tij, model antik, apo në mbrëmjet me miqtë që i njeh prej një jete. Pastaj është Laura, bija e tij shtatëmbëdhjetë vjeçe, përherë e më e bukur, por edhe tmerrësisht e largët. Ajo dashurinë e mëson në Internet, në fjalët e blogerëve që dinë t’ia sëmbojnë zemrën ashtu siç ai baba kaq i heshtur nuk mund ta bëjë kurrsesi. Mamaja, pa dyshim e ka një arsye që ka ikur, i thotë vetes. Po cila të jetë vallë? Dhe si ta zbulojë?
Përgjigjen do t’ia sjellë fati, në përfundim të një udhëtimi mbresëlënës, që asaj do t’i ngjallë guximin për të dashuruar, kurse Leonardit do t’i japë forcë për të filluar sërish. Sepse edhe gjesti më i vogël i dashurisë është një mrekulli, vetëm se ajo mrekulli duhet dëshiruar së bashku.
Pjesë të shkëputura nga libri:
Përralla jonë do të ketë shijen e gjërave të pafundme.
Si mund të jetë gabim kur zemra të rreh fort?
Disa fjalë dinë të jenë aq të bukura, por një përqafim i mposht të gjitha.
Nuk e di nëse ishte dashuri, por dreqi e mori gjithçka më vinte rrotull!
Edhe në perëndimin më të bukur të botës mungon diçka kur nuk e shikoj me ty.
Për të të parë të buzëqeshësh do të shpërtheja tërë universin.
Në fund të fundit mbetet kjo mes meje dhe teje, një puthje e munguar.
Jemi të gjithë parfumi i paharrueshëm i dikujt.
Titulli: Atëherë puthmë
Autor: Roberto Emanuelli
Zhanri: Roman
Përktheu: Agim Doksani
Shtëpia Botuese: Bota Shqiptare
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.