Një roman ndryshe për të njohur më nga afër atë që kushdo brenda vetes mund ta ketë, një veti, një aftësi që na bën të veçantë, ndryshe, por njëkohësisht të njëjtë me tjetrin.
Shtëpia botuese Pegi ka përzgjedhur një letërsi të veçantë, kjo për t’i sjellë një lexuesi edhe më të gjerë nevojën për të shfletuar brenda të shkruarit, botime që i vijnë në ndihmë në ngjarje a situata të tilla shoqërore, njerëzve me aftësi ndryshe.
Gereti është biri autik i një nëne të alkoolizuar, Zhaninës. Ajo nuk e di kush është babai i tij, kështu që bëhet për të nënë, baba, gjyshe e gjysh, ndërsa ai kthehet në qendrën e jetës së saj. Djali ka një mendje të jashtëzakonshme, të dëlirë e të pafajshme, si dhe një zhvillim gjuhësor të habitshëm: ai e merrte gjithçka fjalë për fjalë, sikurse i thuhej. Atij i pëlqen të çmontojë e të montojë përsëri objekte të ndryshme, e në këtë mënyrë zbulon talentin e tij për të ndërtuar violina, i cili do ta bëjë të famshëm në tërë botën.
Kur Gereti largohet nga shtëpia për të jetuar vetëm, ai krijon një lidhje të çuditshme me një pëllumb postar, nëpërmjet të cilit arrin të njohë njerëz të ndryshëm falë udhëtimeve dhe kthimeve të tij. Njëri prej këtyre udhëtimeve do ta ndryshojë përgjithmonë jetën e Geretit.
Hap pas hapi zbulohet mënyra se si sillemi në një botë ku nuk jemi pjesë e përkufizimit gjithnjë e më shtrëngues të “normalitetit”.
***
Në vitin 2011, Rodaan Al Galidi u shpall fitues i Çmimit Europian për Letërsinë për këtë roman.
Rodaan Al Galidi (1971) është shkrimtar dhe poet holandez me origjinë irakiane, arratisur prej Irakut më 1992. Ai mbërriti në Europë si klandestin e më pas u integrua më së miri në jetën holandeze. Vëllimi tij me poezi “Vjeshta e Zorros” (2007) ishte pjesë e listës së përzgjedhur për Çmimin e Poezisë ndërsa romani “Lumi i etur” (2009) ishte ndër të përzgjedhurit për Çmimin për Letërsinë e Re në Holandë. Romani i tij “Autiku dhe pëllumbi” (2011) është fitues i Çmimit Europian të Letërsisë dhe është përkthyer në disa gjuhë, ndër të cilat: danisht, suedisht, maqedonisht, çekisht, bullgarisht, tashmë edhe në shqip. Vëllimet me poezi “Madhësia e vetmisë” (2012) dhe “Më mirë jo, u përgjigj dashuria” (2013) janë pritur shumë mirë nga kritika.
Fragmente nga libri
… Atë të diel, Gereti i vështroi pjesët e veçanta të violinës për një kohë të gjatë. Aty, në atë dyqan sendesh të përdorura, ai kishte zbërthyer e çmontuar shumë pajisje, makineri dhe aparate, por asnjëherë ato nuk i kishin bërë kaq shumë përshtypje sa i kishte bërë kjo violinë. Nuk ishte as emri i Antonio Stradivarit dhe as viti i largët i ndërtimit të saj – këto nuk i interesonin fare – por ishin tingujt në atë kasetë, të cilët e kishin shndërruar dyqanin e sendeve të përdorura në një tjetër botë. Një botë ku gjithçka kishte kuptim. Më parë, Gereti besonte te telat që lidhnin aparatet dhe pajisjet me njëri-tjetrin, por tani ai kishte kuptuar se arti qëndronte tek ai tel i mrekullueshëm që nuk lidhte vetëm pajisjet dhe aparatet me njëri-tjetrin, por bashkonte gjithçka.
Për Geretin, arti e bënte botën më të madhe se dyqani i sendeve të përdorura. “Arti shndërron drurin në një violinë, violinën në një shpirt dhe i bën gishtat të ngrihen lart në fluturim,” mendoi Gereti.
… “Ndoshta ky është kuptimi i fjalës shtëpi,” mendoi Gereti dhe menjëherë kuptoi përse ai vetë ëndërronte aq shpesh për dyqanin e vjetërsirave, botën e tij sekrete. Pëllumbi i mësoi përse ai e dëshironte atë vend, ku për vite të tëra kishte kaluar kohën duke mbërthyer e zbërthyer gjithfarë aparatesh. Papritmas, kuptoi se çfarë ndiente kur ndodhej diku tjetër dhe jo atje. Ndërkohë që ai duhej të ishte duke ndërtuar violinat e tij, ishte gozhduar mbi atë divan duke u përpjekur të nguliste në kujtesë fjalën “shtëpi”. Zbuloi që pëllumbi kishte paguar me gjakun e tij – dhe, për fije, me jetën e tij – për të qenë në shtëpi, ndërkohë që vetë ai nuk do të guxonte kurrë të bënte diçka të tillë. “As e mendoj dhe as e bëj një gjë të tillë, ndërsa pëllumbi nuk e mendon, por e bën,” mendoi ai. Ndërsa pëllumbi ishte duke e marrë veten dhe duke u forcuar, çdo ditë Gereti ulej me orë të tëra mbi divanin në plevicë dhe përpiqej të ndërronte mënyrën e tij të të menduarit me atë të pëllumbit.
Titulli: Autiku dhe pëllumbi
Autori: Rodaan Al Galidi
Përktheu: Irena Rama
Zhanri: Roman
Shtëpia Botuese PEGI
Koleksioni Mozaik
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.